Kompromiset e mëdha vështirësojnë fazën finale

Aktuale July 20, 2018 - 07:46
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Takimi i dytë i fazës finale të dialogut të Brukselit e që u zhvillua të mërkurën ishte i shkurtër, por siç thanë protagonistët “më i vështiri” në gjashtë vjetët e fundit. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandar Vuçiq vazhdojnë të thonë se dialogu duhet të vazhdojë pavarësisht vështirësive, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi pas takimit të së mërkurës me presidentin serb Aleksandër Vuçiq ka thënë se ishte takim i shkurtër, por i shumë i vështirë e madje të dy presidentët paralajmëruan se faza finale e këtij procesi do të vështirësohet.

LEXO EDHE: Vendimmarrja për vizat nis në vjeshtë

Mirëpo edhe dy ditë pas këtij takimi Thaçi ende nuk ka sqaruar se cilat janë këto vështirësi.

Thaçi edhe gjatë ditës së djeshme ka theksuar se dialogu me shtetin serb duhet të vazhdojë pavarësisht vështirësive që do të dalin.

Në anën tjetër, opozita e vendit i sheh deklaratat e presidentit Thaçi si rrezik për Kosovën.

Sipas tyre, përmes Thaçit shteti serb do t’i vendosë gurëthemelet e veta në Kosovë. Po ashtu njohësit e çështjeve politike në vend kanë theksuar se vështirësitë e dialogimit me shtetin serb të paralajmëruara nga Thaçi janë duke ardhur pikërisht për faktin se në fazën finale mes dy shteteve do të ketë një marrëveshje të dhimbshme për shtetin e Kosovës.

Thaçi: Duhet të sakrifikojmë të dyja vendet për marrëveshjen përfundimtare

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka deklaruar gjatë ditës së djeshme se pavarësisht vështirësive që do të hasen me shtetin serb dialogu do të vazhdojë me qëllim që të arrihet një marrëveshje përfundimtare mes dy vendeve.

Sipas tij, në 4 ose në 6 muajt e ardhshëm duhet të arrihet marrëveshja e paqes dhe e njohjes reciproke.                                            

“Pavarësisht dallimeve të mëdha që kemi për procesin dhe vështirësive që kemi parë të pakalueshme në mes Kosovës dhe Serbisë ende ekziston vullneti që ky proces të vazhdojë dhe në muajt e ardhshëm sa kanë mbetur, 6 muaj, të arrihet marrëveshja përfundimtare historike, ajo e normalizimit të marrëdhënieve, e paqes dhe e njohjes reciproke në mes shtetit të Kosovës dhe të Serbisë”, ka thënë ai.                                          

Thaçi në një konferencë për medie ka thënë se është e vështirë të dialogosh me presidentin e Serbisë, i cili mendon që Kosova është zemra e Serbisë, gjë që sipas Thaçit është larg realitetit. Ai shtoi se duhet të sakrifikojnë të dyja vendet me qëllim që të arrihet marrëveshja përfundimtare mes dy shteteve.

“Ne kemi vendosur që ky dialog të vazhdojë për hir të së ardhmes së sigurt të dy vendeve. Më mirë të negociojmë me këto vështirësi sesa t’i ndodhë dikujt një e keqe. Në procesin e ardhshëm unë shoh se do të kemi pengesa dhe vështirësi edhe më të mëdha nga ana e Serbisë, mirëpo ne mbajmë shpresa për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare”, ka deklaruar Thaçi.

Daçiq: Thaçi do kompromis, por s’ka përkrahje nga të tjerët

Në anën tjetër, ministri serb i Punëve të Jashtme Ivica Daçiq, sipas medieve serbe, ka deklaruar dje se nëse Kosova do kompromis me Serbinë nuk mund të vërë qëllime maksimaliste siç është pavarësia.                                                                                          

“Nëse duan që të arrihet te kompromisi të gjithë duhet të krijojmë atmosferë për kompromis e jo të vëmë qëllime dhe kërkesa maksimaliste”, ka thënë Daçiq.                   

Duke komentuar dialogun e Brukselit dhe deklaratat e Hashim Thaçit, ai ka thënë se e gjitha ka qenë shfaqje për opinionin e Kosovës, duke marrë parasysh se e gjithë udhëheqja e Prishtinës ka shkuar në Bruksel.                                                                       

“Ekziston tregimi se Thaçi do dialog dhe përpiqet për kompromis, por nuk po e përkrahin të tjerët. Tani Federica Mogherini i ka ftuar të gjithë në takim të shohë nëse duan të marrin pjesë në proces ose jo”, ka shtuar Daçiq.
 

Selimi: Thaçi, ura e rikthimit të Serbisë në Kosovë

Në anën tjetër, deputeti i Vetëvendosjes Rexhep Selimi për “Zërin” ka thënë që deklaratat e presidentit Thaçi se dialogu ishte i vështirë janë paralajmërim se veçse është marrë një vendim tejet i dëmshëm për Kosovën.

“Thaçi e tha vetë se takimi ishte i shkurtër dhe i vështirë. Kjo nënkupton se tashmë është marrë vendimi i keq për Kosovën dhe se nuk ka pasur çka të diskutohet më, prandaj ishte i shkurtër dhe i vështirë. Ky njeri tashmë është shitur në këtë proces dhe i ka mbetur ta shesë edhe Kosovën, nëse nuk e ka bërë një gjë të tillë deri sot”, ka thënë Selimi.

Sipas tij, përmes Thaçit Serbia do të rikthehet në Kosovë, gjë që paraqet rrezik të madh për shtetin tonë. “Thaçi është ura e rikthimit të Serbisë në Kosovë, kurse të tjerët që ishin dje me të në Bruksel janë veç kori pas tij. Kosova është në rrezik”, theksoi mes të tjerash Selimi.
 
Ulësja e Kosovës në OKB, në këmbim të kompetencave ekzekutive të serbëve në Kosovë

Analisti i çështjeve politike, Imer Mushkolaj, për “Zërin” ka thënë se vështirësitë të cilat po i përmend presidenti Thaçi duhet sqaruar. Sipas Mushkolajt, këto deklarata të Thaçit mund të nënkuptojnë një marrëveshje të dhimbshme për shtetin e Kosovës.

“Thaçi para se gjithash duhet të jetë transparent dhe të tregojë se cila ka qenë arsyeja e vështirësive, por nëse e ka bërë vetëm për opinion publik që të japë një përshtypje që takimi ka qenë i vështirë dhe siç e tha ai pritet në të ardhmen të vështirësohet, atëherë kaq nuk mjafton, sepse qytetarët presin që ai t’i sqarojë këta terma që përdor. Duhet të arsyetohet kjo deklaratë, pasi që kështu takimin nuk e vlerësoi edhe homologu i tij serb”, ka thënë Mushkolaj.

Sipas tij, duhet një transparencë më e madhe që të shpjegohet se pse ka qenë i tillë ky takim, sepse ishte takimi ndër më të shkurtrit që Thaçi ka pasur me Vuçiqin.

Ndërsa duke folur për marrëveshjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, Mushkolaj konsideron se ajo do të jetë e dhimbshme për Kosovën.

“Marrëveshja përfundimtare mes dy shteteve pritet të jetë e dhimbshme dhe në fund të dialogut me dhënien e ulëses së OKB-së për Kosovës, serbët në Kosovë në anën tjetër do ta fitojnë Asociacionin me kompetenca ekzekutive, ndoshta jo në të gjithë territorin e vendit, por në veri të vendit, i cili do të jetë një lloj autonomie për ta”, theksoi Mushkolaj.