Hapat e liberalizimit

Aktuale August 31, 2018 - 07:42
Lexo detajet
Image

Komiteti LIBE i Parlamentit Evropian i ka hapur rrugë vendimmarrjes në Parlamentin Evropian dhe në Këshillin e Ministrave për liberalizimin e vizave për Kosovën. Vendimi final nga ministrat e brendshëm të vendeve të BE-së pritet të merret në takimin e fundit për këtë vit, që mbahet më 6 dhe 7 dhjetor. Kurse qytetarët e Kosovës pritet të lëvizin pa viza në zonën Schengen në pjesën e parë të vitit të ardhshëm, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Komiteti për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme (LIBE) i Parlamentit Evropian (PE) me 30 vota për, 2 abstenime dhe 10 kundër ka votuar për liberalizimin e vizave për Kosovën, duke e mandatuar Parlamentin Evropian dhe Këshillin që t’i hapin negociatat trepalëshe Komision – Parlament – Këshill për formulimin e marrëveshjes për heqjen e regjimit të vizave për Kosovën.

Pas këtij vendimi Parlamenti Evropian duhet ta miratojë në seancë plenare vendimin për liberalizim dhe më pas vendimi final merret në takimin e fundit për këtë vit të Këshillit të Ministrave me përbërjen e ministrave të brendshëm të vendeve anëtare të BE-së, që mbahet më 6 dhe 7 dhjetor.

Ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha ka thënë për gazetën “Zëri” se Kosovës i mbetet të vazhdojë lobimin te shtetet e rëndësishme, si Gjermania, Franca e Holanda.

Kurse njohësit e integrimeve thonë se tani vendimmarrja brenda Bashkimit Evropian për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën hyn në një fazë intensive dhe se tre muajt e ardhshëm (shtatori, tetori dhe nëntori) janë vendimtarë.

Sipas tyre, nëse në Kosovë nuk ndodh ndonjë skandal që mund të ndikojë në qëndrimin e vendeve anëtare të BE-së, atëherë vendimi final nga Këshilli i Ministrave mund të merret në fillim të dhjetorit.

Hahn e Avramopoulos presin vendim të shpejtë për heqjen e vizave

Komisionari për Fqinjësi dhe Negociata të Zgjerimit i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, pas vendimit të Komitetit LIBE ka thënë se tani pret që shpejt të merret vendimi për liberalizimin e vizave për kosovarët.

“Shpresoj për një vendim të shpejtë, të favorshëm dhe të merituar”, ka shkruar Hahn në rrjetin social “Twitter”.

Edhe komisionari për Çështje të Brendshme, Migrim dhe Shtetësi i BE-së, Dimitris Avramopoulos, ka thënë se shpreson që së shpejti edhe kosovarët të lëvizin lirshëm.

“Mirëseardhje për një dritë të gjelbër të fuqishme nga Komiteti LIBE për t’i filluar negociatat me Këshillin e Evropës për liberalizimin e vizave për Kosovën. Shpresoj se ky vendim së shpejti do të jetë për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor për lëvizje të lirë pa viza”, ka shkruar Avramopolus në llogarinë e tij në “Twitter”.

Fajon: Kosova e meriton liberalizimin e vizave

Eurodeputetja dhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, para anëtarëve të Komitetit kërkoi votën e tyre për rekomandimin e vizave, pasi, siç tha ajo, Kosova ka bërë rrugë të gjatë deri te heqja e vizave.

“Do të doja t’i falënderoja të gjithë ata që kanë kontribuuar, sepse e di që ka qenë rrugë e gjatë dhe është hap i rëndësishëm për Kosovën që ka qenë e izoluar për një kohë të gjatë. E di sa e vështirë ka qenë dhe e di se sa shumë kanë punuar. Ju ftoj që ta përkrahni Kosovën për liberalizimin e vizave”, ka thënë Fajon para votimit.

Kurse Igor Sholtes, raportues për Kosovën në Parlamentin Evropian, ka thënë se qytetarët e Kosovës e meritojnë lëvizjen e lirë.

“Rezultati i sotëm është vetëm një hap përpara drejt lëvizjes së lirë. Ky është njëri nga parimet themelore të BE-së. Shpresoj që udhëtimi pa viza të bëhet shpejt realitet. Disa hapa të rëndësishëm janë përpara nesh. Mandati duhet të konfirmohet në Parlament dhe në Këshill. Votimi vendimtar do të jetë në Këshill. Është koha që qytetarët e Kosovës të gëzojnë të drejta të njëjta si të tjerët dhe të lëvizin lirshëm”, ka shkruar më tutje Sholtes.

Krerët shtetërorë: Vendimi, këtë vit

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj pas vendimit të Komitetit LIBE ka thënë se ky është hapi i dyti i rëndësishëm drejt heqjes së vizave, pas plotësimit të kritereve nga ana e Kosovës.

“Pas plotësimit të të gjitha kushteve për liberalizim, hapi i dytë drejt heqjes së regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës u mbyll me sukses. Parlamenti Evropian, respektivisht Komiteti LIBE për të Drejta Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme, aprovoi sot mandatin për hapjen e negociatave me Komisionin Evropian për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Haradinaj.

Ai më tej ka thënë se Kosova ka bërë punë të madhe për heqjen e regjimit të vizave.

“Kosova ka bërë punë të madhe, veçanërisht në fuqizimin e sundimit të ligjit, andaj është e sigurt se do të përmbyllet me sukses i tërë procesi, duke u mundësuar qytetarëve tanë të lëvizin lirshëm në vendet e BE-së. Mirënjohës për angazhimin e madh dhe të vazhdueshëm të eurodeputetes dhe raportueses për liberalizim të vizave në Parlamentin Europian, Tanja Fajon dhe të gjithë eurodeputetëve të tjerë që votuan pro lëvizjes së lirë për kosovarët”, ka shtuar Haradinaj.

Kurse presidenti Hashim Thaçi ka thënë se Kosova po i afrohet vendimit final për heqjen e vizave. “Çdoherë e më shumë po i afrohemi vendimit final, shumë kohë të pritshëm, që t’u hiqet çdo pengesë e lëvizjes së lirë edhe qytetarëve tanë në zonën Shengen”, ka shkruar Thaçi.

Ndërsa kryeparlamentari Kadri Veseli ka thënë se pret që brenda këtij viti të merret vendimi për liberalizim.

“Ky është një lajm i merituar për qytetarët dhe një hap drejt vendimit final nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Ministrave të BE-së. Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe ne presim që brenda këtij viti qytetarët tanë të lëvizin pa viza në zonën Schengen”, ka shkruar Veseli.

Hoxha: Duhet lobim te Gjermania, Franca e Holanda

Ndërsa ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka thënë për gazetën “Zëri” se pas vendimi të Komitetit LIBE puna e madhe për heqjen e vizave mbetet në Parlamentin Evropian dhe në Këshillin e Ministrave.

“Tani puna më e madhe mbetet te vendimet në Parlamentin Evropian në seancën plenare, si dhe në Këshillin e Ministrave, ku në këtë rast janë ministrat e brendshëm. Është në vullnetin politik të secilit shtet anëtar se si do të votojnë në Këshill. Neve na mbetet të gjithë të lobojmë në secilin prej shteteve anëtare e sidomos te vendet si Franca, Gjermania dhe Holanda, që i kanë debatet e brendshme për migracionin”, ka deklaruar Hoxha, duke thënë se shpreson që të gjitha shtetet do ta marrin parasysh progresin dhe ta përshpejtojnë procesin e vendimmarrjes.

Ajo ka thënë se nëse ka vullnet brenda BE-së, atëherë procesi i vendimmarrjes për liberalizimin e vizave për Kosovën mund të përmbyllet brenda këtij viti.

“Nëse marrim parasysh shembujt e shteteve të rajonit, nëse ka vullnet politik në shtetet anëtare procesi i vendimmarrjes mund të përmbyllet deri në fund të këtij viti, por është vështirë të parashikojmë se si do të votojë secili shtet. Prandaj është shumë me rëndësi që secili prej nesh të vazhdojmë lobimin e filluar”, ka përfunduar Hoxha.

Rashiti: Vendimi final pritet të merret në fillim të dhjetorit

Drejtori i Grupit Ballkanik për Politika, Naim Rashiti, ka thënë për “Zërin” se duke e pasur parasysh faktin se ka pasur debate të gjëra me grupet parlamentare dhe me komisionet e veçanta në Parlamentin Evropian ka gjasa që kjo çështje të kalojë në Këshillin e Ministrave pa shkuar fare në seancë plenare në Parlament.

“Janë bërë konsultime të gjëra me grupet parlamentare dhe komisionet e veçanta, prandaj besoj që tashmë procedura fillon me dialogun trepalësh me Këshillin dhe futemi në procedurë intensive të konsultave në mes të Këshillit dhe Parlamentit Evropian. Parlamenti nuk do të paraqesë ndonjë vonesë dhe nuk besoj që do të shkojë në seancë plenare, përveç nëse është thënë në mënyrë eksplicite, gjë që nuk e besoj”, ka vlerësuar Rashiti.

Ai më tej ka thënë se pret që vendimi final për heqjen e vizave të merret në fillim të dhjetorit nga Këshilli i Ministrave.

“Në tre muajt e ardhshëm ka negociata në mes të Komisionit, Këshillit dhe Parlamentit për formulimin dhe besoj që do të ecën shpejt, përveç nëse krijohen incidente ose skandale që mund të ndikojnë në qëndrimin e shteteve anëtare, çfarë kemi parë kohët e fundit. Më 4 dhjetor më duket është takimi i fundit i ministrave të brendshëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe aty ishte dashur të jepej drita e gjelbër”, ka shtuar Rashiti.

Në kalendarin e takimeve të Këshillit të Ministrave me përbërje të ministrave të brendshëm takimi i fundit për këtë vit figuron më 6 dhe 7 dhjetor.