Asociacioni përçan Qeverinë dhe ekipin menaxhues

Aktuale July 12, 2018 - 07:47
Mësoni më shumë detaje

Ekipi menaxhues ka bërë të ditur se është duke e përgatitur draftin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe sipas Marrëveshjes së Brukselit dhe se do të prezantohet para Bashkimit Evropian. Ndërsa Qeveria e Kosovës ka dhënë kritika për raportin e punës së këtij ekipi, duke thënë se statuti do të vlerësohet nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Ekipi menaxhues për draftimin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe ka bërë të ditur se është duke e përgatitur këtë dokument duke u bazuar në Marrëveshjen e Brukselit dhe se i njëjti do të prezantohet në kryeqendrën evropiane.

Ndërkohë, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë dhënë kritika për përmbajtjen e raportit të punës së ekipi menaxhues, duke thënë se është antikushtetues.

Ata madje kanë thënë se fjalën përfundimtare për statutin e Asociacionit do ta ketë Gjykata Kushtetuese e Kosovës, shkruan më tutje "Zëri".

Ekipi menaxhues përmes një njoftimi për medie ka thënë se puna e ekipit bazohet në rezultatet e dialogut të Brukselit dhe në Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale.

“Në punën e mëparshme ne kemi pasur diskutime me një numër të grupeve profesionale të ekspertëve, me përfaqësues të pushtetit lokal, si dhe me ministritë përkatëse dhe si një organ profesional me një mandat dhe kompetenca të përcaktuara në mënyrë të qartë ne besojmë që çdo përpjekje për politizimin e aktivitetet tona është kundërproduktive dhe dëmton procesin e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës”, thuhet në fund të komunikatës.

Qeveria: Prishtina e ka fjalën e fundit për formimin e Asociacionit

Drejtori i Zyrës së Informimit në Qeverinë e Kosovës, Halil Matoshi, ka thënë për “Zërin” që raporti i punës që i është dërguar Qeverisë së Kosovës është antikushtetues dhe si i tillë nuk do të pranohet nga Qeveria e Kosovës.

“Ata e kanë dërguar draftin e punës nga takimet dhe nga mbledhjet që i kanë pasur, por ende statuti nuk është gati. Në atë raport të punës së ekipit menaxhues ka kërkesa të skajshme politike dhe ata mund ta dërgojnë ku të donë, por Prishtina është ajo që vendos lidhur me Asociacionin e Komunave Serbe, përkatësisht pas vlerësimit që statutin e saj do ta bëjë Gjykata Kushtetuese”, ka thënë Matoshi.

Ai mes të tjerash ka theksuar se Qeveria nuk do të pranojnë kurrfarë dokumenti që bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

“Asnjë kërkesë që bie ndesh me frymën e Kushtetutës së Kosovës dhe të ligjeve të saj Qeveria e Kosovës nuk e përkrah dhe është absurde që ta përkrahë”, ka thënë ai.

Në anën tjetër deputeti nga AAK-ja, Muharrem Nitaj, ka thënë për “Zërin” që Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës nuk do të lejojnë që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive.

“Asociacioni dihet se mbi çfarë bazash mund të krijohet... Ndërsa lidhur me atë se a ka rrezik që Kosova t’i japë kompetenca ekzekutive këtij Asociacioni, natyrisht se ai rrezik gjithmonë ekziston, por Parlamenti dhe Qeveria duhet të jenë të përgjegjshme dhe të mos e pranojnë këtë rrezik”, ka thënë Nitaj.

LDK-ja i kërkon Qeverisë që statuti për Asociacionin të jetë sipas Kushtetutës
 
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti, duke folur për statutin e Asociacionit të Komunave Serbe, ka thënë që ai duhet të hartohet në bazë të Kushtetutës së Kosovës.

Hoti madje ka kërkuar që Qeveria të jetë e përfshirë në hartimin e këtij draftstatuti.

“Qeveria do të duhej të ishte e involvuar në përgatitjen e draftit të statutit të Asociacionit e jo të kundërshtojë tash sikur ky draft të ishte përgatitur nga dikush i huaj. Lënia e këtij procesi pas dore e ka sjellë këtë situatë. Kryeministri deklaronte me krenari se nuk e ka hapur fare dosjen e statutit të Asociacionit. Tash ballafaqohet me problem”, ka deklaruar Hoti.

Ai ka kërkuar që ky statut të jetë vetëm në bazë të Kushtetutës së Kosovës.

“Statuti vetëm sipas opinionit të Gjykatës Kushtetuese, çdo devijim është antikushtetues dhe i papranueshëm”, ka shtuar ai.

Nagavci: Asociacioni nuk duhet të lejohet të ndodhë

Deputetja e Vetëvendosjes Arbërie Nagavci ka thënë që formimi i Asociacionit të Komunave Serbe është proces i dëmshëm për Kosovën dhe duhet të ndalohet.

“Asociacioni është një çështje shumë e dëmshme për Kosovën dhe nuk duhet të lejohet të ndodhë, përndryshe pasojat për Kosovën do të jenë jashtëzakonisht të këqija. Duke qenë se tash e kemi edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, është e qartë që kjo duhet të jetë çështje e mbyllur për Kosovën dhe nuk duhet të vazhdohet asnjë hap në këtë drejtim”, ka thënë ajo.

Ajo mes të tjerash ka potencuar se Kosova rrezikon që të përjetojë rastin e njëjtë sikurse Bosnja, ku në këtë pozitë që ky shtet gjendet nuk mund të marrë asnjë vendim në cilëndo fushë, pavarësisht se Serbia e ka njohur atë.

Nagavci ka paralajmëruar në mes të tjerash që partia e saj do të përdorë të gjitha mjetet që ka në dispozicion që të mos lejoj të ndodhë formimi i Asociacionit.

“Lëvizja do të përdorë të gjitha mjetet që i ka në dispozicion që të pamundësojë të futemi në këtë qorrsokak, nga i cili do të ishte e pamundur të kthehemi mbrapa”, ka thënë ajo.

Mushkolaj: Asociacioni me kompetenca ekzekutive, rrezik për Kosovën

Në anën tjetër analisti Imer Mushkolaj, duke folur për statutin e Asociacionit, ka thënë që raporti i punës që i është dërguar Qeverisë së Kosovës është paralajmërim se Asociacioni mund të ketë edhe kompetenca ekzekutive.

“Kjo përpjekje e serbëve të Kosovës është e rrezikshme në kuadër të ekipit menaxhues që t’i tejkalojë kompetencat që i ka, ata kanë kompetenca vetëm që të shkruajnë një draftstatut, i cili do të miratohet nga Qeveria e Kosovës e pastaj t’i nënshtrohet edhe Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë ai.

Sipas tij, raporti i punës që Qeveria vlerëson se është antikushtetues është veprim i rrezikshëm nga ana e serbëve të Kosovës.

“Ky kalim i hapave nga ana e serbëve është i rrezikshëm dhe serbët e bëjnë si masë presioni që megjithatë Asociacioni të formohet sipas Marrëveshjes së Brukselit me kompetenca ekzekutive e jo ashtu siç e ka vlerësuar Gjykata Kushtetuese”, ka thënë Mushkolaj ,duke shtuar se “Serbët do të provojnë që të bëjnë gjithçka që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive”.

Mirëpo, sipas tij, Qeveria e Kosovës nuk duhet të pranojë asnjë ultimatum të serbëve në këtë rast.

“Mendoj që megjithatë Asociacioni do të ketë kompetenca ekzekutive dhe me ndryshime të Kushtetutës së Kosovës që do të bëhet në të ardhmen pas arritjes së marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Asociacioni do të akomodohet si një lloj autonomie për serbët e veriut, ideja është që Asociacioni të bëhet vetëm për 4 komunat me shumicë serbe në veri, por jo edhe në komunat e tjera të Kosovës”, ka thënë ai.

Sipas tij, kjo do të jetë një lloj kompromisi në bisedime mes dy shteteve.