Haradinaj: Raporti pozitiv për vizat, hap rrugë për Integrimin Evropian

Aktuale July 19, 2018 - 12:41
Detajet

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë ditës së sotme është takuar me kryetarin e Subkomitetit për Politikë të Jashtme në Parlamentin e Australisë, Chris Crewther, me të cilin bisedoi për marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimin e gjithanshëm ndërmjet dy shteteve, transmeton “zëri.info”.

Zyra e kryeministrit përmes një komunikate për media ka dhënë detaje lidhur me takimin e zhvilluar mes tyre. Haradinaj atë e njoftoi për prioritetet e Qeverisë së Kosovës.

“Qeveria e Kosovës është e interesuar për rritjen e bashkëpunimit me Australinë, në shkëmbimin e përvojave të mira dhe në avancimin e këtyre raporteve në fushën e zhvillimit ekonomik. Kosova ka shumë për të ofruar si një partner serioz”, tha kryeministri Haradinaj, përcjell “Zëri.info”.

LEXO EDHE: Veseli flet për liberalizimin e vizave me studentë të huaj

Haradinaj po ashtu ka folur edhe për përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave duke vlerësuar kështu se Kosova është në rrugën e duhur për të u integruar në Bashkimin Evropian, thuhet tutje në komunikatë.

“Kosova ka të miratuar Ligjin për Investime Strategjike dhe falë përkushtimit dhe punës së saj ka arritur të krijojë ambient të përshtatshëm për investimet e huaja, të cilat janë të mirëseardhura edhe nga shteti i Australisë”, tha kryeministri Haradinaj, duke vlerësuar edhe publikimin e raportit të fundit për Liritë Ekonomike në të cilin Kosova është ranguar mjaft lart.

 Ndërkaq, kryetari i Subkomitetit për Politikë të Jashtme në Parlamentin e Australisë, Chris CreWther, vlerësoi të arriturat e Kosovës në një dekadë shtetësi dhe e përgëzoi kryeministrin Haradinaj për marrjen e rekomandimit pozitiv për liberalizimin e vizave, në të njëjtën kohë shprehu gatishmërinë e shtetit të tij për t’i ofruar ndihmë Kosovës në fusha konkrete. /ZËRI