Murati: Ndryshimi i kufijve nuk sjell luftë por vendos themelet e paqes mes Kosovës dhe Serbisë

Aktuale August 12, 2018 - 22:28
Lexo detajet

Kryetari i Lidhjes për Bashkim, Valon Murati përmes një postimi në “Facebook”, ka thënë se vazhdimisht është i çuditur nga pohimet absurde se ndryshimi i kufijve nënkupton luftë, raporton “Zëri.info”.

Sipas Muratit me këto deklarata po tentohet krijimi i një paniku në opinionin publik.

Ai tutje ka thënë se ndryshimi i kufijve duhet të bëhet me bekim ndërkombëtar dhe kjo do të sillte paqe mës shqiptarëve dhe serbëve.

Ja postimi i plotë i tij:

Këto ditë nuk po pushoj së çudituri nga pohime absurde se ndryshimi i kufijve nënkupton luftë. Kështu po duan të tmerrojnë njerëzit e të krijojnë panik në opinionin publik se mund të kemi luftë dhe mund të destabilizojmë krejt Ballkanin. E vërteta është se nëse ndryshohen kufijtë, kjo mund të bëhet vetëm me marrëveshje dhe me bekimin ndërkombëtar. Dhe në këto rrethana, jo që do të ketë luftë, por do të vendosen themele serioze të paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë, në mes të shqiptarëve dhe serbëve. Ata që po i fryjnë frikës së një lufte të re nëse preken kufijtë, janë kryesisht ata që kanë investuar apo vetë janë produkt i investimit të konceptit multi-etnik të Kosovës (me mbi 92% shqiptarë!!!), si rrjedhim ata që kanë qenë pjesë e projektit të Kosovës ahtisariane (me pavarësi nga jashtë por jofunksionale brenda) dhe të krijimit të “njeriut të ri” – kosovarit ahtisarian, por edhe të tjerë naivë e ekzibicionistë medial e politik. /ZERI