Qëndrimet e partive opozitare për Projektligjet për ushtrinë

Aktuale September 14, 2018 - 12:27
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Qeveria e Kosovës dje ka votuar tri projektligjet bazë për formimin e ushtrisë, duke anashkaluar kështu kërkesën e miqve ndërkombëtarë që ushtria të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese duke transformuar Forcën e Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura. Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka thënë se ky vendim nuk është marrë në koordinim me Ambasadën Amerikane, shkruan "Zëri.info". 

Në anën tjetër partitë opozitare kanë kërkuar që transformimi i FSK-së të bëhet me një konsensus të brendshëm politik dhe në dakordim të plotë me faktorin ndërkombëtar.

Veliu: Për ushtrinë duhet konsensus dhe dakordim me ndërkombëtarët

E teksa ka folur mbi vendimin e Qeverisë nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, ka thënë se ky subjekt i mbështet të gjitha çështjet që janë në interes të Kosovës. “Sigurisht që çështjet që janë me rëndësi për Kosovën ne i mbështesim. Por paraprakisht ne diskutojmë në strukturat tona dhe marrim qëndrim. Ne nuk jemi kundër shndërrimit të FSK-së në ushtri në asnjë variant, mirëpo iniciativat e tilla duhet të jenë të koordinuara”, ka theksuar ai për “Zërin”.

Veliu më tej ka thënë se për ushtrinë duhet të arrihet një konsensus i brendshëm dhe një koordinim me ndërkombëtarët. “Kjo është çështje e ndjeshme që duhet ta ketë një konsensus, por të koordinohet edhe me faktorin ndërkombëtar, sepse roli i tyre ka qenë vendimtar edhe në themelimin e FSK-së, edhe për Kosovën në përgjithësi dhe ne vetëm kemi insistuar që kjo çështje të bëhet si është më së miri në koordinim me të gjithë faktorët e nevojshëm”, ka potencuar ai.

Nagavci: Vendimi i Haradinajt për ushtrinë, tekanjoz

Ndërkaq deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, e ka cilësuar si “tekanjoz” vendimin e Qeverisë mbi Projektligjin për Ushtrinë. “Vendimi i Haradinajt duket se është një vendim tekanjoz, sepse ashtu si ndodhi më 22 dhjetor të vitit të kaluar, kur u tentua të merrej një vendim në raport me Gjykatën Speciale, edhe tani është një vendim i cili ka mundësi të paraqesë sfida pikërisht për shkak të mënyrës sesi është i rregulluar me legjislacion”, ka deklaruar ajo.

Megjithëkëtë, Nagavci ka thënë se LVV-ja është për themelimin e ushtrisë dhe për një gjë të tillë ka qenë edhe në të kaluarën. “Qëndrimi i LVV-së është për themelimin e ushtrisë, jemi gjithmonë dhe gjithmonë kemi qenë për krijimin e ushtrisë. Mendojmë që Kosova duhet ta ketë ushtrinë e saj, por jemi të interesuar të zgjidhet sa më parë dhe në mënyrë përfundimtare, që të mos kemi situata të cilat mund ta vënë në dilema ose ta shtyjnë edhe për një kohë, ose të sjellin tensione”, ka vënë në pah Nagavci.

Sejdiu: Në parim jemi për themelimin e ushtrisë

Kurse shefi i Grupit Parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu, ka deklaruar se kjo parti është për themelimin e ushtrisë së Kosovës, porse ka thënë nuk mund të flasë më shumë rreth këtij vendimi pa e parë Projektligjin e votuar. “Nuk e kemi parë Projektligjin. Çdo nismë e cila ka të bëjë me themelimin e ushtrisë së Kosovës është e mirëseardhur dhe është nismë e cila duhet të kalojë në Kuvend, ne këtë ligj nuk e kemi parë. Për të komentuar diçka që nuk e kemi parë është problematike. Por në parim jemi që ky shndërrim dhe ky transformim të ndodhë dhe e njëjta duhet të ndodhë në Kuvend”, ka deklaruar Sejdiu për “Zërin”.

Më tej ai ka thënë se është tejet me rëndësi që Kosova ta ketë ushtrinë e saj. “Duke e pasur parasysh sa e domosdoshme është që Republika e Kosovës të ketë ushtrinë dhe që kapacitetet e ushtrisë t’i plotësojmë edhe në forca të armatosura, është tepër me rëndësi që nismat e tilla të bëhen edhe mirë, edhe mbarë”, ka theksuar Sejdiu. /ZERI