LDK: Thaçi ka hyrë në aventura të rrezikshme

Aktuale August 10, 2018 - 10:16
Lexo detajet

Deklaratat e presidentit Hashim Thaçi për bashkim të Luginës së Preshevës me Kosovën, si dhe paralajmërimet e tij për organizim të referendumit për këtë çështje po vlerësohen si manipulime. Opozita dhe shoqëria civile thonë se këto deklarata kreu i shtetit po i bën për t’i arsyetuar koncesionet që do të bëhen në kuadër të dialogut, shkruan gazeta "Zeri".

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Driton Selmanaj ka thënë se ka disa ditë që presidenti i vendit po thotë fjalë të papërgjegjshme, të pamatura dhe po krijon përshtypjen sikur po vepron me agjenda të dikujt tjetër, jo në interesa të mbrojtjes së sovranitetit të shtetit të Kosovës.

“Ne jo vetëm që nuk kemi ligj për referendumin, por kemi edhe një nen në kuadër të Kushtetutës, i cili ia ndalon Kosovës të ketë pretendime territoriale ndaj një shteti fqinj ose t’i bashkohet ndonjë shteti fqinj. Sjellja e tij sikur dëshmon që Thaçi ka hyrë në aventura të rrezikshme, të paparashikueshme”, ka deklaruar ai teksa ka komentuar paralajmërimin e Thaçit për referendum.

LEXO EDHE: Manipulimet e Thaçit me Luginën e Preshevës

Me qasjen aktuale, sipas Selmanajt, kreu i shtetit e ka humbur totalisht logjikën.

“Qasja e tij qoftë për referendumin, qoftë për korrigjim të kufijve, qoftë për shkëmbim territoresh, tregojnë që Thaçi ka humbur arsyen, ka humbur logjikën që ai duhet të jetë mbrojtës i sovranitetit të vendit dhe nga ai pozicion në vend se t’i mbrojë interesat e shtetit të Kosovës ka filluar të shndërrohet në kërcënuesin më të madh të shtetit të Kosovës”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, paralajmërimet e Thaçit se çështja e Luginës (bashkimi i saj me Kosovën) do të diskutohet në Bruksel Selmanaj i ka cilësuar si të rrezikshme për shtetin e Kosovës.  

“Kjo është aventurë e tij personale, por shumë e rrezikshme për vendin. Krejt këto deklarata të tij nuk janë në shërbim të agjendës sonë shtetërore”, ka theksuar ai.

Thaçi sipas deputetit të LDK-së me ose pa vetëdije është futur në aventura e të cilat, siç ai është shprehur, më tepër janë në funksion të interesave të Serbisë sesa të Kosovës. /ZERI