Asociacioni, pa kompetenca ekzekutive

Aktuale August 29, 2018 - 12:46
Lexo detajet

Nenad Rashiq, kryetar i Partisë Demokratike Progresive në Kosovë, gjatë një interviste për “Zërin” ka folur për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Ai ka thënë se Asociacioni s’mund të ketë kompetenca ekzekutive, ndërsa për formimin e ushtrisë ka thënë se kjo nuk është çështje urgjente e Kosovës kur vendi de facto është në NATO.

Zëri: Në takimin e radhës në Bruksel do të diskutohet edhe për statutin e Asociacionit. Në bazë të procesverbaleve të ekipit menaxhues draftstatuti i Asociacionit është përgatitur me kompetenca ekzekutive. A prisni se do të ketë kompetenca të tilla Asociacioni apo do të ndryshohet ky draftstatut?

Rashiq: Në sistemin e Kosovës momentalisht nuk ka as hapësirë e as mënyrë për ndërtimin e një niveli të tretë të pushtetit dhe këtë mund ta kuptoni nëse i merrni të dyja marrëveshjet, atë të vitit 2013 dhe atë të vitit 2016. Të dyja thonë të njëjtën gjë në pikën se marrëveshja duhet të jetë në harmoni me Kushtetutën dhe me ligjet e Kosovës. Nga kjo duhet të kuptojmë që të mos biem në grackat e dy presidentëve që po përdorin të njëjtën gjë, duke e folur ndryshe, të dyja dokumentet tregojnë se çfarëdo marrëveshjeje duhet të jetë në harmoni me Kushtetutën.

Zëri: A mendoni se një Asociacion me kompetenca ekzekutive do t’i zgjidhte problemet e serbëve në Kosovë dhe a do ta bllokonte funksionimin e shtetit të Kosovës?

Rashiq: Kompetencat ekzekutive nuk kanë se si të formulohen. Qëllim ka qenë krijimi i një mekanizmi mbi komunat serbe që do ta mbikëqyrë saktë punën që po bëhet në ato komuna. Kjo vetëm po shitet si diçka e madhe dhe në fund kjo nuk do të këtë një rëndësi të madhe në cilëndo kompetencë ose mekanizëm të pushtetit, prandaj nuk shoh ndonjë hapësirë për krijimin e nivelit të tretë të pushtetit.