Yagcilar: Ligji i ri e rrëzon rritjen e pagave të qeveritarëve

Aktuale June 23, 2018 - 08:11
Lexo detajet

 

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ka deklaruar se me rastin e miratimit të Ligjit të ri për Pagat do të bjerë poshtë vendimi i fundit për rritjen e pagave të qeveritarëve, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Ministria e Administratës Publike është në prag të dërgimit në Qeveri të disa projektligjeve, duke përfshirë këtu edhe Ligjin e ri për Pagat, me të cilin rrëzohet vendimi i fundit për rritjen e pagave të qeveritarëve. Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ministri i Administratës Publike të Kosovës, Mahir Yagcilar, duke shtuar se të gjitha vendimet që prekin çështjen e pagave duhet të jenë në harmoni me ligjin, në të kundërtën do të anulohen. “Janë disa vendime të ndryshme sa i përket çështjes së pagave, duke përfshirë edhe këtë të fundit për rritjen e pagave të qeveritarëve, i cili nuk është antikushtetues, por kemi vlerësuar se për këtë çështje na duhet një ligj dhe me miratimin e tij në Kuvend atëherë të gjitha vendimet tjera bien”, është shprehur Yagcilar.

Gjatë kësaj interviste për “Zërin” ministri Yagcilar ka folur edhe për funksionimin e qeverisë “Haradinaj” dhe për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në vend për udhëheqjen e bisedimeve nga presidenti Thaçi, si dhe për dëbimin nga Kosova të gjashtë “gylenistëve” nga Kosova, duke mos e vlerësuar si gabim një veprim të tillë të institucioneve kosovare, etj.


Përkrahja nga Bashkimi Evropian

Zëri: Ditë më parë shefja e BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova, kritikoi rritjen e pagave të qeveritarëve pa miratimin e Ligjit të ri për Paga. Çka po ndodh me këtë ligj, kur pritet të miratohet?

Yagcilar: Është duke u punuar jo vetëm për këtë ligj, por edhe për ligje tjera si: Ligji për Organizimin e Administratës Shtetërore dhe Ligji për Zyrtarët Publikë. Këto tri ligje në pako do të procedohen pas përfundimit të diskutimeve publike, të cilat pritet të finalizohen në fund të javës tjetër dhe pastaj menjëherë do të procedohen në Qeveri për t’u kaluar më tutje në procedurat parlamentare, sepse këto çështje janë ligjore dhe duhet të vazhdohet me këto procedura. Për këto ligje prapë do të punohet së bashku me komisionet e me deputetët dhe besoj që edhe me debatet publike ligjet do të plotësohen e do të përmirësohen që të jenë sa më të zbatueshme në dobi të funksionimit të shtetit, por edhe në dobi të qytetarëve, sepse me këto tri ligje krijohet edhe organizimi më i mirë në aspektin e ofrimit të shërbimeve edhe nga ana e Administratës.

Zëri: A vlerësoni se është e jashtëligjshme rritja e pagave qeveritare pa bazë ligjore, pasi thuhet se ligji njëherë e përgjithmonë do t’i rregullojë pagat që paguhen nga buxheti me kritere të drejta?

Yagcilar: Vendimi i Qeverisë është konstatimi i Gjykatës Kushtetuese që nuk është kundër ligjit, por në të ardhmen edhe me këtë vendim kërkohet të aprovohet ligji. Faktikisht vendimi i Qeverisë nuk është antikushtetues, është vlerësuar kështu dhe në këtë aspekt besoj që nuk ekziston ndonjë dilemë. Por ka nevojë për Ligjin për Pagat sepse momentalisht fusha e pagave nuk është e rregulluar me një ligj bazik. Tash jemi në fazën finale të përfundimit të projektligjeve e të procedimit në Qeveri dhe fusha e organizmit të Administratës Publike bashkë me pagat e sektorit publik do të rregullohet me ligj. Po ashtu me Ligjin për Pagat do të rregullohen pastaj të gjitha vendimet të cilat prekin çështjen e pagave, të cilat duhet të jenë në përputhje me ligjin ose të gjitha vendimet do të anulohen. Janë shumë vendime të ndryshme sa i përket pagave dhe një ndër këto vendime është edhe ai i Qeverisë, që nuk është kundërkushtetues, por të gjithë e kemi vlerësuar se duhet edhe një ligj dhe kur bëhet ligji, atëherë të gjitha vendimet bien. Janë shumë ligje të cilat prekin këtë çështje, por nuk e rregullojnë në saktësi atë, ndërsa ky ligj ka për qëllim t’i rregullojë të gjitha pagat, mënyrat, kompetencat, detyrat e të gjithë përfituesve nga buxheti i Kosovës, duke bërë renditjen e nivelizimin që do të vlejë për të gjithë. Në këtë aspekt deri më tani është vepruar me vendime të ndryshme dhe besojmë që me procedimin e mëtutjeshme në Qeveri kjo çështje do të rregullohet dhe pastaj vendimet nuk do të vlejnë.

Zëri: Bashkimi Evropian e mbështet këtë ligj si pjesë e procesit të reformave në administratën publike. Çfarë përkrahje financiare ka dhënë BE-ja për reformat e tilla?

Yagcilar: Po, ashtu është. Qe një kohë të gjatë jemi duke punuar me Komisionin Evropian dhe ky ka ndihmuar drejtpërdrejt në ekspertizën sa i përket hartimit të ligjit, jo vetëm të Ligjit për Pagat, por edhe Ligjin për Administratën Shtetërore, edhe Ligjin për Zyrtarët Publikë. Gjithashtu së bashku me Komisionin Evropian jemi duke zbatuar projektin për zbatimin e reformave në administratën publike, sidomos në zbatimin e procedurave të përgjithshme administrative. Dje Qeveria përmes Ministrisë së Integrimeve Evropiane dhe Ministrisë së Administratës Publike tashmë kemi nënshkruar kontratën për përkrahjen sektoriale dhe buxhetore dhe besoj që pas procedimit të këtyre tri ligjeve në Qeveri dhe në Parlament do të bëhet edhe një përkrahje fillestare dhe brenda tre vjetësh ne presim që nëse i zbatojmë strategjitë, dokumentet dhe ligjet në mënyrë të duhur do të kemi mundësi të përfitojmë edhe mjete drejtpërdrejt për sektorin e modernizimit të Administratës Publike.

80 mijë të punësuar në administratë

Zëri: A do të ketë efekte zinxhirore edhe në sektorët e tjerë rritja e pagave për qeveritarët?

Yagcilar: Ligji për Pagat sipas konceptit dhe Projektligjit përfshin të gjithë përfituesit nga buxheti i Republikës së Kosovës në sistemin e pagesave që është sistem i unifikuar, i cili zbatohet përmes Ministrisë së Financave e që para dy vjetëve ishte në Ministrinë e Administratës Publike. Përmes këtij sistemi të unifikuar çdo muaj bëhet pagesa për të gjithë përfituesit  e buxhetit shtetëror e që sipas statistikave tona përafërsisht bëjnë pjesë 80 mijë njerëz, mirëpo afër 75 mijë njerëz janë me punë primare dhe punë me orar të plotë. Po, të gjithë qytetarët të cilët marrin pagë prej buxhetit të Kosovës do të jenë nën ombrellën e këtij ligji, ku do të përcaktohen të drejtat, kompetencat e mundësitë e përfitimit të shtesave dhe të pagës bazë sipas vendit të punës.

Zëri: Thatë që numri i përgjithshëm i të punësuarve në administratë është 80 mijë, a po rritet ky numër në vazhdimësi pasi sipas Ligjit për Reformim të Administratës mund të ketë edhe zvogëlim të të punësuarve?

Yagcilar: Numri i të punësuarve nëpër institucione është i rregulluar me Ligjin e Buxhetit dhe asnjë numër nuk mund të tejkalohet nga asnjë institucion pa ndryshuar Ligji i Buxhetit paraprakisht. Sipas statistikave tona gjithmonë janë 75 mijë njerëz që marrin pagë dhe janë me punë primare dhe me orar të plotë. Rritja e numrit mund të bëhet përmes pëlqimit sa i përket organizimit të brendshëm të institucioneve, pastaj procedohet në Ministrinë e Financave, për aspekt të vlerësimit financiar dhe nga aspekti i përputhjes me Ligjin e Buxhetit. Pra, asnjë rritje nuk mund të bëhet jashtë Ligjit të Buxhetit dhe jashtë Ligjit për Administratën Shtetërore.

Zëri: Cilat janë projektet kryesore në të cilat është e përqendruar Ministria që ju e drejtoni?

Yagcilar: Ne jemi të përqendruar në zhvillimin e ofrimit të shërbimeve më cilësore e më transparente edhe nga aspekti kohor, edhe nga ai financiar që të bëhen më të përballueshme për qytetarët. Këtë vit ne do të vazhdojmë në fushën e modernizimit të Administratës Publike përmes krijimit të pikave ku do të ofrohen shërbime të përbashkëta edhe në nivelin qendror, edhe ne atë lokal. Planifikojmë të fillojmë me dy pilotprojekte dhe pastaj të vazhdojmë më tutje, nëpër institucione të kryejmë sistemin e ndërveprimit në teknologjinë informative, ku do të funksionojnë në harmoni të gjitha sistemet e ndryshme, me qëllim që shërbimet administrative nga Administrata e Nivelit Qendror dhe Lokal të ofrohet në mënyrë më efikase duke mos humbur qytetarët kohë ose të paguajnë për një shërbim në vende të ndryshme, por ajo të bëhet në një vend.

S’ka zgjedhje, Qeveria vazhdon punën

Zëri: Si e vlerësoni funksionimin e koalicionit qeverisës, i cili nuk i ka më shumë se 52 numra në Kuvend? A do të ketë zgjedhje të parakohshme në Kosovë nëse po kur, apo Qeveria mund ta çojë mandatin deri në fund?

Yagcilar: Sa i përket funksionimit të Qeverisë ne jemi duke vazhduar me punën dhe shihet puna që është bërë nga dikasteret përkatëse, respektivisht nga Qeveria. Unë si ministër, e që besoj edhe ministrat tjerë që janë në punë dhe janë duke realizuar të gjitha ato objektiva dhe punë të cilat i kanë. Mirëpo në çdo shtet demokratik në çështje politike ekzistojnë kërkesat për zgjedhje nga opozita, por kur krijohen kushtet të bëhen zgjedhjet dhe të bëhet mocioni i rrëzimit të Qeverisë, ose kur krijohen bllokadat e mëdha të funksionimit të shtetit, atëherë krijohen edhe kushtet që të mbahen zgjedhjet. Mendoj që në Kosovë tash për tash ende nuk janë krijuar këto kushte, Qeveria është duke punuar me përkushtim dhe besoj që do të vazhdohet puna më tutje. Mirëpo zgjedhjet janë gjithmonë çështje që mund të ndodhin.

Zëri: Këtë të diele presidenti Thaçi bashkë me homologun e tij serb Vuçiq nisin fazën finale të dialogut. A e përkrah subjekti juaj politik këtë dialog që udhëhiqet nga Thaçi dhe si e vlerësoni mungesën e një konsensusi të brendshëm?

Yagcilar: Është e nevojshme të zhvillohet dhe të bëhet ky dialog për zgjidhjen e çështjeve të cilat pastaj do të afektojnë drejtpërdrejt në jetën më të mirë të qytetarëve, në këtë rast edhe të Republikës së Kosovës, por edhe të Serbisë. Është shumë e rëndësishme që dialogu të vazhdohet dhe vendimet të cilat merren aty të zbatohen sepse qytetarët kërkojnë një jetë më të mirë. Nga ana tjetër, çdo shtet ka hierarkinë e vet e cila fillon nga pozita e presidentit dhe pastaj ndërmjet institucioneve tjera. Është shumë me rëndësi që të ekzistojë konsensusi polik, sepse atëherë shteti do të jetë shumë më i fuqishëm dhe më i suksesshëm, por duke pritur këto çështje nuk duhet të humbet kohë. Besoj që presidenti është personi i zgjedhur nga Kuvendi, Kuvendi nga populli dhe në këtë aspekt ka mandatin që të punojë dhe të realizojë takime në emër të shtetit, por do të ishte mirë të ketë edhe përkrahje më të gjerë nga subjektet tjera politike.

 Kosova nuk bëri gabim me dëbimin e “gylenistëve”

Zëri: Drejtuesit e institucioneve të Kosovës shpresojnë se këtë vit qytetarët do të lëvizin pa viza në BE. A mendoni edhe ju kështu, apo nuk duhet dhënë premtime duke potencuar data të lëvizjes pa viza?

Yagcilar: Besoj si Qeveria, ashtu edhe populli shumicën e çështjeve i kemi realizuar e tash është e pritshme të bëhet liberalizimi i vizave dhe duhet të bëhet, mirëpo vendimin nuk e merr Kosova, por BE-ja. Çështja nga aspekti teknik besoj se është plotësuar nga ana e Kosovës dhe do të ishte shumë mirë që gjatë këtij viti Komisioni Evropian bashkë me shtetet anëtare të BE-së të sjellin vendimin e duhur për qytetarët e Kosovës.

Zëri: Në raportin e Komisionit Evropian, i cili do të publikohet javën e ardhshme, kritikohet vendimi i autoriteteve kosovare për ekstradimin e gjashtë shtetasve turq (gylenistëve). A pajtoheni edhe ju se një veprim i tillë ishte i gabuar?

Yagcilar: Unë besoj që atëherë, kur ka ndodhur ky rast, është biseduar në Parlament dhe kemi treguar qëndrimin tonë, besoj që këtu shteti i Kosovës nuk ka bërë ndonjë gabim.

Zëri: Partia juaj e përkrah transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës. Si duhet të bindet edhe Lista Serbe për këtë çështje?

Yagcilar: Sa i përket Partisë Demokratike dhe komunitetit turk në Kosovë në këtë rast nuk ka ndonjë pengesë, përkundrazi ne e kemi dhënë përkrahjen për krijimin e ushtrisë që do të jetë një institucion shumë i rëndësishëm i Kosovës me pjesëmarrjen e të gjithë pjesëtarëve të komuniteteve në krye me komunitetin shumicë, që do të ishte një institucion shumë kredibil. Nga ana tjetër, qëndrimi i pjesëtarëve të komunitetit serb është qëndrim i cili pengon procesin, por duhet ta gjejmë një zgjidhje që kjo çështje të tejkalohet. Sigurisht që për këtë çështje duhet të jemi në koordinim me partnerët ndërkombëtarë dhe të bëhet transformimi i shumëpritur.