Aktuale

Kuvendi, 66 deputetë “memecë”

Kuvendi, 66 deputetë “memecë”
14 korrik 2018 • 07 : 36 Foto: Laura Hasani

Lexo detajet

Mungesën në seanca të Kuvendit deputeti Ramiz Kelmendi e ka arsyetuar me problemet shëndetësore që ka. Por, sipas tij, ka deputetë që janë shëndosh e mirë, siç është rasti i Teuta Rugovës, por që nuk merr pjesë në seanca.

“I kam obligimet ndaj trajtimit shëndetësor dhe këto kanë prioritet. Ndaj të gjithë atyre që merren me këto informata përpara meje është Teuta Rugova, e cila është shëndosh e mirë dhe prapë mungon, por edhe në këtë mënyrë do të vazhdoj të jem deputet i Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Kelmendi.

Ndërsa deputeti Fisnik Ismaili për gazën “Zëri” ka thënë që ka munguar për shkak të udhëtimeve jashtë vendit me punë nga Kuvendi.
“Kam qenë në udhëtime me Kuvendin. Gjatë gjithë kohës kam qenë në udhëtime, ndoshta kam munguar dy herë për shkaqe shëndetësore”, ka thënë shkurt Ismajli.

Në bazë të pyetjeve parlamentare, sipas organizatave monitoruese, dy partitë që kanë parashtruar më së shumti pyetje janë: Grupi Parlamentar i LVV-së ka parashtruar gjithsej 73 pyetje, si dhe Grupi Parlamentar i LDK-së ka parashtruar 60 pyetje për kabinetin qeveritar.

 

KDI: Gjysma e deputetëve të Kuvendit janë pasivë

 

Agnesa Haxhiu, hulumtuese nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), organizatë kjo që vazhdimisht e monitoron punën e Kuvendit të Kosovës, në prononcimin e saj dhënë për gazetën “Zëri” ka thënë që në bazë të monitorimit gjysma e deputetëve janë pasivë.
 

“Gjysma e deputetëve të Kuvendit të Kosovës janë pasivë në ushtrimin e funksionit të tyre si deputetë të Kuvendit qoftë për mospjesëmarrje në punimet e Kuvendit ose edhe duke mos parashtruar pyetje për anëtarët e kabinetit qeveritar, ka thënë ajo.

Sipas saj, problem në ngecjen e punëve të Kuvendit të Kosovës paraqet fakti që shumica e deputetëve braktisin seancat ende pa përfunduar puna.

“Në bazë të listave të nënshkrimeve të Kuvendit mbi 90% e deputetëve janë të pranishëm në çdo seancë të mbajtur gjatë këtij viti. Mirëpo, problemi qëndron në atë se të njëjtit nuk kanë qëndruar në sallë deri në përmbyllje të punimeve, duke e pamundësuar mbarëvajtjen e seancave për shkak të mungesës së kuorumit, deputetët që kanë munguar më së shumti në seanca e që nuk kanë marrë pjesë gati në 50% të seancave janë Ramiz Kelmendi, Gani Dreshaj dhe Teuta Rugova”, ka thënë më tutje Haxhiu.

Ndërkaq sa u përket pyetjeve parlamentare, sipas Haxhiut, 66 deputetë të Kuvendit të Kosovës asnjëherë nuk i kanë parashtruar pyetje kabinetit qeveritar.

“Grupi Parlamentar i LVV-së ka parashtruar gjithsej 73 pyetje dhe Grupi Parlamentar i LDK-së ka parashtruar 60 pyetje për kabinetin qeveritar. Për periudhën shtator - maj të kësaj legjislature prej 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës 54 prej tyre kanë parashtruar pyetje parlamentare, përderisa 66 deputetë të tjerë nuk kanë parashtruar asnjë pyetje parlamentare. Deputetët me më së shumti pyetje janë: Avdullah Hoti (11), Shqipe Pantina (11) Arbër Rexhaj (11), Albulena Haxhiu (10), Ismajl Kurteshi (10), Drita Millaku (10), Besa Baftiu (9) e Arbërie Nagavci (8)”, ka thënë ajo.

 

D4D: Rregullorja e re, urgjente për Kuvendin

 

Rasim Alija, nga organizata “Demokracia për Zhvillim” (D4D), për “Zërin” ka thënë që ky pasivitet është duke i sjellë pasoja të mëdha vendit.
“Kjo gjendje vazhdon ta dëmtojë në masë të madhe procedimin e ligjeve dhe përmbushjen e obligimeve për ndryshimet e legjislacionit/reformave të parapara. Projektet dhe ligjet vazhdojnë të barten nga viti në vit, duke mos i funksionalizuar dhe duke mbajtur peng reforma të rëndësishme, siç janë reforma zgjedhore, Ligji i Punës, reforma e administratës publike e një mori reformash të tjera”, ka thënë ai.

Sipas tij, është nevojë urgjente një rregullore e re në Kuvendin e Kosovës, si dhe përpos kësaj edhe partitë duhet që në listat zgjedhore të vendosin persona që do t’i qëndrojnë besnik punës së tyre.

“Kuvendit i duhet sa më parë rregullorja e re e punës, e cila parasheh masa në rastet kur kemi gjendje të tillë të një pasiviteti të deputetëve. Subjektet politike do të duhej t’u kushtonin shumë rëndësi listave zgjedhore dhe kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e ardhshme, duke përcaktuar kritere të qarta. Ndërsa qytetarët do të duhej që të mendoheshin dy herë për përzgjedhjen e deputetëve të tyre kurdo që do të mbaheshin zgjedhjet”, ka thënë Alija.
 

Nagavci: Duhet të ketë zgjedhje!

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila sipas monitorimit është ndër deputetët më të rregullt në Kuvend, në prononcimin e saj dhënë gazetës “Zëri” ka thënë që vendit i duhen zgjedhje të reja.

 

“Zgjidhja më e mirë janë zgjedhjet, kjo Qeveri që ka minimumin e numrave nuk e ka as minimumin e nevojshëm të marrjes së vendimeve dhe në mënyrë joprofesionale po mundohet të shtyjë përpara çështje dhe të krijojë një pamje të rrejshme edhe për opinionin që ne po funksionojmë. Qytetarët me anë të zgjedhjeve do të vendosin për deputetë të përgjegjshëm, sepse në radhë të parë kemi obligim ndaj qytetarëve”, ka thënë Nagavci.

Përveç kësaj, ajo ka arsyetuar bojkotimin e seancave nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë që këtë po e bëjnë për interesin e qytetarëve.

“Si Lëvizje Vetëvendosje ne kemi qenë të rregullt nëpër seanca, shumica e deputetëve kanë qenë aty. Por, ka pasur momente që për shkak të qëndrimeve tona politike të pamundësojmë shtyrjen përpara të agjendave, të cilat nuk janë në interes të vendit, kemi pasur raste kur kemi vendosur që të mos marrim pjesë në votim, gjë që është legjitime”, ka thënë më tutje Nagavci./ZËRI

© zëri.info