Kuvendi në pushim me vetëm 22% të punëve të kryera

Aktuale August 01, 2018 - 07:54
Lexo tjera detaje

Kuvendi i Kosovës të hënën ka mbajtur seancën e fundit për sesionin pranveror, në të cilin ka përmbushur vetëm 33 nga 148 projektligjet e planifikuara (22% e planit legjislativ). Në procedurë të miratimit janë 56 projektligje, ndërsa në pritje janë 59 projektligje tjera. Sesioni tjetër i Kuvendit fillon në pjesën e dytë të shtatorit, shkruan Gazeta Zëri".

Kuvendi i Kosovës në sesionin pranveror ka përmbushur vetëm 22% të agjendës së tij, ose vetëm 33 nga 148 projektligjet e planifikuara për këtë vit. Organizatat joqeveritare që monitorojnë punën e Kuvendit thonë se nuk presin punë më të madhe as në sesionin vjeshtor që fillon pas një muaji e gjysmë. Ngecja e punës vërehet edhe te komisionet parlamentare ku 40% e projektligjeve nuk janë përgatitur fare, ndërkaq ka komisione që kanë mbajtur vetëm gjashtë mbledhje. E për këtë gjendje pozita kosovare ka fajësuar opozitën, e cila me vendimin për bojkotim është duke i shkaktuar dëme vendit.

KDI: Kuvendi ka arritur të përmbushë vetëm 22% të agjendës

Agnesa Haxhiu, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), për gazetën “Zëri” ka thënë se Kuvendi i Kosovës ka arritur të përmbushë vetëm 22% të planit të punës. “Nga muaji janar 2018 deri më tani Kuvendi ka arritur që t’i miratojë 33 ligje ose 22% të planifikimit. Kuvendi i Kosovës në këtë legjislaturë, e posaçërisht në sesionin pranveror të këtij viti, është përballur vazhdimisht me mungesë të kuorumit, gjë e cila e ka pamundësuar funksionimin normal të këtij institucioni”, ka thënë Haxhiu.

Sipas monitorimeve të kësaj organizate, ngecja vërehet edhe në punën e komisioneve parlamentare ku 40% e projektligjeve nuk janë përgatitur ende. “Në komisionet parlamentare në procedurë për shqyrtim janë edhe 55 projektligje (38%), ndërsa 59 projektligje (40%) nuk janë përgatitur ende. Gjatë sesionit pranveror komisionet kanë mbajtur gjithsej 258 mbledhje të rregullta, ku më së shumti mbledhje deri më tani ka mbajtur Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal me 30 mbledhje, i pasuar nga Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi me 29 mbledhje”, ka thënë ajo, duke shtuar se komisioni me më së paku mbledhje të mbajtura është Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë me 6 të tilla. Ndërsa sa i përket interpelancave, Kuvendi i Kosovës ka arritur që të përmbushë agjendën në këtë drejtim.

“Janë iniciuar procedurat për thirrjen e 13 interpelancave dhe që të gjitha janë mbajtur. Grupi parlamentar që ka iniciuar më së shumti interpelanca është Grupi i Lidhjes Demokratike të Kosovës me 8 interpelanca, ku tre prej tyre janë iniciuar bashkë me Grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV). Vlen të theksohet fakti që është një prej legjislaturave me më së shumti interpelanca të mbajtura”, ka potencuar ajo.

D4D: Performanca e dobët e sesionit pranveror do të vazhdojë edhe në atë vjeshtor

Rasim Alija, nga organizata “Demokracia për Zhvillim” (D4D), ka thënë për gazetën “Zëri” se Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur funksionim normal. “Mungesa e kuorumit, bojkotimi i seancave, mosvotimi i ligjeve, papërgjegjshmëria e deputetëve e debatet e kota e kanë karakterizuar sesionin pranveror të Kuvendit. Ligje të rëndësishme kanë mbetur pa u proceduar. Në veçanti ligjet që dalin prej Pakos së Agjendës për Reforma Evropiane”, ka thënë Alija

Sipas tij, Kuvendi është bërë i padukshëm në monitorimin e punës së Qeverisë. “Në një republikë parlamentare është jetike funksionimi ose balanca mes pushteteve. Kjo balancë mes pushteteve nuk ka funksionuar, duke e bërë Kuvendin thuajse të padukshëm, duke e pamundësuar mbikëqyrjen e Qeverisë. Madje kjo performancë e sesionit pranveror nuk jep indikacione që sesioni vjeshtor do të jetë më ndryshe”, ka përfunduar  ai.

Haliti: Dobësia e Kuvendit – mosvotimi i opozitës

Xhavit Haliti, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, për gazetën “Zëri” ka thënë që dobësia e Kuvendit të Kosovës në këtë legjislaturë është pikërisht sabotimi i votimit nga opozita kosovare. “Të gjithë deputetët që janë edhe përfaqësues të popullit kanë obligime për elektoratin dhe për Kosovën që të miratojnë ligje të zbatueshme dhe të vendosin rregulla në mbrojtje të interesave të qytetarëve të Kosovës, por një pjesë e Kuvendit e ka nxjerrë luftën politike duke sabotuar votimin dhe kjo është dobësia politike e Kuvendit për mosvotimin e ligjeve”, ka thënë Haliti, duke shtuar se për këtë mosvotim vlerësimet do t’i bëjnë vetë qytetarët në zgjedhje.

Tutje sipas Halitit fajtore për këtë gjendje është pikërisht pozita, e cila nuk është duke u koordinuar me të gjithë partnerët e koalicionit për të siguruar votimin. “Mosvotimi i opozitës në shumicën e rasteve po bëhet atëherë kur pozita nuk e ka kuorumin dhe në këtë rast do ta fajësoja opozitën, por pozitën për shkak që numerikisht nuk ka shumë deputetë sikur në legjislaturën e kaluar që kemi pasur 2/3 në pozitë. Tani kemi një shumicë të një koalicioni të brishtë, i cili nga ana e kryeministrit dhe nga ana e partive të pozitës duhet të punojnë që të organizohen për kuorum në Kuvend, sepse përgjegjësia për pasjen e kuorumit në kushtet kur kemi Qeverinë e përbashkët është e pozitës”, ka theksuar ai.

Pavarësisht se ka pasur ngecje në votim, nënkryetari Haliti ka potencuar që Kuvendi ka qenë aktiv në mbajtjen e seancave dhe pjesa dërrmuese e deputetëve kanë qenë të angazhuar.

Kadrijaj: Ngecjet kanë ndodhur për shkak të opozitës

Time Kadrijaj, deputete e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka thënë për gaztën “Zëri” se ngecjet e punës së Kuvendit kanë qenë për shkak të bojkotimit të opozitës dhe të udhëtimeve të deputeteve jashtë vendit. “Unë vlerësoj se është punuar, ka ngecje ndonjëherë për shkak të udhëtimeve të deputetëve jashtë vendit. Në seancën e kaluar opozita nuk ka votuar disa marrëveshje ndërkombëtare sepse ato marrëveshje kanë qenë miliona euro. Ka qenë e habitshme se si opozita ka abstenuar dhe nuk ka votuar për këto projektligje. Në përgjithësi ky sesion ka qenë i ngarkuar me interpelanca, me debate sepse janë thirrur shumë interpelanca”, ka thënë Kadrijaj. Ndërkaq ka vlerësuar shumë punën, të cilën kanë bërë komisionet parlamentare. “Puna më e madhe bëhet në komisione parlamentare. Subjektet politike angazhohen maksimalisht. Secili komision angazhohet në përmbushjen e agjendave sepse sa më shpejt amendamentohen ligjet në komision, shumë më shpejt do të dalin në Kuvend dhe do të votohen”, theksoi Kadrijaj./ZËRI