Thaçi anashkalon Kuvendin, kufijtë në referendum

Aktuale September 06, 2018 - 07:43
Lexoni më shumë detaje
Image

Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se fjalën përfundimtare për marrëveshjen me Serbinë, ku pritet të përfshihet edhe “korrigjimi i kufijve”, do ta kenë qytetarët e Kosovës përmes referendumit. Ai madje ka kërkuar sensibilizim për referendum, duke tentuar kështu që ta anashkalojë rolin e Kuvendit në këtë proces, pasi legjislativi do të duhej ta ratifikonte marrëveshjen me Serbinë, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi po bën përpjekje që ta anashkalojë tërësisht Kuvendin në procesin e dialogut me Serbinë.

Përveç që deri më tani nuk e ka marrë përkrahjen e Kuvendit për vazhdimin e fazës finale të dialogut të Brukselit, Thaçi planifikon që marrëveshjen përfundimtare me Serbinë të mos e qesë për ratifikim në Kuvend, por dëshiron që për këtë çështje të vendosë populli i Kosovës përmes referendumit, shkruan më tutje "Zëri".

Megjithatë, Kosova nuk ka ligj për referendum dhe sipas njohësve të çështjeve kushtetuese dhe deputetëve opozitarë Thaçi nuk mund ta anashkalojë Kuvendin, pasi për organizimin e referendumit për këtë çështje duhet të ndryshohet Kushtetuta dhe të miratohet ligji për referendum, vendime këto që duhet të merren nga Kuvendi.

Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se me Serbinë do të arrihet një marrëveshje, të cilën e mbështesin Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, megjithatë ai ka thënë se për marrëveshjen në fund do të vendosin qytetarët.

Thaçi ka kërkuar nga shoqëria civile që të angazhohet për mobilizim për të drejtën për organizimin e referendumit.

“E ritheksoj, një marrëveshje që pajtohet Uashingtoni dhe Brukseli i bie tamam edhe Kosovës, një marrëveshje pa pëlqimin e tyre nuk i duhet as Kosovës. Pra, do të jetë një marrëveshje që do të ketë shpirt euroatlantik, do ta ketë respektimin e vullnetit të qytetarëve përmes referendumit, e theksoj dhe ju ftoj juve si shoqëri civile, si medie, ta sensibilizoni të drejtën për organizimin e referendumit”, është shprehur Thaçi dje në tryezën e organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

Thaçi: Në fund do të vendosë populli i Kosovës përmes referendumit

I pari i shtetit më tej ka thënë se nëse qytetarët votojnë kundër marrëveshjes, atëherë Kosova mund të ketë pasoja.

“Në fund të fundit nuk do të vendosë një individ, as unë dhe as kushdo tjetër, por për marrëveshje do të vendosë qytetari i Kosovës, populli i Kosovës, përmes referendumit. Nëse pajtohen qytetarët, në rregull, nëse nuk pajtohen vazhdojmë, por vazhdojmë me pasoja dhe me çmim të lartë, mund të them edhe me dekada ndoshta”, ka shtuar Thaçi.

Në fund ai ka thënë se askush nuk duhet t’i frikësohet deklarimit të qytetarëve të Kosovës për marrëveshje.

Madje ai ka treguar se cila do të ishte pyetja e referendumit.

“Dhe, qytetarët le të deklarohen nëse janë për ose kundër. Pyetja do të jetë shumë e thjeshtë, pajtoheni për anëtarësim në NATO, në BE, në OKB dhe në organizata të tjera ndërkombëtare duke respektuar marrëveshjet me Serbinë? Po ose jo. Por jo, të mbesim peng të individëve të caktuar për shkak të interesave elektorale ose që nuk i kupton dhe t’i humbin 3, 4 ose 5 vjet sikur me demarkacion”, ka përfunduar Thaçi.

Gashi: Thaçi nuk ka mundësi ta anashkalojë Kuvendin

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë për gazetën “Zëri” se Thaçi nuk ka mundësi që ta anashkalojë Kuvendin, pasi aktualisht Kosova nuk ka ligj për referendum dhe se për këtë vendos Kuvendi.

“Thaçi nuk mund ta anashkalojë Kuvendin në këtë proces, pasi ligji për referendum duhet të bëhet në Kuvend. Nuk ka si ta anashkalojë, pasi Kuvendi është i vetmi institucion që miraton ligje. Kështu, për të organizuar referendum duhet të miratohet ligji dhe duhet të ndryshohet Kushtetuta e për këtë vendos Kuvendi. Kështu ai nuk ka mundësi ta anashkalojë”, ka deklaruar Gashi.

Edhe nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, ka thënë për “Zërin” se presidenti nuk mund ta anashkalojë rolin e Kuvendit në këtë proces.

“Për momentin nuk kemi ligj dhe nuk kemi mundësi të organizojmë referendum, por i kemi përfaqësuesit e zgjedhur të popullit, janë deputetët... Thaçi po mundohet të gjejë rrugë të tjera, por aktualisht është e pamundur të organizohet referendumi dhe për ironi nuk kemi të drejtë për referendum, pasi këta që tani po e kërkojnë në të kaluarën kanë thënë se nuk po na lejojnë ndërkombëtarët”, ka theksuar deputetja e Vetëvendosjes.  

Krasniqi: Kuvendi është epiqendër e vendimmarrjes

Monitoruesja e procesit të dialogut në kuadër të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Jeta Krasniqi, ka thënë se procedura për organizimin e referendumit nuk është aq e thjeshtë, duke e ditur se nevojitet edhe miratimi i ligjit nga Kuvendi.

“Ka referendum obligativ dhe këshillëdhënës dhe në bazë të llojit të referendumit shihet edhe cili do të jetë roli i Kuvendit. Por ajo që dihet është se ne nuk kemi ligj për referendum dhe ai duhet të miratohet në Kuvend. Do të thotë është një procedurë që nuk është aq e thjeshtë. Referendumi nuk është ide negative, por ka shumë rëndësi se si shtrohet pyetja, po ashtu se sa janë të informuar qytetarët”, ka deklaruar Krasniqi.

Ajo po ashtu ka thënë se Kuvendi është epiqendër e vendimmarrjes dhe se nuk duhet në asnjë formë të anashkalohet nga proceset e rëndësishme.

"Por natyrisht se Kuvendi është epiqendër e vendimmarrjes dhe nuk duhet në asnjë mënyrë të anashkalohet. Duhet të ketë përpjekje për konsensus politik dhe koordinim në mes të institucioneve, gjë që tani nuk e kemi”, ka përfunduar Krasniqi.