Thaçi: S’ka ndarje të Kosovës, deklaratat e tilla janë “fake news”

Aktuale July 31, 2018 - 12:42
Lexo detajet

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ripërsëritur edhe njëherë se në kuadër të fazës finale të dialogut me Serbinë nuk do të diskutohet për ndarjen e Kosovës, raporton “Zeri.info”.

Thaçi në një konferencë për media, ka thënë se një gjë e tillë nuk ka gjasa që të diskutohet, lëre më që një gjë e tillë të bëhet realitet.

“Si president i vendit siguroj se nuk do të lejojmë të diskutohet, lërë që dikush të pajtohet me ndarjen e Kosovës. Janë shqetësues zërat që flasin gjëra të tilla. Ritheksoj se kudo që fliten zëra të tillë dhe ata që përhapin lajme të tilla, e them me përgjegjësi të plotë, se me apo pa vetëdije po e senzibilizojnë idenë e kamotshme të Serbisë për ndarjen e Kosovës. E ritheksoj që një gjë të tillë nuk do të lejojmë as të diskutohet, lëre më të realizohet”, ka deklaruar ai.

LEXO EDHE: Kosova në Bruksel kërkon të drejta për Luginën, jo bashkim

Kreu i shtetit më tej, vlerësoi se po përhapen “fake news” rreth kësaj çështjeje.

“Jemi edhe dëshmitarë të lajmeve të rrejshme, prandaj si president i vendit edhe njëherë dua t’i siguroj qytetarët e Kosovës si president që nuk do të ketë forcë që do ta detyrojë Kosovën që të diskutojë apo të pajtohet me ndarjen e saj”, potencoi ai.

Marrëveshja finale sipas Thaçit do të bëhet duke siguruar njohjen reciproke mes dy vendeve dhe me rezultimin e Kosovës si anëtare e OKB-së.

“Ka zëra që thonë se nuk është koha të dialogojmë, se nuk është koha për marrëveshje, mendoj që është e kundërta. Ne duhet të arrijmë marrëveshje sa më parë që është e mundur, që të ndodhë njohja reciproke”, është shprehur kryetari i shtetit. /ZERI