Heldt: Ndarja e Kosovës destabilizon rajonin dhe më gjerë

Aktuale June 25, 2018 - 07:44
Intervistë ekskluzive me ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Christian Heldt

Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Christian Heldt, gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ka theksuar se ndarja e Kosovës do të krijonte potencial për efekt destabilizues në rajon dhe më gjerë, prandaj shteti i tij është kategorikisht kundër ndarjes

Gjermania është kategorikisht kundër ndarjes së Kosovës, pasi që beson se ndryshimet e kufijve nuk do të çonin në një zgjidhje të qëndrueshme mes dy vendeve.

Kështu ka deklaruar gjatë një interviste ekskluzive për gazetën Zëriambasadori i Gjermanisë në Prishtinë Christian Heldt, duke shtuar se ndarja e Kosovës do të krijonte potencial për efekt destabilizues në rajon dhe më gjerë.

“Mua nuk ka mundur askush të më japë përgjigje bindëse në pyetjen se cilat probleme do t’i zgjidhte një ndarje e tillë. Mos vallë do të sillte ndonjë lloj përmirësimi për shumicën e serbëve të Kosovës, të cilët jetojnë në jug të Ibrit? A do ta përmirësonte situatën e qendrave historike dhe fetare, siç janë manastiret ortodokse serbe? A mos do ta fuqizonte përfaqësimin e komunitetit serb brenda shoqërisë kosovare? Jo!”, është shprehur i prerë i pari i Gjermanisë në Kosovë.

Sipas tij, në vend të ndarjes së Kosovës qëllimi do të duhej të ishte përqendrimi te kushtet jetësore të popullatës serbe në përgjithësi në Kosovë dhe jo vetëm të disa qarqeve, siç thotë ai, të privilegjuara.

Ambasadori Heldt gjatë kësaj interviste për Zërin i ka konsideruar si të tmerrshme sulmet ndaj grupeve të pelegrinëve ortodoksë serbë dhe gjuajtjet me granata dore ndaj shtëpive të pjesëtarëve serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Zëri: Z. Heldt, në prag të nisjes së fazës finale të dialogut me Serbinë ka filluar të qarkullojë ideja për ndarjen e Kosovës. Cili është qëndrimi i Gjermanisë lidhur me këtë çështje dhe a e shihni ndarjen e veriut të Kosovës si zgjidhje?

Heldt:
Për mua është e papërgjegjshme që ende në disa qarqe qarkullojnë ide të ndryshme për ndarje: Gjermania, sikurse edhe shumica absolute e partnerëve të saj, qëndron pa asnjë dyshim prapa integritetit territorial të Kosovës. Mua nuk ka mundur askush të më japë përgjigje bindëse në pyetjen se cilat probleme do t’i zgjidhka një ndarje e tillë. Mos vallë do të sillte ndonjë lloj përmirësimi për shumicën e serbëve të Kosovës, të cilët jetojnë në jug të Ibrit? A do të përmirësonte situatën e qendrave historike dhe fetare, siç janë manastiret ortodokse serbe? A mos do ta fuqizonte përfaqësimin e komunitetit serb brenda shoqërisë kosovare? Jo! Për të thënë më qartë: Gjermania nuk beson që ndryshimet e kufijve do të çonin në një zgjidhje të qëndrueshme në mes të Serbisë dhe Kosovës. Përkundrazi: ato do të krijonin potencial për efekte destabilizuese në rajon dhe përtej tij. Për këtë arsye ne jemi kategorikisht kundër.

Të tërhiqen dhe të mos tremben investitorët e huaj!

Zëri: Z. ambasador, sipas jush, në cilat çështje do të duhej fokusuar në vend të ndarjes?

Heldt:
Qëllimi do të duhej të ishte përqendrimi te kushtet jetësore të popullatës serbe në përgjithësi në Kosovë dhe jo vetëm të disa qarqeve të privilegjuara. Për ta konkretizuar pozitën kushtetuese të komuniteteve në Kosovë unë shoh edhe mundësi veprimi: sepse a u intereson qytetarëve të thjeshtë në veri të Mitrovicës ose në Graçanicë më shumë ruajtja e vizioneve politike nga e kaluara apo e ardhmja e tyre dhe e fëmijëve të tyre? Këtu bëhet fjalë për perspektiva, jo vetëm për të vepruar në parandalimin e zhvendosjes së komunitetit serb të Kosovës. Bëhet fjalë për pjesëmarrje politike, e cila nënkuptohet si kontribut vërtet i pavarur në proceset politike në këtë vend dhe si angazhim për komunitetin serb në Kosovë. Bëhet fjalë për pjesëmarrje në ekonomi, në të cilën duhet të krijohet edhe një ambient, që për kryefjalë ka shtetin ligjor e që mundëson tërheqjen dhe jo trembjen e investitorëve. Bëhet fjalë për pjesëmarrje shoqërore, në të cilën një komunitet i vetëdijshëm serb në Kosovë kontribuon në mënyrë aktive për një jetë të përbashkët me të gjitha kontributet historike dhe grupet e ndryshme etnike, të cilat e kanë karakterizuar këtë rajon përgjatë shekujve. Për t’i arritur të gjitha këto qëllime Kosova duhet të bëjë përparime të gjithmbarshme në fuqizimin e institucioneve të saj, në reformat në drejtësi, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Këtë gjë mund ta bëjë në qoftë se ajo, pa qenë e ngarkuar nga mosmarrëveshjet me Serbinë dhe si anëtare me të drejta të plota në bashkësinë ndërkombëtare, bën përparime në rrugën e saj drejt BE-së.

Më mungon mirëkuptimi për bllokadat politike në Kuvend

Zëri: Çka e pengon përmbushjen e këtij qëllimi sipas këndvështrimit tuaj?

Heldt:
E rëndësishme do të ishte një përpjekje e veçantë e popullatës shumicë me të gjithë historinë e re të vështirë për t’ua afruar grupeve më të vogla të popullsisë shikuar nga aspekti statistikor. Secila histori meriton respekt. Këtu bën pjesë që autoritetet shtetërore të Kosovës, të cilat kanë obligime ndaj secilit qytetar të këtij vendi në mënyrë të barabartë, të jenë posaçërisht vigjilente. Sulmet ndaj grupeve të pelegrinëve ortodoksë serbë i konsideroj të tmerrshme, por gjithashtu edhe gjuajtjet me granata dore ndaj shtëpive familjare të pjesëtarëve serbë të FSK-së. Unë nuk mund ta arsyetoj kur vendimet e gjykatave më të larta të Kosovës për kthim të pronës së Kishës Ortodokse Serbe thjesht injorohen. Gjithashtu më mungon mirëkuptimi për bllokadat politike në Kuvendin e Kosovës, të cilat qartazi janë në kundërshtim me interesat origjinale të të gjithë popullsisë në Kosovë.
Kjo listë do të mund të vazhdohej, mirëpo unë po fokusohem në çështjet që rëndojnë mbi qytetarët dhe në atë çfarë do të ishte drejtpërdrejt në të mirë të qytetarëve. Kosova gjendet para sfidave të shumta për të krijuar perspektiva të mëtejme për të gjithë qytetarët. Për këtë arsye: Edhe sa do të duhej të vazhdonin pasiguritë ekzistuese? Kujt i shërbejnë dhe kë e dëmtojnë ato? Ato gjithsesi, edhe atë përtej kufijve, e dëmtojnë perceptimin e këtij rajoni në BE.

Në BE s’ka vend për recetë gjeopolitike të shekullit të kaluar

Zëri: Sa e dëmtojnë këto pasiguri perceptimin e Kosovës dhe të rajonit në BE dhe si mund të mënjanohen ato?

Heldt:
Kujt vallë në shtetet anëtare të BE-së do të duhej transmetuar që kjo strehë e pasigurive do të mundë të anëtarësohet në BE pa bërë ndryshime për të mirë? Kjo është arsyeja pse unë shpresoj që këto do të qartësohen brenda dialogut dhe për këtë arsye shpresoj që do të ketë biseda substanciale në interes të të gjithë njerëzve. Është koha e fundit për t’i tejkaluar plagët e së kaluarës. Pas tmerreve të shekullit XX, në të cilin ne gjermanët kemi bërë mëkate anekënd këtij kontinenti, nga vepra evropiane e bashkimit të njerëzve të guximshëm është krijuar diçka e re: Bashkimi Evropian në fakt është shumë më shumë sesa një zonë e lirë tregtare, ai është receta për bashkëjetesë në diversitet. Për këtë arsye unë jam evropian i bindur. Për këtë arsye dëshiroj një bashkëjetesë në BE, e cila e shpreh diversitetin historik të Kosovës njëjtë sikurse diversitetin e mbarë rajonit. Aty nuk ka më vend për receta gjeopolitike të shekullit XIX dhe XX; Evropë do të thotë ndërlidhje dhe jo ndarje e diversitetit. Guxim për ta arritur këtë u dëshiroj të gjithë pjesëmarrësve!