Presidenca: Në takimin e shtatorit në Bruksel diskutohet për Luginën

Zyrtarë të Presidencës së Kosovës kanë bërë të ditur për gazetën “Zëri” se në takimin e ardhshëm me palën serbe në Bruksel, i cili do të mbahet gjatë muajit shtator, do të diskutohet për kërkesën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës për bashkim me Kosovën, shkruan sot Gazeta "Zëri".
Në takimin e tretë me radhë në kuadër të fazës finale të dialogut Kosovë - Serbi, i cili pritet të mbahet në fillim të muajit shtator, si temë e diskutimit do të jetë edhe çështja e Luginës së Preshevës.
Nga zyra e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kanë pohuar për gazetën “Zëri” se në këtë takim do të bisedohet mbi kërkesën e shqiptarëve të Luginës për bashkim me Kosovën.
LEXO EDHE: 22 milionë euro u shpenzuan këtë vit për veteranët e rrejshëm
Duke folur rreth këtij paralajmërimi përfaqësuesit e opozitës kanë vlerësuar se presidenti Thaçi ka hyrë në “aventura” sa i përket çështjes së kufijve.
Sipas tyre, opsioni për korrigjim të kufijve, të cilin po e përmend në vazhdimësi presidenti Thaçi, nxit tensione, dobëson pozitën negociuese të Kosovës karshi Serbisë dhe dëmton shtetësinë që është ndërtuar në dekadën e fundit.
Si rrjedhojë e mospajtimeve dhe e kundërshtimeve të opozitës mbi udhëheqësin e dialogut (presidentit Thaçi) dhe formatit aktual të negociatave, edhe takimi i radhës pritet të mbahet pa ndonjë konsensus të gjerë nacional. Me këtë rast monitoruesit e procesit të dialogut vlerësojnë se arritja e një konsensusi është më se e domosdoshme në këtë etapë përmbyllëse të bisedimeve Kosovë - Serbi.
Presidenca: Në takimin e shtatorit nuk diskutohet mbi Asociacionin
Nga zyra për informim e presidentit i kanë thënë gazetës “Zëri” se ende nuk ka ndonjë datë të saktë se kur do të mbahet takimi i radhës në kuadër të fazës finale të dialogut Kosovë - Serbi, ndonëse takimi është paraparë të zhvillohet në fillim të muajit shtator.
Megjithëkëtë, nga Presidenca kanë pohuar se në takimin e shtatorit do të diskutohet mbi çështjen e Luginës së Preshevës, respektivisht mbi kërkesën e përfaqësuesve shqiptarë të Luginës për bashkim me Kosovën.
“Sigurisht se po”, thuhet shkurt në përgjigjen e zyrës për informim në pyetjen e gazetës nëse në këtë takim do të diskutohet mbi çështjen e Luginës.
Pavarësisht kësaj, është bërë e ditur se nuk do të bisedohet për çështjen e Asociacionit të Komunave Serbe (për draftstatutin e përpiluar nga ekipi menaxhues).
“Jo, kjo çështje diskutohet në kuadër të dialogut të nivelit teknik”, theksohet në përgjigje.
Ndërkohë ndonëse presidenti Thaçi në vazhdimësi po paralajmëron se në kuadër të fazës finale do të diskutohet për korrigjim të kufijve me Serbinë, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka thënë se kreu i shtetit nuk e ka mbështetjen e tij lidhur me këtë çështje.
“Presidenti nuk e ka mbështetjen time e as të partisë sime për të folur rreth kësaj çështjeje. Nëse flet për këtë çështje, ai nuk flet me mbështetjen time”, ka deklaruar Haradinaj gjatë një konference për medie.
Selimi: Çdo kompromisi në dëm të Kosovës i themi “Jo”
Ndërkaq teksa ka folur për takimin e radhës që do të mbahet në Bruksel, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë se nga udhëheqësit e këtij procesi, nga presidenti i Kosovës dhe ai i Serbisë, nuk mund të pritet asgjë pozitive për Kosovën.
“Asgjë e mirë nuk pritet tashmë nga partneriteti Thaçi - Vuçiq, aq më tepër kur dihet tashmë se si e trajton Kosovën ky binom dhe se kur dihet se çfarë planesh kanë ata për Kosovën”, ka pohuar ai.
Madje Selimi e ka vlerësuar pozitiv faktin që nuk është arritur një konsensus nacional rreth dialogut, pasi është kërkuar dakordim në dëm të Republikës së Kosovës.
“Është mirë që nuk është arritur konsensusi i kërkuar deri më tash, sepse nga bartësit e dialogut është kërkuar konsensus e unitet në dëm të Kosovës. Pra, është kërkuar nga ne që të bëhemi unikë si spektër politik e si të tillë të arrijmë kompromis të dëmshëm me Serbinë për Kosovën. Prandaj ne i themi ‘Jo’ këtij kompromisi dhe cilitdo kompromis në dëm të Kosovës”, ka theksuar Selimi.
Sejdiu: Idetë e Thaçit për korrigjim kufijsh dëmtojnë shtetësinë e Kosovës
Pavarësisht asaj se Presidenca ka bërë të ditur se në takimin e shtatorit do të diskutohet për kërkesën e shqiptarëve të Luginës për bashkim me Kosovën, deputeti i pavarur nga radhët e opozitës Korab Sejdiu, ka thënë se një skenar i tillë do ta detyronte Kosovën ta hapte çështjen e kufijve.
“Një gjë e tillë do të kushtëzohej me hapje të çështjes së kufijve të Kosovës. Vlen të potencohet që përgjatë historisë sa herë që është hapur çështja e kufijve të shqiptarëve ne gjithmonë kemi dalë humbës. Rrjedhimisht hezitimi i pothuajse të gjithë qytetarëve të Kosovës për të hapur këtë çështje është tërësisht i arsyeshëm”, është shprehur ai gjatë një interviste për “Zërin”.
Me këtë rast Sejdiu ka vlerësuar se presidenti Thaçi në vazhdimësi po bën deklarata skandaloze, veçmas lidhur me idenë për korrigjim të kufijve.
“Nuk është e qartë pse presidenti Thaçi po lëshohet në këto aventura kohëve të fundit, por çka dihet është se tezat e tilla vetëm sa shqetësojnë qytetarët tanë, që ende vuajnë nga traumat e luftës, nxisin tensione, dobësojnë pozitën negociuese të Kosovës karshi Serbisë dhe dëmtojnë edhe atë pak shtetësi që jemi munduar ta ndërtojmë këtë dekadën e fundit”, ka potencuar ai.
Prandaj, siç ai ka thënë, ekziston nevoja urgjente që Kuvendi ta mandatojë përfaqësuesin e Kosovës në këto bisedime, duke përfshirë edhe një platformë për dialogun. Por një gjë e tillë sipas Sejdiut duhet të ndodhë vetëm pas zgjedhjeve të reja.
Haxholli: Arritja e konsensusit për dialogun, e domosdoshme
Në anën tjetër Violeta Haxholli, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI) në kuadër të projektit për dialog, ka vlerësuar se nuk ka pasur informacione të bollshme lidhur me atë se çka do të diskutohet në Bruksel në takimin e shtatorit.
Pavarësisht kësaj, Haxholli ka konsideruar se në këtë takim pritet të flitet për çështjen e demarkacionit me Serbinë.
“Ajo që po pres të diskutohet është çështja që këta po i thonë ‘shkëmbim i territoreve’, por në fakt kjo do të diskutohet në kuadër të demarkacionit të kufirit. Me siguri do të dakordohen që vija kufitare të lëvizë pak a shumë si me Malin e Zi, por nuk do të ketë lëvizje aq të mëdha sa të bashkohet Lugina me Kosovën”, ka deklaruar ajo.
Pos kësaj, sipas Haxhollit, do të flitet edhe për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. “Çështja tjetër që mund të diskutohet është çështja e Komunave, pasi çështja tashmë ka mbërritur te statuti, është bërë draftimi i statutit prej ekipit menaxhues”, ka shtuar ajo.
Ndërkohë ka thënë se arritja e një konsensusi të gjerë nacional është më se e nevojshme për fazën finale të negociatave Kosovë - Serbi.
 
 
											