Çështja e kufijve përsëri i përplas pozitën e opozitën

Aktuale September 20, 2018 - 14:56
Lexo detajet

Me të filluar seanca e jashtëzakonshme e opozitës kanë filluar edhe ‘përplasjet’ mes dy blloqeve politike në Kuvendin e Kosovës, raporton “Zeri.info”.

Përderisa në rend dite është tentuar të futen edhe disa pika në rend dite që kanë të bëjnë me marrëveshje ndërkombëtare, këtë gjë e kanë kundërshtuar dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti tha se në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit janë dakorduar vetëm për 3 pika në rend dite.

“Ne kemi pasur mbledhjen e Kryesisë jemi dakorduar që përpos 3 pikave dhe kërkojmë që vetëm ato pika të jenë në rend dite”, tha ai.

Ndërsa shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi tha se nuk e kupton sjelljen e Lidhjes Demokratike të Kosovës, që të votoj vetëm disa marrëveshje ndërkombëtare por jo edhe ato që i propozon pozita.

“Sot jemi në seancë të jashtëzakonshme që të votohen disa pika që janë pjesë e Kuvendit tashmë 3 muaj, pardje ju ka kujtuar LDK-së, që këto pika janë të rëndësishme dhe duhet me i votuar”, tha Krasniqi.

Sipas tij është e paqartë sjellja e tyre kundrejt pikave të propozuara nga PDK-ja.

Ndërsa shefi i grupit të LVV-së, Glauk Konjufca tha se kjo sjellje e opozitës vije si pasoj e bllokimit që subjektet e koalicionit i kanë bërë seancës për çështjen e kufijve me Serbinë.

“Nëse e shqyrtojmë pse kemi ardhur deri këtu e kuptojmë edhe sjelljen e opozitës. Argumenti në thelb është që pushteti ka dashur të jap një leksion që të nënshtrohet opozita me na tregu që ju pa mazhorancën nuk mundeni me mbajt asnjë seancë, kjo është me ja mbyll gojën opozitës. Pra nëse e shikojmë ashtu ju pa opozitën nuk mund të bëni asnjë hap përpara, pa opozitën nuk ka parlamentarizëm dhe ju po e refuzoni këtë”, tha ai.

Konjufca mes tjerash tha se subjektet e koalicionit duhet të lejojnë që të mbahet seanca e opozitës, për shkak se siç ka thënë ai territori i Kosovës është më i rëndësishëm se çdo gjë tjetër. ZERI