Kryeministri i kënaqur me zëvendësministrat, s’ka shkarkime

Aktuale August 02, 2018 - 08:21
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Pavarësisht kritikave të shumta për raportet skandaloze të zëvendësministrave për “punët” që kanë kryer në 100 ditët e para, nuk do të ketë shkarkim të tyre. Në Qeveri thonë se kryeministri ka vlerësuar punën e zëvendësministrave dhe ata kanë punë konkrete, shkruan sot gazeta "Zëri". 

Rreth 80 zëvendësministrat në qeverinë “Haradinaj” mund të ndihen rehat pasi kryeministri nuk e ka ndërmend t’i shkarkojë ata pavarësisht se deri më tani mund të mos kenë bërë asnjë punë konkrete. Në Qeveri thonë se kryeministri ka vlerësuar punën e zëvendësministrave dhe se ata kanë punë konkrete.

Në anën tjetër, njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se raportet skandaloze të zëvendësministrave për punën e tyre janë një sinjal që kryeministri do të duhej ta marrë në konsideratë reduktimin e numrit të zëvendësministrave. Mirëpo sipas tyre Haradinaj ndonëse është kryeministër nuk e ka forcën ta bëjë një gjë të tillë nga “presioni” i partive në koalicionin qeverisës.

LEXO EDHE: Vazhdon politizimi i diplomacisë kosovare

Qeveria, e kënaqur me punën e zëvendësministrave

Qeveria e Kosovës pas pranimit të raporteve nga rreth 80 zëvendësministra është deklaruar se është ndarë e kënaqur me punën e tyre, duke e quajtur të suksesshëm angazhimin e tyre përgjatë 100 ditëve.

“Kryeministri dhe ne jemi deklaruar me dhjetëra herë për këtë çështje. Puna e tyre është vlerësuar nga kryeministri dhe ata kanë punë konkrete”, thuhet në përgjigjen e zyrës së kryeministrit

Ndërkohë ata kanë thënë se shumë shpejt me Ligjin për Qeverinë do të përcaktohet numri i ministrave dhe i zëvendësministrave.

“Mungesa e një ligji për Qeverinë ka bërë që numri i zëvendësministrave të mos jetë i përcaktuar. Në anën tjetër, ju informojmë se për herë të parë po ndodh reforma në administratën publike, ku do të përcaktohet edhe numri i ministrave dhe i zëvendësve të tyre”,  thuhet tutje në këtë përgjigje dhënë për gazetën “Zëri”.

Opozita: Raportet e zëvendësministrave pasqyruan mospunën e tyre

Fatmire Kollçaku, nënkryetare dhe deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë për “Zërin” se raportet e zëvendësministrave të qeverisë “Haradinaj” vetëm kanë pasqyruar mospunën e tyre. Sipas saj, këto raporte janë nën çdo nivel të pritjes.

“Vetë fakti që janë diku rreth 80 zëvendësministra, kemi zëvendësministra që as vetë ministri nuk ua di emrat e lëre më që nuk kanë çfarë të bëjnë. Raportimet e tyre janë publikuar si gafe, si skeçe humoreske pasi ato raportime janë nën çdo nivel. Ato raporte e pasqyrojnë mospunën”, ka thënë ajo.

Ndërkaq Besa Baftiu, nga Partia Socialdemokrate, ka thënë se s’mund të pritet punë nga një qeveri e madhe e cila deri më tani ka dëshmuar që ka punuar vetëm për vete.

“Neve na është sjellë një raport nga Qeveria, mirëpo ende nuk e kemi vlerësuar edhe pse e dimë që është një qeveri me numër të madh të zëvendësministrave. Pra një qeveri e madhe që ka punuar vetëm për vete”, ka thënë ajo.

Pas raportimeve të dobëta Qeveria ta reduktojë numrin e zëvendësministrave

Arton Demhasaj, nga organizata joqeveritare “Çohu”, raportimet e zëvendësministrave të cilat u bënë publike para pak ditësh i ka quajtur qesharake. Sipas tij, në bazë të kësaj performance të dobët të zëvendësministrave Qeveria do të duhej të ndërmerrte hapa për reduktimin e tyre.

“Në bazë të raportimeve të zëvendësministrave u pa që nuk ka diçka thelbësore se ndonjë nga zëvendësministrat ka bërë diçka që ia vlen të paguhet nga buxheti i shtetit. Raportimet e tyre qesharake nuk mund të konsiderohen punë. Në bazë të kësaj Qeveria duhet të mendojë se si t’i qaset këtij problemi që në bazë të performancës që kanë treguar të shkohet deri te reduktimi i një numri të zëvendësministrave. Mirëpo nuk duket se ka gjasa të ndodhë një gjë e tillë dhe do të vazhdohet me këtë numër kështu siç është”, ka thënë ai.

Ndërkaq duke folur për Ligjin për Qeverinë, i cili do të përcaktonte numrin e ministrave dhe të zëvendësministrave, Demhasaj tha se nuk pret që ajo të fillojë të zbatohet në qeverinë “Haradinaj”.

“Edhe po të miratohet Ligji për Qeverinë ai nuk hyn në fuqi menjëherë, ai do të fillojë të zbatohet në qeverinë e ardhshme. Ky kabinet tashmë ka marrë votën në Kuvend dhe nuk mund të ndodhë që ky ligj të fillojë të zbatohet në këtë Qeveri”, ka thënë ai.

Ndërkohë edhe njohësi i çështjeve politike Mazllum Baraliu ka thënë se zëvendësministrat edhe po të duan të punojnë me shumë nuk kanë se çfarë të punojnë pasi janë shumë në numër. “Edhe po të duan zëvendësministrat të punojnë nuk kanë se çfarë të punojnë. S’ka çfarë të kërkojë kryeministri dhe e di që s’mund të ofrojnë ata më tepër”, tha Baraliu.

Sipas tij, kryeministri edhe nëse nuk është i kënaqur me punën e tyre ai nuk e ka forcën që të shkarkojë ndonjërin prej tyre pasi ia ka imponuar koalicioni.

“Qeveria dhe kryeministri janë të varur nga kjo mënyrë e të bërit qeverisje dhe pavarësisht punës së tyre nuk është e pritshme që të reduktohet numri i tyre. Ai s’ka çfarë të bëjë tjetër veçse heshtazi ta miratojë punën dhe s’është për t’u vlerësuar”, ka thënë ai. /ZERI