"Thaçi po luan lojë të rrezikshme"

Aktuale August 14, 2018 - 10:31
Lexo detajet

Sikurse dy takimet e kaluara, edhe takimi i cili pritet të mbahet në fillim të shtatorit të këtij viti në Bruksel në kuadër të fazës finale të dialogut pritet ta gjejë palën kosovare pa një konsensus nacional, shkruan "Zëri.info".

Partitë opozitare po vazhdojnë të jenë kundër formatit aktual të dialogut dhe të mos e pranojnë presidentin Hashim Thaçi për udhëheqës të këtij procesi.

Pavarësisht se kreu i shtetit edhe një herë gjatë ditës së djeshme deklaroi se ideja e bashkimit të Luginës me Kosovën duhet ta bashkojë spektrin politik, opozitarët thonë se presidenti aktual është duke luajtur një lojë të rrezikshme me çështjen e territoreve. 

Deputetja e Alternativës Mimoza Kusari-Lila ka vlerësuar se nuk do të ketë një dakordim të partive politike rreth negociatave me Serbinë.

“Thaçi është duke luajtur me një lojë të rrezikshme me procese të cilat mund të kenë ndikim jo vetëm në Kosovë, por në gjithë rajonin. Prandaj nuk pres asnjë rezultat dhe nuk pres një strukturë të takimit në muajin shtator, duke e ditur që ka ndodhur një çakordim i agjendës së dialogut”, ka deklaruar ajo për "Zërin".

Aktualisht sipas Kusari-Lilës ka dy grupe në këtë proces, ku në njërën anë bën pjesë presidenti Thaçi bashkë me homologun e tij serb Aleksandër Vuçiq. “Fatkeqësisht ne tash kemi një ndarje, ku në njërën anë janë Vuçiqi, Thaçi dhe Daçiqi me idenë e tyre për korrigjim të kufijve dhe në anën tjetër është spektri politik i Kosovës, duke përfshirë edhe një numër të konsiderueshëm të serbëve të Kosovës”, ka potencuar ajo. /Zëri