Ahmeti: Të ndalen 'aventurat' e Thaçit me kufijtë

Aktuale August 16, 2018 - 07:46
Lexo tjera detaje
Image

Kreu i PSD-së dhe i Prishtinës Shpend Ahmeti gjatë një interviste për “Zërin” ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës të marrë përgjegjësi dhe të mos i lejojë, siç ka thënë ai, “aventurat” e presidentit Thaçi me kufij. Madje Ahmeti rekomandon që të ndërpritet dialogu me Serbinë deri në arritjen e konsensusit në mes të spektrit politik në vend.

Dialogu me Serbinë duhet të ndërpritet derisa të arrihet një konsensus në mes të spektrit politik në Kosovë. Kështu ka deklaruar gjatë një interviste dhënë për gazetën “Zëri” kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Shpend Ahmeti.

I pari i PSD-së dhe i Prishtinës ka shtuar se deputetët duhet të kthehen nga pushimi, pasi sipas tij presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tashmë ka nisur “aventurat” sa i përket çështjes së kufijve. Gjatë intervistës Ahmeti ka folur edhe për zgjedhje, me ç’rast ka thënë se PSD-ja ia garanton 12 nënshkrimet e deputetëve të saj cilësdo parti opozitare që vendos të ngrejë mocion për rrëzimin e Qeverisë. Mirëpo sipas tij asnjëra prej partive opozitare, as LDK e as LVV-ja, nuk po ndërmarrin asnjë hap në këtë drejtim pavarësisht deklarimeve që po bëjnë. Teksa ka folur rreth zhvillimeve në Kuvendin Komunal kryetari i Prishtinës ka akuzuar ish-partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje, për sulme të vazhdueshme në drejtim të tij dhe të PSD-së, sulme të cilat sipas Ahmetit janë paradoksale dhe krejt të çuditshme.  

 Thaçi ka hyrë në aventura që as vetë s’po di t’i shpjegojë

Zëri: Ditëve të fundit presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka paralajmëruar se në kuadër të dialogut do të diskutohet për korrigjim të kufijve, respektivisht për bashkimin e Luginës me Kosovën. Si e keni parë ju një gjë të tillë?

Ahmeti: E para që duhet të potencohet, është e paarsyeshme që Kuvendi të jetë në pushim në fazën kur presidenti Thaçi u ka hyrë disa aventurave, të cilat as ai vetë në konferenca për shtyp nuk po mund t’i shpjegojë, sepse në njërën anë flet për korrigjim kufijsh, në anën tjetër thotë “e përkrah deklaratën e kancelares Merkel”, e cila ka thënë që s’ka ndryshime kufijsh. Në qoftë se e përkrah Merkelin dhe s’ka ndryshime, atëherë korrigjimi nënkupton ndryshim kufijsh. Kështu që kryesorja është që Kuvendi të kthehet nga pushimi. Dhe në një republikë parlamentare kuvendi ta marrë përgjegjësinë, në mënyrë që të mos lejohen këto gjëra të cilat po na ndodhin këto ditë, për çfarë arsyeje nuk e di. Ky president po del dhe po flet gjëra të cilat nuk e kanë përkrahjen e askujt në Kosovë, së paku nga aspekti politik nuk kam dëgjuar, as edhe PDK-në nuk e kam dëgjuar që ka thënë se pajtohen me këtë koncept të korrigjimit të kufijve. Por më me rëndësi është se si kanë filluar në të njëjtën kohë, në Serbi Vuçiqi, Vulini dhe Thaçi në Kosovë, ta përdorin këtë term të korrigjimit. Nuk e dimë as çka është diskutuar në Bruksel për këto dy takime që kanë ndodhur, këto duhet të ndërpriten sa më shpejt që është e mundshme. Kuvendi i Kosovës duhet ta ketë platformën, duhet ta mandatojë personin, ekipin negociues dhe pastaj mund të flasim për çfarëdo opsioni për të cilin Kuvendi duhet ta diskutojë.

Zëri: Përpos kësaj, tashmë edhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka thënë se do të angazhohet  për ndarjen e serbëve nga shqiptarët e Kosovës. Çfarë efektesh mund të prodhonte një skenar i tillë?  

Ahmeti: Ne si PSD nuk mund të besojmë në shtete etnike, ne besojmë në shtete qytetare. Pra si qendër e majtë duhet të fokusohemi në atë se Kosova i ka kufijtë e vet, e ka shtetin e vet dhe në asnjë mënyrë nuk mund të besojmë se në këtë shtet nuk mund të jetohet me pakica kombëtare. Pra, zgjidhja përmes kufijve etnikë asnjëherë nuk ka qenë as zgjidhje e qëndrueshme në asnjë vend dhe gjithmonë ka shkaktuar edhe efekte të tjera anësore të padëshirueshme. Pra, është tepër me rëndësi që këto aventura, këto deklarime të ndalen sa më parë, sepse Kosova ende nuk e ka as platformën e diskutimeve.

Nuk është mirë të luhet me ndjenjat e qytetarëve të Luginës

Zëri: Por a ka gjasa të ndodhë bashkimi i Luginës me Kosovën sipas juve?

Ahmeti: Gjendja faktike në terren është paksa e pafavorshme për neve dhe për t’i diskutuar këto çështje. Ne çka mendojmë se duhet të ndodhë është reciprocitet i të drejtave të shqiptarëve në Serbi me të drejtat e serbëve në Kosovë. Në qoftë se në Kosovë serbët na paskan të drejtë vetoje, kanë të drejtë Asociacionin e Komunave, që po flitet ose edhe këto që i kanë tashmë sipas Pakos së Ahtisaarit, ku mund ta bllokojnë çdo ligj të rëndësishëm në Republikën e Kosovës, atëherë nuk e kuptoj pse e njëjta nuk diskutohet për shqiptarët në Serbi. Kjo do të ishte e drejtë dhe do të nënkuptonte se si dy shtete jemi të barabarta. Është interesant se si Lugina nuk përmendet për 5-6 vjet fare, ndërsa tash për një muaj përmendet më shumë sesa për 15 vjetët e fundit. Nuk është mirë edhe të luhet me ndjenjat e njerëzve në Luginën e Preshevës dhe të lajthiten se gjoja kjo gati është punë e përfunduar. Nuk është në rregull që kryeministri të thotë që unë s’merrem me dialogun, as që disa parti opozitare nuk e marrin përgjegjësinë e vet për të thënë që kjo është çështje e rëndësishme. Pra, ky dialog është tepër i rëndësishëm, po shihet për shkak të interesimit edhe të fuqive të mëdha, të cilat po na shtyjnë drejt një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për të dyja palët. Në qoftë se po shkojmë në këtë drejtim kjo marrëveshje do të ketë pasoja shumëvjeçare.

Thaçi nuk është i autorizuar për ta drejtuar dialogun

Zëri: Në fillim të muajit shtator pritet të mbahet takimi i radhës në kuadër të fazës finale, ndërkohë që ende nuk është arritur një konsensus në mes të spektrit politik në Kosovë. A prisni që të arrihet një dakordim në mes të partive politike tash e tutje?

Ahmeti: Ne si subjekt politik kemi kërkuar nga Sekretaria dhe nga kryetari i Kuvendit që ta thërrasin mbledhjen e Kryesisë të kthehet Kuvendi nga pushimi. Presidenti Thaçi nuk është i autorizuar dhe nuk është i mandatar të flasë në emër të Kosovës për këtë dialog. Prandaj duhet ta kuptojë edhe ai, edhe Serbia që çfarëdo që Thaçi mund të ketë premtuar ajo assesi nuk e ka as garancën e implementimit e as që është qëndrim i Republikës së Kosovës. Ne u kemi bërë thirrje subjekteve që të ulemi në tavolinë, edhe këto që janë në pushtet, persona që kanë pozicione, duke përfshirë këtu presidentin Thaçi, të ulemi në tavolinë, të diskutojmë për atë se si duhet të duket ky kompromis. Ne kemi propozuar 2/3-at si mënyrë e vendimmarrjes së Kuvendit, sepse e detyron Qeverinë që të hyjë në një kompromis me partitë opozitare. Pra, i kemi kërkuar edhe LDK-së, edhe LVV-së që të na përkrahin në mbledhjen e nënshkrimeve për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme. Takimi i radhës mbahet në fillim të shtatorit, Kuvendi e ka bërë pushim deri në javën e dytë të shtatorit. E pakuptueshme.

Zëri: A mendoni që ndërprerja e pushimit do të rezultonte pozitive, me ndonjë marrëveshje, kur dihet që tash e disa muaj partitë nuk ia dolën të bien në ujdi sa i përket fazës finale?

Ahmeti: Duhet të ulemi derisa të kemi diçka. Po flasim për të ardhmen e Kosovës, për 20-30 vjetët e ardhshme, nuk jemi duke folur për sivjet. Pra, në qoftë se nuk ka ujdi të shkohet në zgjedhje, të merret mandati nga qytetarët, të dalin pastaj secili me qëndrimet e veta, por një gjë është e qartë, Kosova do të marrë pjesë në këtë dialog. Në qoftë se nuk merr pjesë Kosova dhe vazhdon kështu, atëherë Serbia e përdor këtë si alibi që “ne deshëm, këta nuk deshën, ne vazhdojmë me rrugëtimin tonë në BE”.

Zëri: Vazhdimisht potenconi që presidenti nuk e ka autorizimin e Kuvendit për ta drejtuar dialogun. Cili do të ishte personi i duhur për ta drejtuar procesin e negociatave me Serbinë?

Ahmeti: Unë vetëm në Kosovë po e shoh këtë lloj diskutimi: të diskutohet personi para se të diskutohet platforma. Pra, kur ne kemi strategji negociuese, kur ne kemi platformë, atëherë edhe vendosim se cili është personi më i duhur për ta udhëhequr atë lloj strategjie dhe atë lloj platforme. Pra, nuk mund të flasim “le të shkojë ky e mandej shikojmë se çka po diskutojmë”. Si presidentë mund të takohen, por jo si pjesë e dialogut për të diskutuar fazën e ardhshme. Ne sot nuk po e dimë as çka po diskutohet, as kush është ndërmjetësuesi, nuk po e dimë saktë. Nuk mund të shkojmë në Bruksel as pa e ditur për çka po flasim, as cilat janë temat. Pra, për atë arsye mendoj që duhet të pezullohen këto takime, të kthehemi në Kuvend, të diskutojmë mbi platformën, t’i bëjmë vijat e kuqe, ta vendosim strategjinë dhe ta vendosim ekipin negociator.

Zëri: Domethënë thoni se duhet të ndërpritet dialogu derisa të arrihet një kompromis dhe një platformë?

Ahmeti: Natyrisht.

Zëri: A jeni takuar me krerët e opozitës sa i përket kthimit të deputetëve nga pushimi në Kuvend?

Ahmeti: Dardan Sejdiu si shef i Grupit Parlamentar ka dërguar letër zyrtare te Glauk Konjufca dhe te Avdullah Hoti. Njëri ka thënë se është në pushim, se nuk ka qenë në pushim qe katër vjet, tjetri ka thënë se nuk është këndej, se nesër vjen në zyrë rreth një orë, se mund të shkoj ta shoh pak e na tregon.

Në këtë situatë të rëndësishme për Kosovën këto janë përgjigjet e dy subjekteve opozitare.

Dërgimi i draftstatutit të AKS-së direkt në Bruksel, i papranueshëm

Zëri: Meqë jemi te dialogu, dihet që Marrëveshja e Asociacionit është derivat i këtij procesi. Është bërë e ditur tashmë që ekipi menaxhues do ta dërgojë draftstatutin direkt në Bruksel pa kaluar fare në duart e Qeverisë. Si e komentoni këtë?

Ahmeti: E papranueshme, skandaloze në një vend ku pretendojmë që jemi demokraci. Ky proces është përcjellë me një jotransparencë gati neveritëse. Ne nuk e kuptojmë një dokument, i cili është vlerësuar prej Gjykatës Kushtetuese që e shkel Kushtetutën në plot pika, tash të draftohet dhe ne kemi informata që tashmë është dërguar në Bruksel. Kush e ka dërguar, me mandat të kujt, kush e ka autorizuar, për çka është dorëzuar në Bruksel, pse nuk është dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese e shumë pyetje të tjera të cilat e përcjellin këtë proces.

Zëri: Ekipi menaxhues ka njoftuar se draftstatuti do të jetë sipas Marrëveshjes së Brukselit, kundër Kushtetutës së Kosovës. A ka rrezik që të ketë AKS me kompetenca ekzekutive?

Ahmeti: Gjithmonë ka rrezik, asnjëherë nuk duhet të themi që kjo është punë e kryer, pasi nuk e dimë se çka kanë premtuar këta njerëz. Pra unë sot nuk e di zyrtarisht nga Qeveria se a është dërguar ose nuk është dërguar draftstatuti. Çka ka qenë ai afati i 4 gushtit, i cili na bëri panik se po shpallet autonomia, u rrit gjendja e gatishmërisë, nuk e di për çfarë arsye. Domethënë, duhet të na tregojnë çka është premtuar, çka është dorëzuar, nëse nuk është dorëzuar të dalin zyrtarisht të thonë që nuk ka asnjë dokument që ka shkuar në Bruksel.

 PSD-ja ofron 12 votat e deputetëve për rrëzimin e Qeverisë

Zëri: Tashmë e disa muaj ka pasur paralajmërime të vazhdueshme nga partitë opozitare për zgjedhje të parakohshme. A prisni të ketë zgjedhje këtë vit dhe a jeni të gatshëm si PSD të hyni në një proces zgjedhor?

Ahmeti: E para, kemi dëgjuar edhe ne partitë opozitare, LDK-në dhe Vetëvendosjen, të cilat kërkojnë zgjedhje. Asnjëra nuk na ka dërguar kërkesë për nënshkrime. Zgjedhjet në Kosovë mund të shkaktohen ose me dorëheqjen e Qeverisë, ose me mocionin e votëbesimit në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ku nevojiten shumica e deputetëve. Na kanë akuzuar në Kuvend se “ju po e mbani këtë Qeveri në pushtet”. Dardan Sejdiu ua ka dhënë 12 nënshkrimet në Kuvend. Edhe unë sot publikisht po e them, 12 nënshkrime i kanë, 12 vota i kanë për rrëzimin e kësaj Qeverie. Në momentin që kërkojnë nga ne, ua japim nënshkrimet. Nëse ata nuk duan ta bëjnë, le të kërkojnë nga ne, ne e nisim mocionin. Ne kemi qenë plotësisht të hapur. Si PSD po ta shikojmë vetëm interesin tonë si parti do të kishim dëshirë që të kishim edhe disa muaj përgatitje që të konsolidohemi, por interesi i Kosovës është mbi interesin e partisë. Ne mendojmë që kjo Qeveri nuk duhet të qëndrojë as edhe një ditë më.

Për një natë “Shpendi shembull” u bë “Shpendi i keq”

Zëri: Pasi keni dalë nga LVV-ja dhe jeni bërë pjesë e PSD-së keni hasur në kundërshti shpeshherë me asamblistët e LVV-së. Sa është vështirësuar puna e Kuvendit Komunal pas kësaj?

Ahmeti: Nuk është vështirësuar sepse nuk ka asnjë pikë të Kuvendit që nuk ka kaluar. Pra të gjitha pikat, të gjitha ato që ne i kemi dërguar kanë kaluar. Ajo çka është paradoks është që sulmet e LVV-së kanë qenë të përditshme në Kuvendin Komunal, ndërsa kanë qenë në qeverisje në Komunë. Unë më 4 qershor i kam dërguar ofertë LVV-së, në të cilën u kam thënë që do ta kenë numrin më të madh të drejtorive prej të gjitha subjekteve politike, 4 drejtori në qoftë se mbesin në koalicion. Dy muaj e 10 ditë nuk kam asnjë përgjigje të vetme. Sulmet vazhdojnë, çka nuk më kanë thënë. Domethënë për një natë Shpendi i Vetëvendosjes, kryetari shembull u bë Shpendi i PSD-së, i keqi, i atij, i këtij.   

Zëri: Nga LVV-ja ju kanë akuzuar edhe për uzurpim të Ndërmarrjes Publike Banesore, si e komentoni këtë?

Ahmeti: Në Ndërmarrjen Publike Banesore ka qenë një drejtor i cili ka qenë edhe anëtar, edhe kandidat për deputet i LVV-së. Kanë dalë edhe përgjimet për ndarje të lokaleve, por kryesorja ka qenë se i ka përfunduar mandati edhe Bordit, edhe drejtorit. Dhe ne kemi kërkuar që ta bëjmë përzgjedhjen e Bordit dhe të drejtorit të ri. Edhe ky drejtor mund të kandidojë dhe kam thënë që përzgjedhjen do ta bëjmë me programin e Ambasadës Britanike, me përzgjedhjen e njerëzve më të mirë, me intervista të hapura. Por nuk e kuptoj këtë siklet se për çfarë kapje po bëhet fjalë? Aty i kanë njerëzit e vet, ne po mundohemi që të bëjmë një përzgjedhje të hapur, ata neve po na akuzojnë për kapje. Çuditshëm!   

Asamblistët e LVV-së përqafoheshin me të PDK-së dhe me të LDK-së

Zëri: Keni pasur akuza edhe për bashkëpunim me PDK-në dhe me LDK-në kundër Vetëvendosjes?

Ahmeti: Vetëvendosja me LDK-në e me PDK-në na e shkarkuan aksionarin e PSD-së, me vota të tyre bashkë. Dolën para Komunës me fotografinë “Opozita e bashkuar”, u përqafshin. Tash u shkarkua aksionari i LVV-së pa votat e PDK-së dhe ata na thonë neve ju jeni me PDK-në. Edhe kjo e çuditshme. Pra shumë paradoksale kjo situata e këtyre akuzave të përditshme. Unë me të vërtetë kam bërë një ofertë të sinqertë, kam menduar dhe vazhdoj të mendoj që është e mundshme një bashkëqeverisje, sepse për mua është tepër e qartë se kush janë fajtorët dhe përgjegjësit kryesorë për gjendjen që jemi në Kosovë. Dhe atë nuk e harroj. Por për LVV-në PSD-ja është bërë problem më i madh sesa PDK-ja. Vetëm shikoni sulmet që i bëjnë përditë karshi neve të PSD-së dhe sulmet që i bëjnë karshi PDK-së e Hashim Thaçit.

Sot nisen autobusët nga Çekia

Zëri: Ka shumë premtime të fushatës që ende nuk i keni përmbushur. Autobusët e rinj ende nuk janë sjellë, pastaj ka probleme me infrastrukturën e kryeqytetit. A janë këto dështime si pasojë e një koalicioni jo të qëndrueshëm komunal, apo....?

Ahmeti: Absolutisht jo. Po flasim për 100 zotimet që i kam bërë në fushatë, të gjitha janë në orar. Autobusët nuk janë pjesë e 100 premtimeve. Përndryshe, të enjten nisen autobusët prej Çekisë dhe besoj që brenda katër ditësh i kemi këtu. Pra të gjitha ato çka i kemi thënë shkojnë një nga një. Ne sot jemi 7 muaj të mandatit të dytë, kemi katër vjet mandat. Çdo gjë është duke shkuar sipas planeve që kemi pasur, pavarësisht sulmeve që bëjnë. E kuptoj se problemin po e them edhe një herë që e kanë më shumë me PSD-në sesa me PDK-në, por nuk do të na ndalin edhe nëse nuk ka ndryshuar. Atëherë cili është problemi i LVV-së, a po thonë programi, programi, ja ku është programi. Nëse nuk ka ndryshuar programi, çka paska ndryshuar? Jo domethënë, ka ndryshuar fakti që nuk kemi duruar një qasje jodemokratike në një subjekt dhe thjesht kemi vendosur që t’i ndajmë rrugët. Kjo është krejt normale dhe po e them edhe një herë që rrugët ndahen, dikur mund të ketë edhe bashkëpunim, por nuk po duan të lënë derë për bashkëpunim me këto sulmet që po i bëjnë të përditshme.

Zëri: Z. Ahmeti, a do të kandidoni sërish për kryetar të Prishtinës në momentin që do të mbahen zgjedhjet lokale?

Ahmeti: Është muaji i shtatë i mandatit të dytë, kemi shumë çështje tjera që duhet t’i diskutojmë. Për çështjen e zgjedhjeve besoj që do të kemi plot e plot raste që të diskutojmë në të ardhmen.

Zëri: Domethënë ende nuk keni vendosur?

Ahmeti: Momentalisht jam për jo, por shumë herët është që të diskutojmë për zgjedhje.