Ideja antikushtetuese e Thaçit

Aktuale August 07, 2018 - 07:50
Lexo detajet

Ideja e presidentit Hashim Thaçi për “korrigjim” të kufijve është në kundërshtim me Nenin 1 të Kushtetutës së Kosovës, i cili thotë se Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj shteteve të tjera. Në Zyrën e Presidentit thonë se është e qartë se nëse arrihet marrëveshje që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës, atëherë duhet të ndryshohet Kushtetuta, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Kërkesa e presidentit të Kosovës Hashim Thaçit për “korrigjim” të kufijve është në kundërshtim me Nenin e parë të Kushtetutës së vendit.

Madje kjo përveç nga juristët konfirmohet edhe nga vetë Zyra e Presidentit.

Por derisa juristët thonë se kjo është një ide e rrezikshme, pasi sipas tyre dobëson edhe pozitën negociuese të Kosovës, Zyra e Presidentit thotë se në rast se arrihet marrëveshja me Serbinë në përputhje me opsionin për korrigjim të kufijve, që do të mundësonte bashkimin e Preshevës, të Bujanocit dhe të Medvegjës me Kosovën, atëherë duhet të ndryshohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

Bekim Çollaku, këshilltar i presidenti të vendit, ka thënë për gazetën “Zëri’ se është e qartë se ndryshimi i kufijve është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit dhe se nëse arrihet marrëveshja që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës, atëherë duhet të ndryshohet Kushtetuta.

“Secili që di shkrim dhe lexim e ka të qartë një gjë të tillë. Gjithashtu secili që ka njohuri elementare e ka të qartë se Kushtetuta e Republikës së Kosovës duhet të ndryshohet në rast se arrihet një marrëveshje e tillë paqësore. Pra, gjërat janë të qarta. Në rast se arrihet marrëveshja me Serbinë në përputhje me opsionin për korrigjim të kufijve, i cili mundëson bashkëngjitjen e Preshevës, të Bujanocit dhe të Medvegjës me Kosovën, atëherë duhet të ndryshohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës në përputhje me këtë marrëveshje”, është shprehur Çollaku.

Por, sipas tij, ndryshimi i Kushtetutës nuk paraqet asnjë problem.

“Ndryshimi i Kushtetutës nuk paraqet asnjë problem, sepse që nga shpallja e Pavarësisë e deri më sot Kushtetuta e Republikës së Kosovës është ndryshuar disa herë edhe për çështje shumë më pak të rëndësishme. Pra, ndryshimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës për të mundësuar bashkimin e Preshevës, të Bujanovcit dhe të Medvegjës me Kosovën mund të konsiderohet problemi më i vogël në kuadër të procesit të dialogut”, ka shtuar Çollaku.

Sejdiu: Deklaratat e tilla e dobësojnë pozitën negociuese të Kosovës

Në anën tjetër, anëtari i Komisionit Parlamentar për Legjislacion, Korab Sejdiu, ka thënë se presidenti Hashim Thaçi po jep deklarata skandaloze, të cilat sipas Sejidut e dobësojnë pozicionin negociues të Kosovës.

“Fatkeqësisht jemi dëshmitarë të një mori deklaratash skandaloze të bëra nga presidenti Thaçi, veçanërisht kohëve të fundit, duke përfshirë këtu edhe atë lidhur me nevojën për korrigjim të kufijve. Nuk është e qartë pse presidenti Thaçi po lëshohet në këto aventura kohëve të fundit, por çka dihet është se tezat e tilla vetëm sa shqetësojnë qytetarët tanë, që ende vuajnë nga traumat e luftës, nxisin tensione, dobësojnë pozitën negociuese të Kosovës karshi Serbisë dhe dëmtojnë edhe atë pak shtetësi që jemi munduar ta ndërtojmë këtë dekadën e fundit”, ka vlerësuar Sejdiu.

Ai më tej ka thënë se është më se e qartë se asnjë ndryshim i kufijve ekzistues nuk mund të bëhet pa ndryshime kushtetuese dhe çfarëdo marrëveshje që mund të ketë nënshkruar ose që mund ta nënshkruajë presidenti Thaçi, që ka objekt ndryshimin e kufijve, nënkupton shkelje serioze të Kushtetutës nga presidenti.

“Prandaj ekziston nevoja urgjente që Kuvendi të mandatojë përfaqësuesin e Kosovës në këto bisedime, duke përfshirë edhe një platformë të qartë për bisedime, por vetëm pas organizimit të zgjedhjeve të reja në Kosovë, që do të rezultonin me përfaqësim legjitim politik të qytetarëve”, ka përfunduar Sejdiu.

Kurteshi: Thaçi po mundohet të shpëtojë nga Gjykata Speciale

Edhe anëtari tjetër i këtij Komisioni, Sami Kurteshi, ka thënë se Thaçi vazhdimisht e shkel Kushtetutën e vendit dhe se meriton dënim për vepër penale.

“Ky njeri e ka shkelur shumë herë Kushtetutën, kështu që e konsideron veten mbi ligjin dhe mbi Kushtetutën. Kjo është vepër penale, kushdo që kërcënon cenimin e integritetit territorial e meriton një dënim, edhe atë si për vepër të tradhtisë. E Thaçi e bën këtë vazhdimisht, edhe pse pastaj tërhiqet”, ka deklaruar Kurteshi.

Ai më tej ka thënë se nuk është e qartë ende kërkesa e Thaçit, por sipas Kurteshit kreu i shtetit po synon që përmes këtyre “kalkulimeve” të shpëtojë nga Gjykata Speciale.

“Ne nuk  e dimë saktësisht se çka po kërkohet, por një është e sigurt, ky po do ta djegë kërkesën legjitime të shqiptarëve të Luginës. Me këtë djegie e arsyeton krijimin e një entiteti politik e ligjor serb në Kosovë, siç është ‘Zajednica’,  ky nuk e ka hiç problemin e Luginës, por problemin e vet dhe që t’ia mundësojë sa ma shpejt Serbisë të shkojë në BE dhe që vetë të mos shkojë në Gjykatën Speciale”, ka shtuar Kurteshi, duke thënë se po të kishte prokurorë të pavarur në Kosovë ndaj Thaçit do të ngrihej aktakuzë për veprimet e dëmshme që po ia bën vendit.   

Berisha: Veprimet autoritare të Thaçit, problem për funksionimin kushtetues të institucioneve

Njohësi i çështjeve kushtetuese Durim Berisha ka thënë se veprimet autoritare të Thaçit janë duke paraqitur një problem për funksionimin kushtetues të institucioneve të Kosovës.

“Jo vetëm këto deklarata, por edhe veprimet autoritare të presidentit janë duke paraqitur një problem për funksionimin kushtetues të institucioneve të Republikës së Kosovës. Presidenti aktual, i cili ishte kryeministër dhe promotor i dokumentit kushtetues që e kemi në fuqi, nuk është se nuk e ka të qartë që një deklaratë e tillë përpos që është në kundërshtim me rregullimin aktual kushtetues, i shërben nxitjes së ideve jokonstruktive për vendin”, ka theksuar Berisha.

Ai më tej ka thënë se deklaratat pompoze përmes të cilave shikohet të përmbushet konsumi personal politik, duke tentuar të mobilizohen emocionalisht shtresa të gjëra popullore, në fakt janë duke shkaktuar pasiguri dhe huti në mesin e qytetarëve.

“Duke marrë parasysh se institucionet kushtetuese, me theks të veçantë Kuvendi i Kosovës, nuk po përmbushin obligimet e tyre kushtetuese Republika është kthyer në një organizëm jofunksional, ndërsa funksioni i presidentit që nga viti 2011 është deformuar në tërësi”, ka vlerësuar ai.

Berisha në fund ka thënë se përmes pikës 3 të Nenit 1 të Kushtetutës është synuar të mbyllet çdo mundësi, e cila do të rrezikonte veriun e Kosovës.

“Ideatorët e kësaj që sot e quajmë Kushtetutë janë munduar përmes Nenit, 1 paragrafit 3 të Kushtetutës t’i garantojnë faktorit ndërkombëtar që Republika e Kosovës nuk ka pretendime për bashkim me Shqipërinë ose nxitje të tilla sikurse po i dëgjojmë tani ndaj Luginës së Preshevës. Por mbi të gjitha është synuar të mbyllet çdo mundësi, e cila do ta rrezikonte veriun e Kosovës”, ka përfunduar Berisha.