Inkurajohet Parlamenti Evropian t’ia heqë vizat Kosovës

Aktuale September 12, 2018 - 07:52
Lexo detajet
Image

Përderisa çështja e liberalizimit të vizave të Kosovës ka kaluar në Komitetin për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme (LIBE), tani është hapur rruga për fillimin e trialogut mes Komisionit Evropian, Parlamentit dhe Këshillit të Ministrave. Ende nuk është bërë publike nëse kanë filluar këto bisedime, mirëpo Kosovës i mbetet të kalojë edhe dy votime të rëndësishme - atë të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit të Ministrave për të fituar liberalizmin e vizave, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Ndërkohë që Komisioni Evropian në një përgjigje për gazetën “Zëri” ka thënë se inkurajon Parlamentin Evropian dhe Këshillin e Ministrave për të ecur përpara në propozimin për heqjen e vizave për Kosovën.

LEXO EDHE: Rezoluta ndeshet me Kushtetutën

“Kosova ka bërë përparim të madh gjatë dy vjetëve të fundit dhe është e rëndësishme që zbatimi i të gjitha standardeve të vazhdojë. Komisioni tani inkurajon Parlamentin Evropian dhe Këshillin për të ecur përpara në propozimin e Komisionit për heqjen e kërkesave për vizat për Kosovën”, thuhet në përgjigjen e Komisionit dhënë “Zërit.

Hoxha: Nëse ka vullnet nga shtetet e BE-së sivjet ndodh liberalizimi

Në anën tjetër ministrja e Integrimeve të Kosovës, Dhurata Hoxha, është shprehur optimiste se qytetarët kosovarë këtë vit do të fitojnë lëvizjen e lirë.

“Jemi optimistë se sivjet do të mundë të përmbyllet procesi i vendimmarrjes nëse ka vullnet politik nga shtetet anëtare, edhe pse vendimi është në duar të shteteve anëtare dhe të BE-së”, ka thënë Hoxha për “Zërin”.

Sipas saj, Kosova ka dhënë mjaftueshëm prova se është e gatshme për viza, mirëpo mbetet në dorën e shteteve anëtare të vendosin pro ose kundër kësaj çështjeje.

“Në këtë fazë mund të themi se tashmë gjithçka varet nga shtetet anëtare. Siç e dini, disa prej tyre kanë zgjedhje e në disa prej tyre po zhvillohen debate për migrimin. Vendet e BE-së kanë informacion të duhur dhe argumentet se ne i kemi plotësuar të gjitha kushtet nga Udhërrëfyesi për Liberalizimin e Vizave. Gjithsesi, jemi optimistë se sivjet do të mundë të përmbyllet procesi i vendimmarrjes nëse ka vullnet politik nga shtetet anëtare, edhe pse vendimi është në duar të shteteve anëtare dhe të BE-së”, ka thënë tutje Hoxha.

Ajo ka shtuar në mes të tjerash se qytetarët e Kosovës janë të gatshëm për liberalizim.

“Ne jemi duke zhvilluar fushatë informuese se çka është liberalizimi dhe çka nuk është, si dhe të mirat që i sjell liberalizimi. Fokus është rinia jonë, e cila do ta ketë mundësinë të cilën nuk duhet ta keqpërdorë sepse vendi do të ketë pasoja. Nga fushata e deritashme, qytetarët tanë janë të gatshëm për t’i respektuar të gjitha rregullat për lëvizjen e lirë dhe shprehin gatishmërinë e respektimit të kushteve të parapara për liberalizim”, ka theksuar ajo.

Haradinaj: Liberalizimi nuk guxon të na dalë nga agjenda

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas mbledhjes së djeshme të Qeverisë ka thënë që çështja e liberalizimit të vizave duhet të mbetet prioritet për vendin, pavarësisht debateve të tjera që po zhvillohen në vend.

“Ne i kemi tani disa tema me rëndësi në vend, siç është liberalizimi i vizave, ku duhet të qëndrojmë të fokusuar. E duke qenë kështu ne të vetmin presion kohor që e kemi është liberalizimi i vizave dhe nuk duhet ta largojmë vëmendjen nga kjo temë sepse është shumë me rëndësi për qytetarët e vendit”, ka thënë i pari i Qeverisë.

Haradinaj mes tjerash ka thënë se çështja e liberalizimit të vizave mbetet fokus kryesor i Qeverisë së Kosovës.

Kryeziu: Holanda, Franca dhe Gjermania mbesin të rezervuara për vizat e Kosovës

Ndërsa njohësi i integrimeve Taulant Kryeziu ka thënë për “Zërin” se për çështjen e liberalizimit të vizave, ndonëse tani i takon Parlamentit Evropian, skeptike mbesin shtetet si Gjermania, Holanda dhe Franca.

“Hapi i radhës është pozicioni negociues në Këshill, pastaj është trialogu, ku Këshilli, Parlamenti dhe Komisioni duhet të dakordohen për një tekst të përbashkët i cili do të votohet në Parlament e në Këshill dhe pastaj në votim në Parlamentin Evropian, votim në nivel të ambasadorëve dhe votim në Këshill të Ministrave”, ka thënë Kryeziu.

Sipas tij, ka ende shtete brenda BE-së që mund të krijojnë një situatë negative për Kosovën.

“Për çështjen e vizave të Kosovës ka hezitim në shtetet si Holanda, Franca, Gjermania, ndërsa në anën tjetër po shohim rritje të partive ekstreme djathtiste nëpër vende të BE-së (rasti i fundit në Suedi) e të gjitha këto janë skenarë negativë për Kosovën, sepse këto parti djathtiste nuk krijojnë klimë të favorshme politike brenda vendeve anëtare të BE-së”, ka thënë ai.

Kryeziu është shprehur pesimist se këtë vit do të mundë të marrim vizat, mirëpo ka thënë se situata më e favorshme për Kosovën mbetet që të ketë vendimmarrje në raport me vizat këtë vit.

“Sa i përket procedurës së seancës së Parlamentin Evropian, seanca mbahen prej shtatorit deri më 13 dhjetor kur do të jetë edhe seanca e fundit. Brenda kësaj kohe duhet që së paku të kemi vendimmarrje për këtë vit, pra të votohet në Parlament dhe në Këshill të Ministrave. Hapi i fundit që ka qenë është Komiteti LIBE, ku është marrë mandati për të negociuar me Këshill. Tash duhet pritur takimet e trialogut dhe votimet në seancë plenare”, ka thënë mes tjerash Kryeziu.

Sipas tij, i tërë procesi në vazhdim në raport me vizat është procedurë e vendimmarrjes politike brenda institucioneve të BE-së, prandaj çdo gjë varet nga ta.