Hoxha: Pas liberalizimit të vizave, statusi i kandidatit për anëtarësim në BE

Aktuale September 21, 2018 - 15:06
Lexoni më shumë detaje

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka thënë sot se procesi i integrimit evropian është karakterizuar me një dinamikë progresive viteve të fundit, por ende mbetet shumë për t’u bërë.

Hoxha në debatin me temë “Rruga e Kosovës në Bashkimin Evropian”, nën organizim të Akademisë Liberale Regjionale Politike dhe përkrahjen e Fondacionit ndërkombëtar të qendrës, vuri në pah rëndësinë e procesit të integrimit evropian dhe përkushtimin e Qeverisë në këtë proces.

“Marrëveshja Stabilizim Asociimit (MSA), ka hyrë në fuqi, duke krijuar në një anë obligimet kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe BE-së, dhe në anën tjetër duke përfaqësuar themelet e anëtarësimit tonë në BE”, tha Hoxha, duke cekur se hapi i radhës më i rëndësishëm është liberalizimi i vizave.

Raporti tejet pozitiv i Komisionit Evropian, theksoi Ministrja, ka konfirmuar punën e institucioneve të Kosovës duke dëshmuar se ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara, gjithsej 95 për liberalizimin e vizave dhe pret që BE t’i mbaj premtimet dhe kryen detyrat e veta, qytetarët e Republikës së Kosovës të kenë mundësinë që të udhëtojnë lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian.

“Kosova tani më është pjesë e Programeve të BE-së në nivelin e barabartë me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Pas hyrjes në fuqi të MSA-së dhe shpresojmë liberalizimit të vizave, tani synimi strategjik i Qeverisë është përmbushja e kritereve për të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE deri në vitin 2020”, theksoi Hoxha, duke shtuar se integrimi evropian nuk është alternativë por rruga e vetme.

Strategjia për zgjerim të BE-së, theksoi ministrja, e bën të qartë se Kosova do të hyjë në BE sikur vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, po jo në gjendjen që janë tani.

“Zbatimi i MSA-së është prioriteti ynë më i rëndësishëm. Zbatimi i MSA-së tani kërkon përafrimin e legjislacionit me standardet e BE-së dhe zbatimin e plotë të legjislacionit në praktikë. Kjo do të kërkojë vullnet politik, kapacitete burokratike dhe financim të qëndrueshëm”, theksoi Hoxha.

Puna e institucioneve në këto fusha, tha ministrja, duhet të jetë konkrete dhe të përfshijë të gjitha hallkat e zinxhirit institucional dhe krijimin e një konsensusi nacional për reformat dhe proceset që janë pjesë e rrugës drejt integrimit.

“Zbatimi i MSA-së, nuk është agjendë partiake por agjendë shtetërore, nuk është diçka për të cilën duhet të angazhohet vetëm Qeveria, por duhet të angazhohen të gjitha institucionet dhe sigurisht duhet përkrahja edhe e opozitës sidomos kur kemi të bëjmë me masat legjislative. Rruga jonë drejt integrimit nuk ka alternativë, detyrat janë të qarta dhe na mbetet që të gjithë të angazhohemi më shumë dhe të avancojmë këtë proces”, theksoi ajo.