Propozohet përfshirja e Kuvendit në dialogun me Serbinë

Aktuale July 30, 2018 - 14:45
Lexoni më shumë detaje

Deputetët e Kuvendit të Kosovës po vazhdojnë debatin parlamentar lidhur me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që po zhvillohet në Bruksel, me lehtësimin e Bashkimit Evropian.

Në Kuvendin e Kosovës, partitë opozitare kanë dalë me tri versione të tekstit të rezolutës, që pretendojnë ta miratojnë në Kuvend.

Propozimet e opozitës për dialogun dallojnë, por emërues i përbashkët i qëndrimeve opozitare është që dialogun nuk mund ta udhëheqë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Gjatë debatit, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka kërkuar nga deputetët që të bashkohen në ekipin gjithëpërfshirës për hartimin e një platforme të përbashkët për përfaqësimin e Kosovës në dialog.

“Ajo që dua të ju lus si deputetë është se një temë e vendit të juaj mund të shtrohet në tavolinat e vendimmarrjeve edhe pa kontributin tonë, edhe pa rolin tonë, dhe mund të ecin disa procese në mënyrën si kanë ecur në të kaluarën, e pastaj i kemi vajtuar qindra vjet ose kemi provuar t’i sanojmë, por ka qenë vështirë. Për këtë arsye, dua t’iu them merrni në dorë procesin e ardhshëm të dialogut si Parlament”, tha Haradinaj.

Partia Socialdemokrate, si nismëtare e këtij debati, përmes një rezolute mes tjerash kërkon që Kuvendi të marrë rolin udhëheqës në bisedime me Serbinë, duke ia kontestuar rolin aktual presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Visar Ymeri nga Partia Socialdemokrate tha se është e rëndësishme që Kuvendi të miratojë, e të shkruajë strategjinë dhe platformën dhe mos t’i lihet në dorë presidenti Hashim Thaçi.

Sipas tij, duhet të merret mandati kushdo që negocion me dy të tretat e votave të Kuvendit të Kosovës.

“Kjo nënkupton për Kuvendin dhe Republikën e Kosovës, fillim i procesit negociator deri tash ka shkuar Thaçi në takime, por ky Kuvend me këtë rezolutë e tregon se ai nuk është legjitim dhe që nënkupton që ky proces negociator nuk pranohet, ose ai që ka ndodh deri tash. Këto janë ato që janë paraparë në rezolutë e PSD-së ”, thotë Ymeri.

Ndërkohë, partia më e madhe opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës ka propozuar që fillimisht të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, në mënyrë që të fitohet një legjitimitet i plotë përfaqësues.

LDK kundërshton që dialogu me Serbinë të udhëhiqet nga presidenti Hashim Thaçi. Vjosa Osmani deputete nga LDK thotë se dialogu me Serbinë po përfaqësohet dhunshëm nga presidenti Thaçi.

Ajo ka kërkuar që dialogu të respektojë integritetin dhe sovranitetin e Kosovës.

“Sot vërtetë Kosovës i duhet uniteti, por i duhet uniteti për të parandaluar kompromiset që kanë filluar të bëhen për territorin. Si Kuvend na takon që t’i japim fund manovrimeve të Thaçit dhe është koha që për ato tema që njëanshmërisht i ka hapur në Bruksel (presidenti Thaçi) të flasë populli”.

“Meqë sot çështjet që janë në tavolinën e negociatave, nuk prekin çështje teknike meqë ato prekin vet përkufizimin e shtetit të Kosovës karakterin e përcaktuar në Deklaratën e Pavarësisë, ku u shpreh vullneti i popullit, nuk ka sot politikan në Kosovë brenda kësaj sallë apo jashtë saj që mund të nënshkruajë marrëveshje për territorin apo çështjet që e vënë në rrezik funksionalitetin e brendshëm të Kosovës si shtet”, thotë Osmani.

Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar që të ndërpritet formati aktual i dialogut me Serbinë, ngase sipas saj, aktualisht në dialog po negociohen çështjet e brendshme të Kosovës.

Vetëvendosje ka kërkuar vendosjen e reciprocitetit politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë, reciprocitet i të drejtave të popullit shqiptar në Serbi me popullin serb në Kosovë, padi ndaj Serbisë për gjenocid, si dhe që presidenti Thaçi të mos e udhëheqë procesin e dialogut.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se çështja e dialogut me Serbinë nuk është çështje procedurale, është çështje përmbajtjesore dhe nuk duhet të përsëriten ato çfarë parashohin ligjet dhe Kushtetuta, por duhet të merren qëndrime politike.

“Përpara çfarëdo dialogu të ri me Serbinë, janë të domosdoshme katër etapa përgatitore: e para shqyrtim dhe vlerësim i dialogut 2011- 2017 dhe rezultateve të tij, e dyta synimet e Kosovës dhe kërkesat tona ndaj Serbisë, e treta parimet dhe kushtet e dialogut të ri dhe e katërta ekipi ynë negociator me strategji dhe udhëheqës”, thotë Kurti.

Kurti propozon që të krijohet një grup i përbashkët parlamentar që t’i formulojë kërkesat e Kosovës ndaj Serbisë dhe zyrtarisht të ja dorëzojë ato Serbisë, e pastaj të bëhet dialog.

Ndryshe, me versionet e rezolutave të opozitës në lidhje me dialogun me Serbinë nuk janë pajtuar partitë në pushtet, sidomos, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Këto dy subjekte politike i kanë dhënë mbështetje Thaçit në rolin prijës në dialog dhe kanë ftuar opozitën që të bashkohet në procesin final të bisedimeve me Serbinë, përmes krijimit të një ekipi gjithëpërfshirës dhe hartimit të një platforme të përbashkët, si qëndrim zyrtar i Kosovës karshi bisedimeve me Serbinë.

Debati për dialogun kishte nisur të premten, por ishte ndërprerë për shkak të vdekjes së veprimtarit politik dhe aktivistit për të drejtat e njeriut, Adem Demaçi. /REL/