Agim Bahtiri kërkon shkarkim urgjent të Gjergj Dedajt

Aktuale August 06, 2018 - 14:56
Lexoni më shumë detaje

Kryetari i Mitrovicës, njëherit nënkryetari i AKR-së, Agim Bahtiri, po kërkon dorëheqjen e zëvendësministrit Gjergj Dedaj, nga Ministria e Punëve të Jashtme të cilën e drejton shefi i Bahtirit, Behgjet Pacolli.

Shkarkimin e Dedajt e kishin kërkuar edhe deputetët turq të Kuvendit të Kosovës, pas një shkrimi të zv.ministrit kundër Turqisë

Bahtiri, përmes një njoftimi dërguar mediave, i ka kërkuar Kryeministrit Haradinaj që urgjentisht ta shkarkojë Dedajn për shkak se, sipas nënkryetarit të AKR’së, ka nxitur përcatrje dhe po prish raportet me vendet mike të Kosovës.

Edhe deputetët minoritarë të 6 plusit kanë dhënë ultimatum për shkarkimin e Dedajt.

Komunikata e plotë:

Në cilësinë e Zëvendës Presidentit të AKR-së, parti e cila gjithmonë ka nxitur marrëdhënie të shkëlqyera me partnerë dhe aleatë, e posaçërisht me ata të cilët gjithmonë e kanë mbështetur Kosovën në rrugën e saj drejtë lirisë e pavarësisë dhe shtet-ndërtimit e zhvillimit ekonomik pas lufte përmes investimeve të shumta, si dhe kanë lobuar fuqishëm për njohjen e Republikës së Kosovës, nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht kryeministri Ramush Haradinaj, kërkoj që në mënyrë urgjente z. Gjergj Dedaj të shkarkohet nga të gjitha pozitat brenda institucioneve të Republikës së Kosovës.

Z. Gjergj Dedaj me deklaratat dhe veprimet e tij të vazhdueshme gjatë muajve të fundit ka nxitur përçarje tek qytetarët e Republikës së Kosovës dhe pakënaqësi të shteteve mike, duke i dëmtuar kështu rëndë raportet me disa miq tanë dhe imazhin e Republikës së Kosovës.

Andaj, duke mos dashur që heshtja ndaj deklaratave të papranueshme të z. Dedaj, të kuptohet si pajtim me atë që ai ka thënë, kërkoj nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj që ta shkarkoj z. Dedaj nga të gjitha funksionet në institucionet e Republikës së Kosovës urgjentisht, pasi që mendoj se ky veprim do të mirëpritej nga qytetarët e vendit, të pakënaqur me deklaratat e tij të fundit, por edhe nga shtetet mike që kanë bërë shumë për Kosovën.