Propaganda serbe me çnjohje, strategji para finales së dialogut

Aktuale June 23, 2018 - 08:04
Lexo detajet

Ndonëse para pak ditësh mediet serbe raportuan se Liberia e kishte tërhequr njohjen ndaj Republikës së Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme e këtij shteti e ka demantuar një gjë të tillë gjatë ditës së djeshme, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare konsiderojnë se paralajmërimet e tilla për tërheqje të njohjeve janë propagandë e Serbisë, pasi akti i tërheqjes nuk ekziston në të Drejtën Ndërkombëtare.

Megjithatë, ata pohojnë se deklarimet e tilla shkaktojnë efekte të dëmshme në drejtim të Kosovës, veçmas te vendet që nuk e kanë njohur dhe hezitojnë ta njohin Kosovën si shtet të pavarur.

Ndonëse në vazhdimësi gjatë muajve të fundit është raportuar për tërheqje të njohjeve, duke nisur nga Surinami, Burundi, Gana e deri te Liberia, shefi i diplomacisë kosovare Behgjet Pacolli, duke i cilësuar si shpifje të Serbisë deklarimet për “çnjohje”, ka garantuar qytetarët e vendit se Kosova e ka të ardhmen e sigurt. Pavarësisht kësaj, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe përfaqësuesit e opozitës vlerësojnë se diplomacia kosovare ka dështuar tërësisht, duke mos sjellë as njohje të reja e duke mos i forcuar as raportet me vendet që tashmë e kanë pranuar Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.                                                                                    

Pacolli: Nuk merrem me propagandën dhe me shpifjet serbe

Teksa ka demantuar lajmin se Kosovës i është tërhequr njohja nga Liberia, ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës Behgjet Pacolli lajmin në fjalë e ka cilësuar si propagandë të pastër të shtetit të Serbisë.

“Unë nuk merrem me propagandën serbe, por me punë konkrete për ta fuqizuar shtetin tim. Shpifjet dhe falsifikimet e Ivica Daçiqit nuk mund ta mposhtin Republikën e Kosovës në rrugën e fuqizimit ndërkombëtar”, ka deklaruar Pacolli gjatë ditës së djeshme. 

Gjatë së premtes ka reaguar edhe MPJ-ja e Liberisë, me ç’rast përmes një njoftimi ka thënë se Liberia do ta vazhdojë besimin e ndërsjellë me Kosovën. “Liberia ishte njëri nga vendet e para që njohu sovranitetin e Kosovës më 30 maj 2008, pas shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë dhe mbetet e përkushtuar te deklarata e përbashkët mbi vendosjen e  marrëdhënieve diplomatike”, thuhet në këtë njoftim.

Por pavarësisht kësaj ministri i MPJ-së së Serbisë, Ivica Daçiq, nuk ka pushuar së paralajmëruari “çnjohje” të reja ndaj Kosovës. Sipas tij, aktualisht janë edhe rreth 10 vende që po e shqyrtojnë  qëndrimin e tyre për Kosovën.

Rrahmani: Diplomacia kosovare ka stagnuar

Duke folur rreth kësaj deputeti i LDK-së Imet Rrahmani ka thënë se diplomacia kosovare ka stagnuar dukshëm në procesin e njohjeve dhe në ruajtjen e raporteve me shtetet që e kanë njohur Kosovën. Një gjë e tillë sipas tij është tejet shqetësuese për LDK-në. “Si parti jemi të shqetësuar, vlerësojmë që jo vetëm që ka pasur ngecje, por ndoshta disa veprime të pamatshme kanë çuar deri te veprimet e tilla. Por që ka ngecje në diplomacinë kosovare, ajo është më se e vërtetë”, është shprehur ai.

Tërë kjo situatë sipas Rrahmanit nuk mund të shpëtojë pa pasoja për Republikën e Kosovës. “Jo vetëm deklaratat e tilla, por çdo veprim jo i këndshëm, qoftë në diplomaci ose ndonjë proces që nuk shkon mirë në Kosovë, natyrisht se e rrit hezitimin e shteteve që hezitojnë për të na njohur”, ka potencuar ai. Andaj deputeti i LDK-së ka vlerësuar se institucionet duhet të punojnë shumë në mënyrë që shtetet që hezitojnë sa më shpejt të marrin vendim dhe ta njohin Kosovën.

“Është brengosëse se përpos që nuk ka njohje të reja, ka paralajmërime për tërheqje”, ka nënvizuar ai. 

Kadrijaj: Serbia po bën fushatë të egër kundër Kosovës

Ndërkaq zëvendëskryetarja e parë e Komisionit për Punë të Jashtme, Time Kadrijaj, ka vlerësuar se Serbia është duke bërë propagandë të jashtëzakonshme kundër Kosovës. “Shteti i Serbisë është i organizuar që të lobojë me miliona euro te shtetet e ndryshme që t’i tërheqin njohjet ndaj Kosovës. Kemi pasur edhe ministrin e Jashtëm në Komision dhe krejt ky takim ka qenë për këtë  shqetësim. Ai megjithatë e tregoi realitetin se Serbia nuk po ndalet, në mënyrë që shtetet e ndryshme t’i tërheqin njohjet. Serbia është duke bërë një fushatë të egër kundër Kosovës”, ka theksuar ajo.

Pavarësisht kësaj, Kadrijaj është shprehur e bindur se institucionet e Kosovës janë duke punuar që të sigurojnë njohje të reja dhe të arrijnë suksese në arenën ndërkombëtare. 

Ujkani: Akti i tërheqjes së njohjes nuk ekziston

Në anën tjetër teksa ka folur për “rastin e Liberisë”, profesori i së drejtës evropiane Emrush Ujkani ka vlerësuar se e Drejta Ndërkombëtare nuk e njeh tërheqjen e njohjes ndaj një shteti.

“Akti i tërheqjes së njohjes nuk njihet në të Drejtën Ndërkombëtare. E Drejta Ndërkombëtare nuk njeh një koncept të tillë. Mund të ketë ndryshim të raporteve diplomatike, por jo akt të tërheqjes së njohjes”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Megjithatë sipas Ujkanit, deklarimet e tilla për tërheqje të njohjeve mund të sjellin efekte të konsiderueshme negative, veçmas kur bëhet fjalë për vendet që nuk e kanë njohur ende Kosovën dhe janë skeptike në këtë drejtim. “Prapëseprapë unë mendoj që efekti është negativ dhe duhet të parandalohet një veprim i tillë”, ka potencuar ai. Sipas tij, diplomacia kosovare ka stagnuar tërësisht, andaj dikush duhet të japë llogari për këtë. “Këtu kemi një pikëpyetje që ka të bëjë me një ngecje, e cila mund të jetë edhe një dështim i politikës dhe dikush duhet të japë llogari”, ka potencuar ai. 

 Strategjia serbe për t’i tërhequr njohjet para fazës finale të dialogut

Ndërkaq Adrian Prenkaj, njohës i çështjeve ndërkombëtare, ka konsideruar se përpjekjet e Serbisë për t’i tërhequr njohjet e Kosovës janë pjesë e strategjisë serbe para fazës finale të dialogut për ta minuar konsolidimin e Kosovës në sistemin ndërkombëtar. “Në këto përpjekje Serbia përkrahet prej aleatëve të saj që nuk e kanë agjendën në pajtueshmëri me Perëndimin. Duhet ta kemi parasysh që kjo po ndodh në kontekst të përpjekjeve të Kosovës për anëtarësim në INTERPOL”, ka deklaruar ai.

Pavarësisht përpjekjeve dhe propagandës së Serbisë, sipas Prenkajt, njohja e pavarësisë së Kosovës po vazhdon. “Njohja e fundit nga shteti i Madagaskarit ka qenë e rëndësishme, sepse e ka diskredituar propagandën e Serbisë dhe strategjinë e ministrit të Jashtëm serb. Çdo njoftim nga ana e Serbisë për tërheqje të njohjeve të Kosovës është demantuar”, ka shtuar ai.

Pavarësisht tij Armend Muja, njohës i çështjeve ndërkombëtare, ka konsideruar se Serbia në bashkëpunim me Rusinë dhe me Kinën ka arritur ta stopojë procesin e njohjes së Kosovës dhe inkuadrimin e saj në organizata ndërkombëtare./ZËRI