Mustafa konfirmon takimin me Haradinajn, tregon çfarë kanë biseduar

Aktuale July 08, 2018 - 11:59
Detajet

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK_, Isa Mustafa përmes një postimi në “Facebook”, ka treguar se mbrëmë është takuar me kryeministrin e vendit, Ramush Haradinajn, transmeton “Zëri.info”.

Sipas Mustafës të dy kanë biseduar për qëndrimet lidhur me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Mbrëmë prita Kryeministrin Haradinaj, me të cilin diskutuam lidhur me qëndrimet e LDK-së për dialogun me Serbinë, qëndrime këto të cilat i kemi bërë publike si Kryesi e LDK-së dhe nga takimi me kryetarët e degëve të LDK-së”, ka shkruar Mustafa.

LEXO EDHE: Mustafa konfirmon takimin me Haradinajn, tregon çfarë kanë biseduar

Tutje ai ka bërë të ditur se përveç Haradinajt atë e kanë vizituar edhe liderë tjerë kosovar si dhe diplomat të huaj.

“Pas kthimit tim në Kosovë, para tre muajsh, ku akoma jam në proces të rehabilitimit fizioterapeutik, më kanë vizituar Presidenti Thaçi, Kryeministri Haradinaj, zv.Kryeministri Limaj, zv.Kryeministri Pacolli si dhe Kryetari i VV-së, z.Kurti.

Jam takuar me Ambasadorin e SHBA-së, Greg Delaëie, me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Ruairí O'Connell, më ka vizituar Ambasadorja e BE-së, znj.Apostolova dhe Shefja e EULEX-it, znj.Papadopoulou. Të gjithëve u jam falenderues për kujdesin dhe korrektësinë e treguar”, ka shkruar tutje ai.

Përsa i përket temave madhore të vendit Mustafa ka thënë se ai së bashku me partinë e tij kanë një qëndrim të unifikuar.

“Lidhja Demokratike e Kosovës ka dhënë kontributin e saj në të gjitha fazat e shtetndërtimit të Kosovës dhe këtë kontribut po e jep edhe tani si subjekt opozitar parlamentar.  LDK është unike në çështjet madhore siç është edhe pozicionimi i saj lidhur me fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë.  Të gjitha qëndrimet e LDK-së janë të koordinuara me Kryesinë e LDK-së, me nënkryetarët e LDK-së, me sekretarin e përgjithshëm, me shefin e Grupit Parlamentar, me nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e LDK-së dhe me kryetarët e degëve të LDK-së. /ZËRI