Thaçi promovon intervistën me Rugovën, të cilën e kishte realizuar këshilltari i tij

Aktuale August 24, 2018 - 13:26
Lexo detajet

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tash e disa ditë është duke e cituar ish-presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova, i cili vite më parë kishte folur për mundësinë e shkëmbimit të territoreve me Serbinë, raporton "Zëri.info".

Por menjëherë pasi Thaçi kishte cituar Rugovën në këtë mënyrë, kanë pasuar reagimet e themeluesve dhe anëtarëve të LDK-së, si: nga Milazim Krasniqi, Ismet Beqiri e Muhamet Hamiti, të cilët kanë thënë se nuk mbajnë mend që Rugova të jetë deklaruar për opsionin e shkëmbimit të territoreve.

Në një intervistë të botuar në gazetën “Zëri” më 1994 Rugova kishte thënë se nuk është për ndarje, por për këmbim të territoreve me Serbinë. Intervista në fjalë ishte realizuar nga ish-gazetari, tanimë këshilltar i Thaçit, Blerim Shala dhe ish-gazetari i ndjerë Bardh Hamzaj.

“Edhe në mund të bëjmë kësi lloj pazari. Aq më tepër kur kemi legjitimitetin historik, etnik, juridik dhe politik mbi Kosovën. Nuk duhet harruar se Kosova ka qenë njësi konstituive e Federatës Jugosllave. Megjithatë, po e përsëri se për ne është e papranueshme ndarja e Kosovës. Mund të bëjmë vetëm këmbim territoresh, ashtu që për Leposaviqin dhe disa territore në veri të Kosovës të banuara me shumicë serbe, të fitojmë Preshevën dhe viset e tjera në Serbinë Jugore, të banuara me shumicë shqiptare”, kishte deklaruar Rugova për “Zërin”.

Pas pak “Zëri” jua sjell intervistën e plotë të realizuar me ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova./Zeri

Image