Quni: Interesi më i madh për vrasjen e Krasniqit ishte nga Beogradi

Aktuale September 25, 2018 - 22:42
Lexo detajet

Bashkëpunëtori i kolonel Ahmet Krasniqit, Anton Quni, ka thënë se shteti shqiptar ka bërë hetime sipërfaqësore pas vrasjes së Ahmet Krasniqit.

Ai në “Debat Plus” n në RTV Dukagjini ka thënë se dyshimi kryesor është se urdhëri për vrasjen e Ahmet Krasniqit ka ardhur nga Beogradi. 

“Interesi më i madh ishte i Beogradit, sepse ata nuk dëshironin që një figurë e tillë të ngrinte kapacitete ushtarake që më pas do të luftonte forcat e tyre ushtarake”.

Deputeti i LDK-së ka thënë se megjithatë nuk duhet anashkaluar edhe faktorët dhe raportet e tjera, që janë zhvilluar në Shqipëri.

“Nuk duhet lënë anash edhe faktorët dhe raportet tjera që janë zhvilluar në Shqipëri, duke filluar edhe prej profiterëve të luftës, pasi lufta e ka koston e lartë. Lufta ka nevojë për pajisje të kohës, armatim, teknologji të sofistikuar”, tha ai.

Quni ka thënë se jo gjithmonë porositë dhe dërgesat e armëve dhe parave kanë arritur në destinacion.

“Është një pistë që edhe kjo duhet hetuar”, tha ai.

Bashkëpunëtori i Ahmet Krasniqit ka thënë se janë edhe një mori pistash të mundshme që mund të dërgojnë në zbardhjen e vrasjes së Ahmet Krasniqit.

“Raportet e Ministrisë së Mbrojtjes me Drejtorinë Politike të UÇK-së nuk kanë qenë të mira. Ata jo gjithmonë kanë gjetur gjuhën e përbashkët në lidhje me ngritjen e kapaciteteve ushtarake. Duhet të hetohet edhe kjo pistë e mundshme për vrasjen e Ahmet Krasniqit”, tha ai.