Kuvendi i Kosovës me dy seanca të jashtëzakonshme

Aktuale September 04, 2018 - 07:46
E marta e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës

Sot Kuvendi i Kosovës pritet t’i mbajë dy seanca të jashtëzakonshme.

Njëra me kërkesë të grupeve parlamentare opozitare lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e “shkëmbimit të territoreve” apo “korrigjim të kufijve” në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, ndërsa në tjetrën do të bëhet shqyrtimi i Propozim-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e Ekipit Negociator për Normalizimin e Marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës me kërkesë të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradina do të fillojë në ora 09:00, ndërsa seanca e jashtëzakonshme me kërkesë të opozitës do të mbahet në ora 10:00.

Ndryshe, PSD ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në seancën e thirrur nga Qeveria, pasi vlerësojnë se çdo diskutim duhet të bëhet në seancën e paraparë të mbahej në ora 10:00, që ishte thirrur me kërkesë të opozitës.