200 konteste për vijën kufitare me Serbinë

Aktuale July 30, 2018 - 07:46
Karaçeva, një nga 200 kontestet me Serbinë

Ditëve të fundit është riaktualizuar problemi i vijës kufitare me Serbinë në fshatin Karaçevë, megjithatë ky pritet të jetë vetëm një nga rreth 200 kontestet kufitare që do t’i ketë Kosova me fqinjin verior gjatë demarkimit të kufirit. Madje sipas deputetëve, vetëm në këtë fshat janë paraqitur rreth 170 pronarë të cilët ankohen për fatin e pronave të tyre, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Vendosja e një tabele kufitare nga ana e KFOR-it në fshatin Karaçevë të Kamenicës ka shqetësuar banorët e këtij fshati, megjithëse KFOR-i ka sqaruar se nuk bëhet fjalë për lëvizje të kufirit, porse vetëm ka zëvendësuar tabelën e vjetër.

Deputetë të Kuvendit të Kosovës të dielën kanë vizituar Karaçevën dhe thonë se 170 deri në 180 pronarë kanë shprehur shqetësimit e tyre për fatin që do t’i kenë tokat e tyre pas demarkimit të kufirit me Serbinë që pritet të ndodhë pas arritjes së marrëveshjes finale Kosovë - Serbi, shkruan më tutje "Zëri".

Megjithatë kontesti kufitar në Karaçevë pritet të jetë vetëm një nga rreth 200 kontestet kufitare që do të jenë në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Pavarësisht kësaj, nga Komisioni Qeveritar për Mirëmbajtjen dhe për Shënimin e Kufirit kanë thënë për gazetën Zërise ata e kanë studiuar mirë vijën kufitare me Serbinë dhe janë përgatitur mirë për këtë çështje.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje në njërën nga seancat e Kuvendit të Kosovës ka folur rreth problemeve që pritet t’i ketë Kosova më Serbinë gjatë demarkimit të kufirit.

 Kurti ka thënë se në bazë të studimeve që ai ka lexuar janë rreh 200 konteste kufitare me fqinjin verior.

“Në bazë të një studimi të brendshëm të KFOR-it që unë e kam parë, janë rreth 200 konteste kufitare me Serbinë prej Majës së Pançiqit e deri në Karaçevë, në 50 prej të cilave ka prona private ose popullsi, ose të dyja këto”, ka deklaruar Kurti.  

Lajçi: 170-180 pronarë në Karaçevë ankohen për pronat e tyre

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ali Lajçi, ka thënë për gazetën “Zëri” se numri i kontesteve kufitare me Serbinë mund të jetë edhe më i madh se 200, madje ai ka thënë se të dielën ka vizituar fshatin Karaçevë ku 170 deri në 180 pronarë kanë shprehur frikën se tokat e tyre mund të mbesin andej kufirit.

“Besoj se numri i kontesteve do të jetë edhe më shumë. Sot isha në Karaçevën e Poshtme dhe kemi marrë shënimet prej Kadastrës e shënimet tjera në terren. Këtu janë rreth 170 ose 180 pronarë, të cilët e kanë paguar tatimin në Komunën e Kamenicës dhe pronat e tyre mund të mbesin nën territorin e Serbisë, që është e papranueshme. Ky proces duhet të ndiqet me vëmendje”, është shprehur Lajçi.

Ai më tej ka thënë se trendi i lëshimeve gjatë demarkimit të kufirit është negativ, duke iu referuar humbjes së territorit gjatë demarkimit me Maqedoninë dhe me Malin e Zi.

“Ky kapitull është edhe më kapital. Mund të shikohet, por trendi është mjaft negativ sa i përket politikave shtetërore, të cilat janë bërë deri më tani... Prandaj duhet të jemi të gatshëm të reagojmë me faktet dhe me të gjitha mjetet e mundshme demokratike që të mos lejohet të rrudhet territori dhe sovraniteti”, ka shtuar Lajçi.

Deputeti i Vetëvendosjes ka thënë se pushteti në Kosovë jo vetëm që nuk i ka respektuar kufijtë administrativë të ish-Jugosllavisë, por nuk po i respekton as kufijtë e Kadastrës.

“Këta jo vetëm që kanë cenuar vijat e kufijve administrativë, por kanë prekur edhe në kadastrat e që thirren se kufijtë po vendosen në bazë të kadastrave, që sigurisht se është qasje e gabuar, por edhe këto janë deformuar”, ka përfunduar Lajçi.

KFOR: Nuk kemi të dhëna rreth mosmarrëveshjeve për kufijtë

Të pyetur rreth studimeve të cilave u është referuar kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti gjatë fjalimit për konteste kufitare, zyrtarë të KFOR-it kanë thënë për “Zërin” se nuk e dinë se cilave studime u është referuar ai dhe se KFOR-i nuk merret me çështje të kufijve.

“Nuk kam njohuri se cilit studim i është referuar Kurti, por, sidoqoftë KFOR-i nuk merret me çështje të kufijve. Çdo studim i bërë nga KFOR-i lidhet me çështje operacionale, të cilat përfshijnë implementimin e marrëveshjeve me Forcat e Armatosura të Serbisë (FAS) përgjatë Vijës Administrative Kufitare (VAK). VAK-u është vijë referente e përcaktuar vetëm për qëllime ushtarake dhe nuk ka të bëjë aspak me kufijtë zyrtarë”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

Më tej në këtë përgjigje thuhet se KFOR-i nuk ka informata rreth mosmarrëveshjeve eventuale kufitare.

“KFOR-i nuk ka të dhëna rreth mosmarrëveshjeve eventuale për kufijtë sepse çdo çështje që ka të bëjë me kufijtë është jashtë mandatit të KFOR-it”, përfundon përgjigjja.

Isufi: Pala kosovare do të jetë shumë më e përgatitur sesa në demarkacionin me Malin e Zi

Anëtari i Komisionit Shtetëror për Shënimin dhe për Mirëmbajtjen e Kufirit, Florim Isufi, ka thënë për gazetën “Zëri” se ky Komision e ka analizuar në hollësi kufirin me Serbinë dhe se i kanë informacionet e nevojshme.

Ai është shprehur i bindur se ky komision do të jetë shumë më i përgatitur sesa komisioni që ka qenë i angazhuar në procesin e demarkacionit me Malin e Zi.

“Ne kemi përpunuar të gjitha të dhënat dhe në njëfarë mënyre e dimë përafërsisht ku do të jenë problemet ose ku kanë për të qenë problemet. Nëse ka vullnet të mirë për t’i zgjidhur problemet, ato do të mundë të zgjidhen shumë shpejt dhe nuk do të ketë pengesa në finalizimin e kësaj çështjeje. Besoj që pala kosovare do të jetë shumë më e përgatitur sesa në rastin e demarkacionit me Malin e Zi, ku na ka kushtuar 8200 hektarë”, ka deklaruar Isufi.

Më tej ai ka thënë se nëse demarkimi i kufirit u lihet në dorë shkencëtarëve, atëherë gjithçka do të shkojë si duhet.

“Konteste ka nëpër të gjithë kufijtë e njësive administrative të ish-Jugosllavisë, por ato konteste me një vullnet të mirë dhe me një qasje shkencore mund të zgjidhen. Kjo varësisht nga qasja e palëve, nëse problemi kalon në politik, atëherë politika merret me atë punë, por nëse është në mes të profesionistëve të Serbisë dhe të Kosovës nuk pres ndonjë gjë të pasqaruar”, ka shtuar Isufi.

Në fund profesori i gjeografisë ka thënë edhe një herë se kanë punuar shumë në këtë çështje dhe beson se janë përgatitur mjaftueshëm që të dinë se çka duhet  të bisedohet nëse kjo çështje u besohet atyre.

Kurse profesori i sigurisë Avni Islami ka thënë se pret që të ketë konteste të shumta kufitare me Serbinë, megjithëse thekson faktin se kufiri administrativ që ka qenë në kuadër të ish-Jugosllavisë do të duhet të shndërrohej në kufi shtetëror.

“Në momentin e njohjes, kufijtë administrativë që kanë qenë në kuadër të ish-Jugosllavisë do të duhej të shndërroheshin në kufij shtetërorë. Mendoj se me Serbinë do të ketë konteste më shumë sesa kishim me Malin e Zi. Dihet se Kosova në pjesën më të madhe të vijës kufitare e ka me Serbinë, prandaj po të ketë numër të madh të pikave kontestuese disa prej të cilave tashmë janë përmendur, siç është Karaçeva”, ka theksuar Islami.

Ai më tej ka thënë se ka rrezik që vendbanimet afër vijës kufitare të mbesin në pjesën tjerët të kufirit.

“Shpresoj që të paktën të mos preken vendbanimet, pasi vija kufitare me Serbinë është shumë e lakuar dhe nëse mund të themi ka shumë ‘xhepa’, atëherë ka rrezik edhe për ndryshime që do të ishin në dëm të vendbanimeve. Por shpresoj se pala kosovare do të jetë syçelë në këtë aspekt”, ka shtuar ai.