Nënkryetari Mujka: Muri që po ndërtohet në pjesën veriore synon ndarjen e qytetit të Mitrovicës

Aktuale July 15, 2018 - 14:41
Detajet

Nënkryetari i Komunës Jugore të Mitrovicës, Faruk Mujka, ka thënë se muri i cili po ndërtohet në pjesën e Komunës Veriore të Mitrovicës ka për qëllim ndarjen e Mitrovicës dhe shpjegon se nuk ka të bëjë fare me projektin për revitalizimin e urës së Ibrit.

Në një prononcim për Periskopin, Mujka, thotë se këtë mur që po ndërtohet sot, e kishte paralajmëruar qysh herët, por fajin për fillimin e ndërtimit, sipas tij e kanë asamblistët shqiptarë të Komunës Veriore të Mitrovicës të cilët kanë votuar ‘pro’.

“Muri që po ndërtohet nuk ka të bëjë me projektin për revitalizimin e Urës së Ibrit, por është pjesë e projkektit të shetitores në Veri. Është projekt i ndarë nga revitalizimi i Urës. Kjo është pjesë e projektit që është prezantuar për shetitoren, dhe patën thënë se nuk do të jetë mur klasik, por një pjesë ku do të vendosen lule, por që fatkeqësisht , quaje si të duash, ai është një mur, dhe ata po synojnë një ndarje fizike ndërmjet dy Komunave”, ka thënë nënkryetari i Komunës Jugore të Mitrovicës, Faruk Mujka.

LEXO EDHE: Vazhdojnë punimet në ndërtimin e murit tek ura në veri të Mitrovicës

Mujka ka thënë se përgjegjësia për këtë mur që po ndërtohet është e Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapsinor, pasi lejen për ndërtim  Komuna Veriore e Mitrovicës e ka marrë në ato institucione.

“Ne mundemi me reagu si Komunë, por ata kanë marrë leje nga Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapsinor, dhe nuk është në kompetencën e Komunës Jugore fatkeqësisht. Në momentin që e kalon urën e Ibrit është në kompetencat e Komunës Veriore dhe rrjedhimisht pasataj e Qeverisë dhe ministrive përkatëse” është shprehur Mujka për Periskopin.

Ai thotë se fajin për fillimin e ndërtimit të ketij muri e kanë asamblistët shqiptarë të Komunës Veriore.

“Këtë mur e kam paralajmëruar qysh moti, por fatkeqësisht asamblistat shqiptarë në Komunën Veriore e kanë votuar.Por tash po del e vërteta që po ndërtohet një mur. Unë them të vertetën nuk e kam parë, por kam parë disa foto në portale, dhe shpresojë që nuk do të realizohet ajo çfarë po planifikohet, por po them që fatkeqësisht është bërë me ndihmën e asamblistëve shqiptarë në Komunën Veriore”, ka thënë ai.

Nënkryetari i Komunës Jugore të Mitrovicës, Faruk Mujka, ka thënë se përmes këtyre ndërtimeve po synohet që të të mos ketë asnjë lidhje fizike dhe simbolike mes dy Komunave.

“Se gjithmonë po flitet që Mitrovica sido që të jetë do të jetë një qytet, por këta po dojnë me e shndërru një realitet ku do të jenë dy qytete, ku sdo të ketë asnjë lidhshmerie as simbolike e as fizike, ndërmjet komunave asaj Veriore dhe Jugore”, ka përfunduar Mujka për Periskopin.

Ndryshe që nga dita e shtunë kompania serbe ka vazhduar punimet e ndërtimit të murit i cili do të jetë rreth do të jetë i gjatë 37.5 metra, ndërsa lartësia e tij do të ndryshojë prej 40 deri në 70 centimetra.