Deri në orën 17.00, vetëm 28.08 për qind e maqedonasve kanë votuar

Aktuale September 30, 2018 - 17:58
Lexo detajet

Në Maqedoni po zhvillohet referendumi për marrëveshjen me Greqinë për çështjen e emrit, i cili është vlerësuar si historik për të ardhmen euroatlantike të vendit.

Komisioni shtetëror i Zgjedhjeve bëri të ditur se deri në orën 17.00 në votime kanë dal 28.08 për qind e trupit të përgjithshëm votues.

Kryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor, Oliver Derkovski, tha se procesi zgjedhor në përgjithësi është duke u zhvilluar në mënyrë të qetë dhe demokratike përveç disa parregullsive në disa vendvotime ku janë ndërmarrë masa për zbardhjen e rasteve.
Komisioni për shqyrtimin e parregullsive në referendum ka pranuar 10 denoncime për parregullsi në procesin e votimit. 

Sipas kreut të Komisionit, prokurorit, Xhelal Bajrami parregullsitë e paraqitura kanë të bëjnë me fotografimin e personave që kanë votuar, fotografimin e vendvotimeve dhe presione ndaj votuesve. Rasti më i rëndë është regjistruar në Shkup ku një person ka penguar 3 policë në kryerjen e detyrës.
“Presim që policia të dorëzojë dokumentet në Prokurori dhe personi do të ndiqet për vepër penale”, tha prokurori Xhelal Bajrami.

Rreth 1.8 milion qytetarë me të drejtë vote janë ftuar t’i përgjigjen pyetjes: “A jeni për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjen me Greqisë”.