Thaçi dhe Ndihmës-sekretari amerikan bisedojnë për dialogun me Serbinë

Aktuale July 02, 2018 - 15:30
Ja për çka u pajtuan

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka zhvilluar një bisedë telefonike me Ndihmës-Sekretarin e Shtetit të SHBA-së për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Wess Mitchell lidhur me dialogun me Serbinë, transmeton “Zeri.info”.

“Sapo zhvillova një bisedë telefonike me Ndihmës-Sekretarin e Shtetit të SHBA-së për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Wess Mitchell, me të cilin bashkëbiseduam për forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe për fazën e fundit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë’, ka njoftuar Thaçi përmes një shkrimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social “Facebook”.

Ai më tej ka thënë se janë pajtuar për intensifikim të dialogut.

“Ne u pajtuam për intensifikimin e dialogut dhe domosdoshmërinë e arritjes së marrëveshjes përfundimtare, ligjërisht obliguese me Serbinë. Dialogu dhe marrëveshja përfundimtare janë mënyrë e vetme për t’i hapur rrugë integrimeve euroatlantike për Kosovën dhe për të siguruar paqen dhe stabilitetit afatgjatë në Ballkanin Perëndimor. Kosova, si gjithmonë, gëzon mbështetjen e palëkundur amerikane edhe në fazën e fundit përfundimtare të këtij procesi të vështirë, por jo të pamundur për t’u përmbyllur me marrëveshje”, ka shkruar Thaçi. /Zëri/