Daçiq në New York: Arritja e një zgjidhje politike me Kosovën, prioritet kombëtar i Serbisë

Aktuale September 25, 2018 - 14:28
Lexo tjera detaje

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë në Nju Jork se prioritet kombëtar i Serbisë është të arrijë një zgjidhje politike për çështjen e Kosovës.

“Duke mbrojtur sovranitetin e saj dhe integritetin territorial, Serbia mbron të drejtën ndërkombëtare, Kartën e Kombeve të Bashkuara, ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, por edhe identitetin e saj kombëtar dhe historik”, citohet të ketë thënë Daçiq në Samitin e Paqes në nder të përvjetorit të lindjes së Nelson Mandelës.

Ai theksoi se Serbia është e angazhuar sinqerisht për paqen dhe dialogun, i cili me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian po realizohet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura.

“Duke udhëhequr politika të përgjegjshme, ne do të bëjmë çmos për të mbrojtur interesat e popullit tonë, por edhe për paqen dhe stabilitetin rajonal”, ka thënë tutje kreu i diplomacisë serbe.