E PLOTËSUAR- Kamberi: Zgjidhja parciale për Luginën sjell tragjedi

Aktuale August 09, 2018 - 07:54
Lexo tjera detaje

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ka treguar se si ka lindur ideja për shkëmbimin e territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë, për kërkesat politike të shqiptarëve të Luginës, për ekspertët ndërkombëtarë të cilët i ka angazhuar Serbia për t’i bërë “llogaritë” rreth skenarëve të mundshëm, etj.

Ideja për shkëmbimin e territoreve mes Serbisë dhe Kosovës ka ardhur pas një raporti të Fondacionit për Shoqëri të Hapur, në të cilin jepet oferta për shkëmbimin e Preshevës me katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, shkruan sot "Gazeta Zëri".

Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, i cili beson se një raport i tillë është sponsorizuar nga vetë kreu shtetëror në Beograd.

Kamberi, i cili më herët ka qenë deputet në Parlamentin e Serbisë dhe ku kishte pasur përplasje të ashpra në legjislativ në atë kohë me ish-kryeministrin Aleksandër Vuçiq, tashmë president i Serbisë, thotë se Lugina e Preshevës nuk është vetëm Presheva e aq më pak disa vendbanime kufitare në ish-Zonën Tokësore të Sigurisë, por përfshinë tri komunat: Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin me 1264 kilometra katrorë.

I pari i Bujanocit insiston se çdo zgjidhje parciale për Luginën e Preshevës do të sjellë tragjedi humanitare. Gjatë intervistës për “Zërin” Kamberi ka shtuar se Lugina e Preshevës nuk kërkon kurrfarë zgjidhje, e cila cenon integritetin territorial të Kosovës e as Kosova për hatër të Luginës të heqë dorë nga ndonjë prej kërkesave të saj karshi Serbisë.

“Ne po flasim për deklarimin e shqiptarëve të këtij rajoni në Referendumin e vitit 1992, në të cilin jemi deklaruar për të drejtën e bashkëngjitjes me Kosovën. Pra, një kërkesë e shtruar në mënyrë plebishitare para se të krijohet situata aktuale në veri të Kosovës”, ka thënë ai.

Sipas Kamberit, Serbia ka angazhuar edhe ekspertë të jashtëm për t’i bërë “llogaritë” e skenarëve të zgjidhjeve të mundshme të çështjes së Kosovës. “Siç e thashë edhe më lart, ne nuk kërkojmë kurrfarë flijimi që Kosova duhet të bëjë për dëshirat tona, ne kërkojmë që e drejta e shprehur nga popullata shqiptare të gjendet në tavolinën e bisedimeve në Bruksel”, ka pohuar mes tjerash Kamberi në intervistën për “Zërin”.

Zëri: Tashmë ka filluar faza finale e dialogut të Brukselit në mes të Kosovës dhe Serbisë. Cilat janë pritjet tuaja për këtë proces?

Kamberi: Një proces i rëndësishëm, i cili duhet t’i rregullojë raportet Kosovë - Serbi, një proces që përfundimisht duhet ta stabilizojë Ballkanin Perëndimor, një proces i cili duhet të japë përgjigje edhe për të drejtat ose për statusin politik të shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Konsideroj se përfundimi i këtij procesi dhe vetë paqja që duhet të sjellë nuk do të jenë të plotë pa çështjen e Luginës së Preshevës. Ditët e shkuara ne kemi pasur takime të rëndësishme në Kosovë, kemi marrë premtime nga vetë presidenti Thaçi se çështja e Luginës së Preshevës do të jetë në tavolinë në Bruksel.

Përjashtimi i Luginës, gjenerim i jostabilitetit

Zëri: A prisni që në kuadër të këtij procesi të bisedohet edhe për çështjen e Luginës së Preshevës, pasi një kërkesë të tillë përfaqësuesit politikë nga Lugina e kanë pasur qëmoti, por është shpërfillur nga palët në dialog?

Kamberi: Po. Lugina e Preshevës është shpërfillur në procesin e Rambujesë dhe të Parisit, ashtu siç nuk është përfshirë në procesin e Vjenës. Tash kur duhet të mbyllet dosja e Ballkanit ose e raporteve Kosovë - Serbi Lugina e Preshevës duhet patjetër të trajtohet në mënyrë meritore. Përjashtimi i saj eventual edhe kësaj radhe nga marrëveshja e pritur finale do të thotë që edhe më tej do të ekzistojë një vatër, e cila do të gjenerojë jostabilitet në raportet ndërshtetërore Kosovë – Serbi.

Zëri: Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi së fundmi po flet për korrigjimin e kufijve me Serbinë dhe sipas tij Presheva, Medvegja e Bujanoci t’i bashkohen Kosovës. A prisni një gjë e tillë të ndodhë?

Kamberi: Optimizmin të cilin po e shpreh hapur presidenti jep shpresë se Lugina e Preshevës do të jetë pjesë e bisedimeve në Bruksel. Do të trajtohet ajo si çështje të drejtash ose territoresh, për këtë më kompetent është të deklarohet lidershipi i Kosovës.

Raporti i Fondacionit për Shoqëri të Hapur flet për shkëmbimin e Preshevës me veriun

Zëri: Ju keni qenë deputet në Parlamentin e Serbisë dhe qe një kohë të gjatë jeni i përfshirë në procese të ndryshme politike atje. A mendoni se Serbia do të pranojë që Lugina e Preshevës t’i bashkëngjitet Kosovës?

Kamberi: Në një raport të Fondacionit për Shoqëri të Hapur, i cili besoj të jetë i sponsorizuar edhe nga vetë kreu shtetëror në Serbi, është dhënë oferta e shkëmbimit të Preshevës me katër komunat në veri të Kosovës. Ministri aktual serb Ivica Daçiq flet për “ripërkufizimin historik” me shqiptarët. Por oferta, në këtë formë, serbe kurrsesi nuk do të pranohet nga ne e besoj edhe nga lidershipi kosovar. Lugina e Preshevës nuk është vetëm Presheva, e aq më pak vetëm disa vendbanime kufitare në ish-Zonën Tokësore të Sigurisë. Lugina e Preshevës përfshinë tri komunat: Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën me 1264 km² dhe mund të trajtohet vetëm si e tillë.

Takimi me ambasadorin amerikan, javën tjetër

Zëri: Po flitet se edhe faktori ndërkombëtar po e përkrah idenë që veriu i Kosovës t’i jepet Serbisë ndërsa Presheva e disa fshatra të Bujanocit t’i bashkëngjiten Kosovës. A është e pranueshme një gjë e tillë për faktorin politik shqiptar në Luginë të Preshevës?

Kamberi: Ne akoma nuk kemi ndonjë deklarim decidiv të faktorit ndërkombëtar. Javën që vjen do të kemi një takim me ambasadorin e SHBA-së në Beograd, besoj do të kemi një qëndrim të shprehur. Por të jemi të qartë, Lugina e Preshevës nuk kërkon kurrfarë zgjidhje e cila cenon integritetin territorial të Kosovës e as Kosova për hatër të saj të heqë dorë nga ndonjë prej kërkesave të saj karshi Serbisë. Ne po flasim për deklarimin e shqiptarëve të këtij rajoni në Referendumin e vitit 1992, në të cilin jemi deklaruar për të drejtën e bashkëngjitjes me Kosovën. Pra një kërkesë e shtruar në mënyrë plebishitare para se të krijohet situata aktuale në veri të Kosovës.

Serbia ka angazhuar ekspertë të jashtëm, të angazhojë edhe Kosova

Zëri: A është më e favorshme për Kosovën ta japë veriun, duke përfshirë edhe liqenin e Ujmanit (Gazivodës), një pjesë të “Trepçës”, ndërsa ta marrë një pjesë të Luginës pa hekurudhën dhe pa Korridorin 10, i cili e lidh Serbinë me Maqedonisë e Greqinë?

Kamberi: Kam parë që Serbia ka angazhuar edhe ekspertë të jashtëm për t’i bërë “llogaritë” e skenarëve të zgjidhjeve të mundshme të çështjes së Kosovës. Mendoj se edhe Kosova ndoshta ka ose duhet të ketë diçka të ngjashme. Është Kosova ajo që duhet t’i bëjë llogaritë e sakta të vijave të saj të kuqe. Siç e thashë edhe më lart, ne nuk kërkojmë kurrfarë flijimi që Kosova duhet të bëjë për dëshirat tona, ne kërkojmë që e drejta e shprehur nga popullata shqiptare të gjendet në tavolinën e bisedimeve në Bruksel.

Serbia kreu spastrim etnik në Medvegjë

Zëri: Nga ky korrigjim i kufijve a mund të mbetej jashtë Medvegja, pasi atje serbët udhëheqin me komunën?

Kamberi: Cilado zgjidhje parciale për Luginën e Preshevës do të sjellë tragjedi humanitare. Medvegja është pjesë e trungut etnik shqiptar dhe pjesë e pandashme e Luginës së Preshevës. Vetë Serbia kur më 2001-n kishte aprovuar “Programin për zgjidhjen e krizës në komunat Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë” e ka pranuar një fakt të këtillë. Dominimi politik i serbëve në Medvegjë vjen edhe për shkak të faktit se atje është kryer një spastrim etnik. Kjo na jep të drejtë legjitime që ta konsiderojmë Medvegjën pjesë të Luginës së Preshevës.

Zëri: Derisa po flitet për shkëmbim të territoreve, a është unik spektri politik në Luginë të Preshevës kur dihet se subjekte të ndryshme shqiptare qeverisin me këto komuna?

Kamberi: Sikurse në hapësirat tjera shqiptare edhe te ne ka diversitet politik, i cili sjell rivalitete, por besoj këto rivalitete kufizohen në luftën për qeverisje lokale. Për këto çështje në kemi dëshmuar shumë herë që kemi unitet. Deklarata e fundit politike, e aprovuar më 14 korrik të këtij viti, është shembull që dëshmon atë.

Zëri: Ditë më parë keni takuar presidentin e Kosovës Hashim Thaçin. Çka konkretisht biseduat me të?

Kamberi: Ne ia prezantuam presidentit deklaratën politike të aprovuar nga Kuvendi i këshilltarëve me kërkesën konkrete që Lugina e Preshevës të shtrohet si temë edhe në Bruksel. Ashtu siç u deklarua edhe vetë para medieve, presidenti na premtoi që kemi mbështetjen e tij dhe të institucioneve të Kosovës për këto kërkesa.

Kurti mbështet kërkesën e shqiptarëve nga Referendumi i vitit 1992

Zëri: Këto ditë keni takuar edhe liderin e opozitës Albin Kurtin. A e përkrah Kurti këtë iniciativë të Thaçit?

Kamberi: Nuk është asgjë e re kur thuhet se në mes tyre ka dallime të shumta në mendime. Por, zoti Kurti pavarësisht se mendon që “korrigjimi i kufijve dhe ndarja e Kosovës nuk janë rrugë që ofrojnë zgjidhje, pa kurrfarë rezerve mbështet kërkesën e shqiptarëve nga Referendumi i vitit 1992.

Zëri: Keni takuar ambasadorët e SHBA-së e të BE-së të akredituar në Serbi. A e përkrahin ata idenë e shkëmbimit të territoreve?

Kamberi: Me ambasadorin e SHBA-së do të kemi takim javën tjetër, sa u përket përfaqësuesve të tjerë ndërkombëtarë dhe për shkak të pushimeve verore presim që takimet me ta të mbahen në fillim të shtatorit.

Serbia synon ndarjen e Kosovës ose Asociacion me kompetenca ekzekutive

Zëri: Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq ka paralajmëruar se në shtator do të dalë me një propozim konkret për Kosovën. Cili mund të jetë ky propozim?

Kamberi: Presidenti i Serbisë ka zgjedhur mënyrën e tillë me melodramë që të vërtetën për Kosovën t’ua tregojë serbëve. Ai paralajmëron “zgjidhje të rëndë”, aspak të “këndshme për Serbët”, se do të ishte i kënaqur qoftë edhe nëse “një metër e territorit të Kosovës e shpëton”, por pa dyshim ai dhe mbarë Serbia synojnë ndarjen e Kosovës ose Asociacionin me kompetenca ekzekutive.

Zëri: Kërkesa e serbëve të Kosovës është të themelohet Asociacioni me kompetenca ekzekutive. Si një jurist me profesion, a do ta defunksionalizojë një Asociacion i tillë në të ardhmen shtetin e Kosovës?

Kamberi: Kompetencat ekzekutive dhe vëllimi që ato mund të kenë patjetër që do ta defunksionalizojnë mbarë sistemin në Kosovë, ky është edhe njëri ndër synimet e Serbisë. Prandaj kujdesi maksimal besoj dhe do të jetë në anën e bashkëbiseduesve kosovarë.

Zëri: Serbia ka ecur më shpejt se shumica e vendeve të rajonit në rrugën drejt anëtarësimit në BE, përderisa shqiptarët ankohen se diskriminohen rëndë si komunitet nga institucionet qendrore në Beograd. A po i “mbyll sytë” BE-ja karshi Serbisë?

Kamberi: Po, ne në bazë të rrjedhave të përgjithshme dhe kapërcimit të Serbisë nëpër kapitujt e bisedimeve me BE-në, sidomos kur kemi të bëjmë me kapitullin 23 dhe 24, kemi krijuar përshtypjen se BE-ja disi me lehtësira të shumta po e trajton Serbinë. Nuk është rasti i parë kur bashkësia ndërkombëtare të veprojë sipas prioriteteve politike e sa i përket Serbisë duket se prioritet janë bisedat me Kosovën, kurrsesi të drejtat e pakicave. Në anën tjetër, Serbia në asnjë fazë që nga përfundimi i luftës së UÇPMB-së nuk ka treguar vullnet politik për t’i zgjidhur kërkesat legjitime të shqiptarëve. Ne kemi arritur që në këtë periudhë ta “detyrojmë” Serbinë t’i nënshkruajë tri marrëveshje me shqiptarët edhe atë të verifikuara nga faktori ndërkombëtar. Të tria këto marrëveshje Serbia nuk i ka realizuar, edhe atë në sytë e faktorit ndërkombëtar.

Në të gjitha sferat diskriminohen shqiptarët në Serbi

Zëri: Në cilat fusha konkretisht diskriminohet komuniteti shqiptar në Serbi?

Kamberi: Në të gjithë sferat e jetës. Do të kisha veçuar refuzimin e vazhdueshëm të Serbisë për të përmirësuar strukturën etnike të të punësuarve nëpër institucionet shtetërore dhe publike që veprojnë në komunat tona, edhe pse ky është një obligim kushtetues. Diskriminimi në arsim, në kulturë, në përdorim zyrtar të gjuhës në nivel të organeve shtetërore, në prezencën e vazhdueshme të forcave të sigurisë, në bllokim të procesit të privatizimit dhe “ndalesa” faktike që u bëhet kompanive shqiptare për t’i blerë pasuritë shtetërore, si dhe në shumë sfera të tjera. Kjo situatë shkakton një gjendje të pashpresë, e cila po shkakton largimin e rinisë sonë në drejtim të Evropës./ZËRI