Vulin po kërkon demarkacionin e Serbisë me Kosovën

Aktuale July 22, 2018 - 11:26
Lexo detajet

Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, ka thënë se për Serbinë një zgjidhje kompromisi me Kosovën është “demarkacioni dhe ndalimi i përhapjes së Shqipërisë së Madhe”.

Vulin, në një intervistë për gazetën “Kurir”, ka thënë se pret që Prishtina t’i vazhdojë provokimet dhe përpjekjet për të ndërprerë dialogun.

“Ata e dinë se negociatat me Vuçiqin nuk janë të mira për ta, dhe këtë e pranojnë me vështirësi”, ka thënë Vulin, përcjell Telegrafi.

I pyetur se si as pas gjashtë muajsh nga vrasja Oliver Ivanoviqit, nuk ka ndonjë rezultat nga hetuesia, ai tha se “Prishtinës dhe një pjese të madhe të komunitetit ndërkombëtar u konvenon që të mos arrihet deri tek zgjidhja” e rastit.

“Do të doja të kishim kontroll të plotë që do të na mundësonte ta zgjidhim krimin, por nuk e kemi,  prandaj mundësitë tona janë ngushtuar”, tha Vulin, duke shtuar se “ata nuk do të ndalojnë kërkimet për vrasësit e Ivanoviqit”.