Plani i Kadri Veselit për ''Mitrovicën e Re''
Tema e Dialogut Kosovë-Serbi, ditëve të fundit, ka prodhuar një debat të nxehtë në opinion, pas raportimeve dhe deklarimeve të ndryshme për mundësinë e ndarjes së Kosovës dhe shkëmbimin e territoreve.
Shqetësimi më i madh është ai që Serbia do të tentojë që kufirin ta vendosë në lumin Ibër.
Por, këto teori duket se nuk ekzistojnë për Kadri Veselin.
Lideri i PDK-së, siç mëson RTK, ka ideuar një plan për investime të mëdha në Mitrovicë – të cilat do të shtrihen në të dyja anët e Lumit Ibër.
Televizioni ka siguruar një projekt, i cili quhet “Mitrovica e Re”, dhe që burimet thonë se është i menduar muaj më parë nga Kadri Veseli.
Ky plan parasheh renovimin e tërësishëm të Stadiumit “Adem Jashari”, zgjerimin e parkingut të tij, ndërtimin e një Aqua-Parku përreth kësaj hapësire, si dhe ndërtimin e objekteve kolektive të banimit përreth Liqenit Artificial.
Por, pjesa më ambicioze e këtij plani të ideuar nga Veseli – kalon përtej Lumit Ibër, i cili mund të nxisë reagime nga Serbia.
Në fshatrat Suhodoll, Gushavc dhe Vinarc, përskaj Lumit Ibër, por edhe në thellësi të tyre, parashihet të ndërtohen objekte të larta banimi, nga 3 deri në 7 kate.
Gjithashtu, në këtë hapësirë, pritet të ndërtohen edhe shkolla, terren sportive dhe qendra mjekësore.
Projekti parasheh edhe rregullimin e shtratit të Lumit Ibër dhe hapësirës për këmbësorë dhe biçikleta.
Në njërën anë, ky projekt shtrihet nga Mitrovica – te Mëhalla e Boshnjakëve e Zveçan, dhe në anën tjetër vazhdon deri në Zupç e Koshtovë.
Në mënyrë që ky plan të realizohet, e gjithë zona duhet të shpallet Zonë për Ndërtim të Lartë.
Ky projekt do të prezantohet nga Partia Demokratike e Kosovës në Kuvendin Komunal të Mitrovicës.
Te enjten, Veseli ka vizituar Stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, ku edhe ka prezantuar projektin për renovimin e tërësishëm të tij.
Veseli përsëriti qëndrimin e tij se nuk do të ketë ndarje të Kosovës.