Kufijtë që rrezikojnë Ballkanin

Aktuale August 13, 2018 - 07:49
Lexo tjera detaje

Qëndrimet e dy presidenteve, atij të Kosovës Hashim Thaçit dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq, për korrigjimin e vijës kufitare, mbi çështjen e Luginës së Preshevës e mbi veriun e Kosovës po vlerësohen si tejet të rrezikshme. Njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se realizimi i ideve të tilla rrezikon tërë Ballkanin, jo vetëm dy palët e përfshira në negociata, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Deklarimet e dy udhëheqësve të dialogut, të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe të atij të Serbisë Aleksandër Vuçiq, se në fazën finale të dialogut do të diskutohet mbi korrigjimin e kufijve, mbi çështjen e Luginës së Preshevës e mbi veriun e Kosovës po vlerësohen si tejet të rrezikshme.

Njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se realizimi i ideve të tilla rrezikon tërë Ballkanin, jo vetëm dy palët e përfshira në negociata. Në anën tjetër, politikani serb në Kosovë Nenad Rashiq gjatë një bisede për “Zërin” ka vlerësuar se me propozime të tilla dy presidentët vetëm po hedhin mjegull tek opinioni publik. Sipas tij, në fund të negociatave do të arrihet një marrëveshje, e cila nuk do të rezultojë as me ndarje e as me korrigjim të kufijve. Arsyeja e tërë kësaj “loje” sipas Rashiq po bëhet që të dy protagonistët e dialogut në fund të dalin “shpëtimtarë” të popujve të tyre. Në anën tjetër, pavarësisht se takimi i radhës mes dy presidentëve do të mbahet në muajin e ardhshëm (shtator), përfaqësuesit e opozitës po vazhdojnë ta kundërshtojnë Thaçin për kryenegociator. Pos që nuk po rreshtin së kundërshtuari, opozitarët po i cilësojnë qesharake deklarimet e kreut të shtetit të Kosovës mbi opsionin e korrigjimit të kufijve.

Kollçaku: Çështjet e brendshme të Kosovës s’duhet të diskutohen me Serbinë

Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, ka thënë se Thaçi nuk ka kurrfarë autorizimi që të diskutojë me Serbinë në kuadër të dialogut, aq më tepër të diskutojë për çështje të kufijve. “Kushdo që pretendon që ka autorizim për të diskutuar e ka gabim, sepse ai nuk është dekretuar nga Kuvendi, aq më pak ta përmendë çështjen e kufijve. Nuk duhet të diskutohet për çështje të brendshme të Kosovës me Beogradin”, ka nënvizuar ajo. Sipas Kollçakut, së pari duhet të bëhet një rivlerësim i tërë procesit të dialogut për periudhën 2011-2017, në mënyrë që të mundë të vazhdohet më tutje.  “Kosova vetëm regres ka shënuar vazhdimisht. Vetëm Kuvendi ka të drejtë ta mandatojë këdo dhe assesi nuk duhet të bëhet fjalë të flitet për integritetin dhe sovranitetin e vendit, ku në asnjë rast nuk guxon të cenohet ai”, ka shtuar ajo.

Sejdiu: Deklarimet e Thaçit, qesharake

Ndërkaq shefi i Grupit Parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu, i ka cilësuar qesharake deklaratat e fundit të presidentit të Kosovës lidhur me korrigjimin e kufijve me Serbinë. Në një prononcim për “Zërin” Sejdiu ka thënë se askush nuk mund të bëjë lojë me territorin e Kosovës, në këtë rast as kreu i shtetit.

“Ato çka i flet presidenti i Republikës janë qesharake. Ne kemi thënë disa herë që ai nuk ka as legjitimitet dhe në fakt po flet për gjëra që janë të sanksionuara edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Pra, territori i kësaj republike nuk është pronë e presidentit dhe nuk është çështje që asnjë president të mundë të luajë”, ka deklaruar ai.

Sipas Sejdiut, çështja e dialogut me Serbinë duhet të diskutohet në Kuvendin e Kosovës dhe pikërisht aty, siç ai është shprehur, të vendoset edhe mbi platformën e ekipit negociues. “Ajo çka kemi propozuar si PSD është rruga e vetme për të ecur përpara. Pra, Kuvendi duhet me 2/3-at e votave ta ndërtojë një platformë. Gjithashtu Kuvendi duhet me 2/3-at e votave ta miratojë një ekip, të krijohet një komision në Kuvend, i cili do ta bëjë mbikëqyrjen edhe të dialogut, edhe të ekipit, por edhe mbi atë se a po mirëmbahet qëndrimi i platformës”, ka theksuar ai, duke shtuar se edhe marrëveshja finale do të duhej të kalonte në Kuvend me 2/3 e votave të deputetëve.

Rashiq: Synim i Thaçit e i Vuçiqit, të shpallen shpëtues të popujve

Në anën tjetër, teksa ka komentuar idetë mbi korrigjimin e kufijve ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Nenad Rashiq ka vlerësuar se propozimet e tilla janë tejet të rrezikshme. “Termat mbi ndarjen, korrigjimin ose ndryshimin e kufijve paraqesin idenë më të keqe prej të gjitha ideve që janë të këqija. Në këtë rast cilado ndarje, cilido korrigjim, cilado formë tjetër që mund ta përdorin dy presidentët është ide absolutisht e keqe për disa arsye”, ka deklaruar Rashiq gjatë një bisede për “Zërin”. Po të kishte korrigjim të kufijve, sipas tij, do të rrezikohej i tërë Ballkani, jo vetëm dy palët e përfshira.

“Unë jam i sigurt se evropianët nuk do ta lejojnë një gjë të tillë, sepse në Ballkan asnjëherë në histori nuk ka pasur ndarje që ka qenë paqësore”, ka shtuar kryetari i Partisë Demokratike Progresive. Deklaratat e dy presidentëve për ndarje ose korrigjim të kufijve, sipas Rashiq, paraqesin më shumë mjegull sesa që mund të bëhen me të vërtetë faktike. “Jam i sigurt që të dytë na shesin mjegull, nuk ka kurrfarë iniciative konkrete që mund të rezultonte me marrëveshje. Por po na shesin mjegull ku në fund do të dalë një marrëveshje tjetër, që me siguri nuk do të ketë ndarje e as korrigjim të kufijve”, ka theksuar ai.

Këto paralajmërime, vlerëson Rashiq, paraqesin ngritje të panevojshme të tensioneve, me qëllim që dy kryenegociatorët të bëhen “shpëtues” të popujve. “Kjo është arsyeja pse ata rrisin tensionet, sepse duhet dikush të shpallet ‘shpëtues’ i popujve. Në këtë rast besoj nuk ka kurrfarë nevoje të ngrihen tensionet për promovimin e tyre personal. Kjo shkon në dëm të qytetarëve dhe kjo që po bëjnë ata nuk është aspak etike”, ka potencuar ai.

Kurse njohësi i çështjeve politike Haki Abazi ka vlerësuar se ajo që në vazhdimësi është ndërtuar qysh prej fillimit të dialogut e ka mbërritur pikën që sot po përkufizohet si korrigjim i kufijve. “Në fakt nuk është asgjë tjetër përveçse fazë tjetër e sabotimit të shtetësisë së Kosovës dhe sjelljes së një situate ku bashkësia ndërkombëtare dhe të gjitha ato shtete që na kanë njohur si shtet të vënë në pikëpyetje ekzistencën e vetë shtetit të Kosovës”, është shprehur ai. Sipas tij, një gjë e tillë po ndodh për interesa personale të dy presidentëve, atij të Kosovës dhe atij të Serbisë.  Por një gjë e tillë, siç vlerëson Abazi, është tejet e rrezikshme jo vetëm për Kosovën, por edhe më gjerë. “Unë mendoj që kjo është lojë e rrezikshme sidomos nëse ngrihemi në nivelin gjeopolitik të Ballkanit. Çfarë tregohet edhe tani nëse duam të lexojmë përtej deklarimeve që bëhen në Beograd dhe në Prishtinë nga të dy presidentët, këto janë deklarata absolutisht boshe, të parealizueshme”, ka shtuar ai. Por sipas tij lidhur me këto ide momentalisht ekziston kundërshtimi i SHBA-së, i Gjermanisë dhe i Britanisë së Madhe e që sipas tij janë kategorike kundër çfarëdo prekjeje të kufijve në Ballkan./ZËRI