Kryeziu: Ky është skenari më pozitiv për liberalizim

Aktuale October 04, 2018 - 11:59
Lexo tjera detaje

Njohësi i integrimeve evropiane, Taulant Kryeziu ka thënë për gazetën “Zëri” skenari më pozitiv për liberalizimin e vizave është që vendimmarrja brenda Bashkimit Evropian të përfundojë këtë vit, megjithëse nuk e ka përjashtuar mundësinë e vonesave.

Kryeziu ka thënë se duhet pasur parasysh se liberalizimi i vizave është proces teknik me vendimmarrje politike. Sipas tij, pasi që procesi të kalojë në COWEB dhe në nivel të ambasadorëve të njohur si COREPER, nëse ka dakordim, çështja kalon në Këshillin e Ministrave, shkruan Gazeta "Zëri".

“Këshilli i Ministrave ka takime në tetor dhe në dhjetor dhe unë vlerësoj se skenari pozitiv do të ishte që së paku vendimmarrja të përfundojë brenda këtij viti, çdo skenar tjetër që e kalon majin e vitit të ardhshëm janë skenarë dekurajues dhe prodhojnë lajme jo të mira për qytetarët e Kosovës”, ka vlerësuar Kryeziu.

Sipas tij, liderët institucionalë nuk duhet të japin data se kur do të ndodhë liberalizim, pasi vendimmarrja është politike dhe varet nga vullneti i shteteve anëtare të BE-së. Kryeziu ka thënë se në bazë të votimit në Parlamentin Evropian, hezitime për liberalizimin e vizave për Kosovën kanë shtetet si Holanda Gjermania e Franca.

“Në bazë të votimit në Parlamentin Evropian, kemi parë që shtetet si Holanda, Franca dhe Gjermania kanë hezitime, gjë të cilën pak a shumë e kam paralajmëruar tash e shtatë muaj. Ne duhet të krijojmë sistem kredibil dhe t’i bindim vendet anëtare që kanë frikë nga migracioni... Duhet të punojmë që t’i bindim në Paris, në Bruksel apo kudo tjetër në qendrat ku ka hezitime”, ka shtuar Kryeziu./ZËRI