99% e serbëve të jugut nuk e përkrahin idenë për shkëmbimin e territoreve

Aktuale August 29, 2018 - 10:20
Lexo detajet

Nenad Rashiq, kryetar i Partisë Demokratike Progresive në Kosovë, gjatë një interviste për “Zërin” ka thënë se Shkëmbimi i territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë, për të cilën gjë po angazhohen presidentët, Thaçi dhe Vuçiq, mund të nxisë trazira dhe luftë të re, prandaj Gjermania nuk po dëshiron ta importojë një “Siri të Re” brenda Evropës.

Zëri: A do të pajtoheshin serbët të cilët jetojnë në komunat tjera të Kosovës që veriu t’i bashkohet Serbisë?

Rashiq: Tani i kemi dy shtylla të mendimit. Gjashtë kryetarët e Komunave me Shumicë Serbe i kanë dhënë presidentit Vuçiq mbështetje pa kompromis për cilëndo formë të negocimit. Kjo tregon se ata nuk janë përfaqësues të popullit, ata kanë qenë të emëruar sepse nuk mendojnë me kokat e tyre, prandaj edhe kanë qenë njerëz idealë prej anës së Beogradit zyrtar dhe jozyrtar. Siç e dini i kemi dy shtylla që ndikojnë në jetën e serbëve të Kosovës, pra kanë plotësuar kushtin bazik, i cili ka qenë - të mos mendojnë fare dhe vetëm të veprojnë.

Dhe shtylla e dytë është populli, i cili mendon vetëm si të mbijetojë, si të sigurojë financa për familjen. 99% e serbëve të jugut nuk e përkrahin idenë për shkëmbimin e territoreve, por nëse shkojmë në cilëndo pjesë të vendit ata prapa kamerave i tregojnë të gjitha, ndërsa para kamerës nuk flasin. Kjo nuk ka qenë as në kohën e komunizmit. Tani kemi një situatë absurde, sepse Kisha Ortodokse është deklaruar kundër ndarjes, duke u bazuar në efektet negative për serbët e Kosovës dhe njerëzit e pushtetit e detyrojnë shumicën e popullit të mos shkojë as në kishë. Me shumë përgjegjësi mund të them se kjo formë e manipulimit, e shantazheve dhe e radikalizmit të sistemeve nuk ka ekzistuar as në komunizëm, prandaj çka na ka mbetur neve si serbë të Kosovës është të shikojmë si të mbijetojmë në këtë fatkeqësi, këtë keqpërdorim të popullit vetëm edhe për një mandat, sepse faktikisht duke u nisur prej të dy presidentëve qëllimi i tyre është vetëm një mandat, po punojnë në atë filozofi politike. Komuniteti serb është në situatën më të rëndë brenda shekujve të fundit. Nuk e di çka do të ndodhë me serbët e Kosovës.