LDK: Rezultat i Marrëveshjes me Serbinë mund të jetë Asociacioni me kompetenca ekzekutive

Aktuale September 20, 2018 - 19:06
Lexo detajet
Image

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës pas takimit të mbajtur me kryetarët e degëve të LDK-së, ka ripërseritur edhe njëherë qëndrimet e kësaj partie mbi temat aktuale në vend. Sekretari i kësaj partie, Ismet Beqiri në emër të LDK-së ka thënë që Kosova nuk duhet të ngutet në dialogun me Serbinë. Sipas tij kjo parti po druhet se prapa marrëveshjes me Serbinë qëndron formimi i Asociacionit me kompetenca ekzekutive, raporton "Zeri.info".

“Ne insistojmë që e para ky dialog nuk është i ngutshëm, i ngutshëm është vetëm për Serbinë ky dialog. Po ashtu nuk është ky qëndrim personal por qëndrimet e z. Thaçi sidomos në temën për korrigjim, për LDK-në është diçka e papranueshme. Është e vështirë por ne besojmë që ka diçka prapa saj. Larg asaj që mund të ketë ndonjë tendencë si Asociacioni me fuqi ekzekutive që është e papranueshme për ne dhe po ashtu tendencat eventuale për autonomi apo të ngjashme. Ne nuk po themi që e ka thënë zoti Thaçi por këtë e kemi drojë”, ka thënë Beqiri.

Tutje Beqiri ka folur edhe për organizimin e protestave në vend. Sipas tij LDK nuk do të marrë pjesë në asnjë protestë të cilën nuk është e organizuar nga LDK.

LEXO EDHE: LDK frikësohet se prapa dialogut qëndron një e keqe për Kosovën

“Ne se kemi mbyll derën sa i përket protestave nëse do të ketë nevojë LDK-ja do të ulet me organet e saj edhe njëherë por LDK-ja do të u prijë këtyre protestave, LDK-ja do të i organizojë këto protesta dhe LDK-ja do të marrë përgjegjësi në menaxhim dhe organizimin e një proteste të tillë eventuale”, ka thënë tutje ai.

Në anën tjetër ai ka shtuar se kjo parti është duke u munduar që të i shtjerrë mundësitë institucionale.

“Ne për momentin ashtu siç e kemi thënë konsiderojmë që ende ka hapësirë më i shtjerrë të gjitha mundësitë institucionale të e bllokojmë me çdo kusht që të shkojë dhe të flasë për korrigjim të kufijve sepse kjo do të ishte edhe një çështje penale. Kushtetuta e thotë mjaft qartë”, ka thënë ai.

Beqiri ka ri konfirmuar edhe njëherë se LDK do ti votojë në Kuvendin e Kosovës projektligjet për transformimin e FSK-së në ushtri, vetëm nëse për transformimin e saj është konsultuar me ndërkombëtarët.

Ne po ashtu i informuam edhe për qëndrimet e LDK-së për transformimin e FSK-së në ushtri. Është shumë e qartë që ne e mbështesim një proces të tillë dhe ne shpresojmë që i kanë koordinuar punët me NATO-në dhe me Shtetet e Bashkuara e partnerët tanë sepse pa të tillët është e vështirë. Ne meritojmë të kemi ushtri por është shumë vështirë të bëhet funksionale pa mbështetje. Nëse vinë ligjet në Kuvend LDK-ja e ka qëndrimin e qartë që do të i votoj “, ka përfunduar ai. /ZERI