Krerët shtetëror të pikëlluar për vdekjen e Adem Demaçit

Aktuale July 26, 2018 - 19:54
Detajet

Sot në moshën 82 vjeçare ka vdekur veprimtari i shquar i çështjes kombëtare, Adem Demaçi. Me rastin e vdekjes së tij krerë institucional, parti politike deputet e qytetarë të shumtë kanë shprehur ngushëllime, raporton “Zëri.info”.

I pari i vendit Hashim Thaçi ishte ai i cili Demaçin e konsideroi si simbol të rezistencës së shqiptarëve duke shtuar se është ë vështirë që të pranohet vdekja e tij.

“Është shumë e vështirë ta pranojmë që simboli ynë i rezistencës, baca Adem, ka ndërruar jetë. Ishte gjithmonë i pathyeshëm dhe i papërkulur përballë çdo sfide. Baca Adem tërë jetën ia kushtoi Kosovës dhe ne gjithmonë do ta kujtojnë si udhërrëfyes dhe do ta kemi si zë ndërgjegjeje popullore. I lehtë i qoftë dheu i Kosovës!”, ka shkruar Thaçi.

Sikurse presidenti edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka shprehur ngushëllime për humbjen e veprimtarit Demaçi.

“Prehu në paqe Baca Adem! Gjithë jetën i shërbeve dhe gjithë jetën e nderove atdheun. Përjetësisht atdheu do ta nderojë e kujtojë veprën dhe emrin tënd”, ka shkruar Haradinaj.

Në anën tjetër kryeparlamentari Kadri Veseli ka thënë se me këtë vdekje është tronditur i gjithë kombi shqiptar.

“Me 17 shkurt të këtij viti, isha për vizite të Baca Adem për t’ia uruar përvjetorin e 10-të pavarësisë. Ndonëse i sëmurë, në asnjë moment nuk tregoi shenja dobësimi. I fortë dhe plot vullnet si gjithmonë. E patëm lënë të takoheshim  sërish, por kësaj here në Kuvendin e Kosovës. Fati nuk e deshi që ai të vinte. Por, Adem Demaçi do të rrojë me ne, derisa të ekzistojë edhe ky popull, për lirinë e të cilit ai barti mbi supe vuajtjet dhe përpjekjet më të mëdha. Jo vetëm Kosova, por mbarë kombi shqiptar është i tronditur sot nga humbja e një ndër bijve më të shquar. Me kurajën, sakrificën dhe atdhedashurinë e tij të jashtëzakonshme, ai u bë simbol i rezistencës dhe përpjekjeve të shqiptarëve për liri e barazi në trojet e veta.  Vepra e tij shërbeu si burim frymëzimi  jo vetëm për luftën tonë të armatosur, por edhe për ndërtimin e shtetit  të ri të Kosovës, në bazë të themeleve të shëndosha, të vlerave të lirisë e demokracisë”, ka shkruar Veseli.

Kanë qenë edhe partitë politike ato të cilat përmes komunikatave për shtyp i kanë dërguar ngushëllimet e tyre drejtuar familjes Demaçi.

Lëvizja Vetëvendosje pas vdekjes së veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Adem Demaçi kanë dërguar një telegram ngushëllimi familjes së tij. Në këtë komunikatë thuhet se aktivistë të shumtë janë edukuar në frymën dhe shembullin e Adem Demaçit.

Vdekja e Adem Demaçit pikëllon rëndë gjithë shqiptarët, e në fakt gjithë liridashësit. Në këto momente dëshirojmë t’i gjendemi pranë sidomos familjarëve e të afërmve të familjes Demaçi. Veprimtari i cili kurrë nuk u dorëzua e nuk u thye, as prej dekadave të burgut, sot nuk është më mes nesh. Por më e pranishme se kurrë është flaka e atdhetarisë, ideali që ai ndezi në zemrat tona. Nuk ka aktivist të Lëvizjes që nuk është edukuar në frymën dhe në shembullin e Adem Demaçit, i cili ka qenë dhe do të jetë përgjithmonë busulla dhe fari, jo vetëm për Lëvizjen VETËVENDOSJE!, por për çdo subjekt të sotëm apo të ardhshëm që synon emancipimin e popullit tonë. Adem Demaçi mishëronte si askush tjetër të gjitha virtytet e tiparet e veprimtarit që nuk reshti asnjëherë së preokupuari e angazhuari për popullin e kombin. Fjalët nuk gjenden për ta përshkruar angazhimin e tij që mbetet një simbol i pashlyer, e dhembjen e madhe, por vepra e tij monumentale do të përndritë gjithmonë shqiptarët, e shembulli i tij do të frymëzojë të gjithë ata që kombin dhe atdheun e vënë mbi vetën e gjithcka tjetër. Adem Demaçi vdiq, por ai është i pavdekshëm. Vigan në panteonin e kombit, me shpirtin e tij të fortë, me parimet e tij të panegociueshme, me vlerat e tij njerëzore e universale, ai e mposhti çdo gjakatar e çdo tiran. Qëndresa e tij do të mbetet frymëzim, vepra e tij do të jetë mësimi ynë.

Komunikatë për medie ka dërguar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Lidhja Demokratike e Kosovës i  shpreh ngushëllimet më të sinqerta Familjes Demaçi dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës për ndarjen nga jeta të veprimtarit të shquar kombëtar, Adem Demaçit. Adem Demaçi ishte simbol i rezistencës kundër regjimit të Serbisë në Kosovë, duke mos u nënshtruar asnjëherë para dënimeve drastike dhe dhunës së regjimit serb. Qytetarët dhe populli i Kosovës do ta përkujtojnë përherë veprën kombëtare të Adem Demaçit dhe veprimtarinë e tij në shërbim të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.” , thuhet në telegramin e ngushëllimit të LDK-së.

Në mesin e shumë personaliteteve të cilët po shprehin ngushëllime për vdekjen e veprimtarit Adem Demaçi, janë edhe ish presidentët Atifete Jahjaga dhe Fatmir Sejdiu.

“Adem Demaçi ishte më i miri ndër ne. Ndër të parët që iu kundërvu stuhisë së urrejtjes që u ngërrys mbi Jugosllavi, ndër të parët që e sakrifikoi jetën e vet në emër të lirisë, ndër të parët u vu në shërbim të barazisë në Kosovën e re”, ka shkruar Jahjaga në Facebook.

“Njeri që nuk druajti t’i thotë gjërat troç. Ishe frymëzim për të gjithë se si duhet atdheu dhe si jetohet jeta e drejtë e e përmbushur. Do të na mungojë”, ka thënë ajo.

Ndërsa Sejdiu ka nisur postimin e tij duke thënë se lajmin për vdekjen e Demaçit e ka marrë me pikëllim të thellë.

“Baca Adem, do të kujtohet përherë për sakrificën e pashembullt si dhe për kontributin e jashtëzakonshëm, për lirinë dhe pavarësinë e vendit”.

“Gjithë jetën e tij e vuri në shërbim të atdheut. Vepra e tij do të jetojë përherë!”.

“I qoftë i lehtë dheu i tokës, për të cilën s’kurseu asnjëherë asgjë!”, ka shtuar Sejdiu./ZERI