Thaçi 'ecën' vetë

Aktuale June 21, 2018 - 07:43
Mësoni më shumë shumë detaje

Në fazën finale të dialogut me Serbinë, e cila do të fillojë këtë të diele, presidentit Hashim Thaçi nuk dëshiron t’i bashkëngjitet askush. Grupi i unitetit, i proklamuar një vit më parë nga ai, ka dështuar të formohet pasi i pari i shtetit refuzohet të jetë kryenegociator, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Ndonëse para një viti ishte zotuar se do ta formonte një grup uniteti për fazën finale të dialogut me Serbinë, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi pritet që këtë të diel të udhëtojë i vetëm për në Bruksel.

Atje Thaçi do të takohet me homologun e tij serb Aleksandër Vuçiq, me ç’rast pritet të nisë edhe faza finale e dialogut Kosovë - Serbi.

Pavarësisht kësaj, partitë opozitare po vazhdojnë ta kundërshtojnë formatin aktual të dialogut, duke mos e mbështetur as Thaçin për kryenegociator, shkruan më tutje "Zëri".

Monitoruesit e këtij procesi nga shoqëria civile konsiderojnë se përfaqësimi i Kosovës vetëm nga kreu i shtetit në këtë proces të rëndësishëm është tejet i rrezikshëm për Kosovën, kjo pasi edhe nëse përfundon faza finale e dialogut me Serbinë ratifikimi i marrëveshjes nga Kuvendi i Kosovës do të jetë i pamundur pa një konsensus të gjerë politik.

Për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, duke përfshirë këtu marrëveshjen finale Kosovë – Serbi, nevojiten 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit, rrjedhimisht 80 sosh.

Ndërkohë, pikërisht për çështjen e dialogut Partia Socialdemokrate (PSD) mblodhi të gjitha partitë politike në një tryezë gjatë të mërkurës, porse përfundoi pa ndonjë dakordim për fazën përmbyllëse të negociatave me Serbinë.

Thaçi: Është koha të nënshkruhet një marrëveshje historike me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u zotua se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë do të arrihet shumë shpejt.

Pak ditë para se të niset për në Bruksel kreu i shtetit e cilësoi “historike” marrëveshjen që ende nuk dihet se kur do të arrihet mes palës kosovare dhe asaj serbe.

“Qëllimi ynë në këtë fazë përfundimtare është arritja e fazës finale me një marrëveshje të detyrueshme ligjore për të dyja palët. Jam i bindur se ka ardhur koha që pas bisedimeve, në një mënyrë ose në tjetrën të nënshkruhet një marrëveshje historike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes së cilës do të përfundonte raporti i dhimbshëm mbi 100-vjeçar. Kosova nuk duhet t’i frikësohet dialogut e as epilogut të tij”, ka thënë gjatë ditës së djeshme Thaçi.

Pos kësaj, Thaçi është shprehur i vendosur se shumë shpejt do të ketë edhe demarkim të vijës kufitare me shtetin serb.

“Shpejt do ta kemi demarkacionin me Serbinë, janë rreth 400 kilometra. Ju e dini se çfarë situate kemi kaluar me Malin e Zi, tre vjet pritjeje e me Serbinë kemi rreth 400 kilometra vijë kufitare. Prandaj duhet të punojmë të gjithë së bashku për këto çështje”, ka shtuar kreu i shtetit.

Takimi i thirrur nga PSD-ja pa konsensus për dialogun

Ndonëse gjatë ditës së djeshme u mblodhën për të diskutuar për dialogun, partitë politike nuk arritën të gjenin një gjuhë të përbashkët sa i përket fazës finale të këtij procesi.

Shpend Ahmeti, nikoqir i takimit, njëkohësisht kryetar i PSD-së, bëri të ditur se PSD-ja u ka ofruar partive një propozim rreth dialogut lidhur me atë se kush duhet ta udhëheqë dhe si duhet të vazhdojë ky proces.

“Gati gjithë diskutimi ka qenë se kush po e udhëheq, a do ta udhëheqë presidenti a ka kundërshtime? Ne kemi propozuar që si republikë parlamentare procesin e dialogut ta udhëheqë Kuvendi i Republikës së Kosovës. Nuk e kemi as sistemin e njëjtë si Serbia, prandaj Kuvendi në Republikën tonë edhe me Kushtetutë është bartës i të gjitha proceseve vendimmarrëse”, ka deklaruar ai.

Ahmeti më tej ka njoftuar se PSD-ja ka propozuar që të themelohet një komision i posaçëm parlamentar ad-hoc për mbikëqyrjen e dialogut.

E ndonëse PSD-ja vazhdon të mos e mbështesë Thaçin për kryenegociator, ai ka thënë se kreu i shtetit edhe mund ta drejtojë dialogun në rast se mandatohet nga Kuvendi i Kosovës.

Nëse ndodh një gjë e tillë, siç ai është shprehur, duhet të jetë për shkak se Kuvendi ia ka dhënë detyrën dhe Kuvendi është ai që mund ta shkarkojë këdo nga kjo pozitë.

Gjatë fjalës së tij kreu i PSD-së ka pohuar se nuk ka pasur arritje të konsensusit gjatë ditës së djeshme.

“E kemi pasur edhe konferencën e presidentit ku ai njofton se do të shkojë në rundin e ardhshëm për bisedime. Si në të kaluarën nuk e dimë se për çka do të shkojë dhe cilat janë temat për diskutime, prandaj nuk dëshirojmë që ky të jetë edhe më tej procesi. Nuk ka dakordim të subjekteve politike, natyrisht me këtë tekst menjëherë, sepse subjektet përcaktojnë qëndrimet e secilit subjekt veç e veç”, është shprehur ai, duke thënë se arritja e një konsensusi është tejet me rëndësi për këtë proces.  

Krasniqi: Konsensusi, vështirë i arritshëm

Ndërkaq shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Kransiqi, ka vlerësuar se në tryezën e djeshme të organizuar nga PSD-ja ka pasur diskutime konkrete.

“Besojmë që sot ka pasur diskutime konkrete. Normalisht ne nuk presim që brenda një tryeze të arrihet një dakordancë. PDK-ja ripërsërit qëndrimin e vet që dialogu nuk është çështje që i takon një partie, është çështje e fatit të disa gjeneratave”, ka deklaruar ai.

Sipas Krasniqit, konsensusi duhet të ndodhë porse ka vlerësuar se nuk është e lehtë të arrihet një gjë e tillë.

“Po flasim për ta përfunduar një konflikt të ngrirë që deshëm ose jo, ekziston mes dy vendeve. Konsensusi është shumë i dëshirueshëm, por nuk jemi të sigurt që është i arritshëm. Gjithëpërfshirja në këtë proces nuk nënkupton gjithqysh arritjen e konsensusit. Duhet të flasim, të dakordohemi për përfaqësuesit në këtë dialog, për formën si do të zhvillohet, për kufijtë e pranuar”, ka theksuar Krasniqi.

Sipas tij, partitë nuk duhet t’i frikësohen dialogut me Serbinë, i cili ndërmjetësohet nga Brukseli.

“Dialogu do të ndodhë, deshëm ose s’deshëm. Nuk besoj që ka parti politike e cila duhet të frikësohet nga shkuarja në dialogun ku të fton Uashingtoni dhe Brukseli. Asnjëherë nuk na kanë mashtruar Uashingtoni dhe Brukseli”, është shprehur Krasniqi.

Nagavci: LVV-ja nuk frikësohet nga dialogu, por nga Thaçi

Menjëherë pas kësaj ka reaguar deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Arbërie Nagavci, e cila ka thënë se partitë politike nuk duhet t’i frikësohen dialogut me Serbinë. Me këtë rast, Nagavci ka deklaruar se LVV-ja nuk frikësohet nga dialogu, por nga presidenti Thaçi.

“LVV-ja në asnjë moment nuk është frikësuar nga dialogu. Kemi besim të plotë te Brukseli dhe te Uashingtoni. Por frikësohemi nga Thaçi dhe nga kjo Qeveri se sa të dëmshme janë për vendin. Një person që ka nënshkruar marrëveshje të cilat shkelin Kushtetutën duhet të mbajë përgjegjësi për detyrat e vjetra dhe jo të merret me detyra të reja”, ka deklaruar ajo.

Ajo më tej ka konsideruar se kahja e tryezave është krejtësisht e gabueshme, pasi në vend se të diskutohej për zgjedhje po diskutohet për tema që vazhdimisht po riaktualizohen.

“LVV-ja e konsideron të gabueshme idenë e tryezave. Në raport me zgjedhjet që duhet të organizohen në vend, tani përsëri nga PSD-ja u kthyem te dialogu që është një temë e cila po riaktualizohet gjithmonë”, ka shtuar ajo.

Të përçarë për fazën finale

Lidhur me çështjen e dialogut gjatë ditës së djeshme u mbajt edhe një tryezë tjetër e organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në të cilën morën pjesë shefat e grupeve parlamentare të subjekteve politike në vend.

Me këtë rast kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka konsideruar se duhet të ndërrohet krejtësisht qasja e negociatave me Serbinë.

“Nëse ky dialog vazhdon kështu, rezultati do të jetë shumë i keq. Duhet t’i ndërrohet kahja e dialogut”, ka thënë Konjufca.

Po qe se dialogu vazhdon në këtë mënyrë siç është aktualisht, sipas Konjufcës, do të krijohet autonomi për serbët në Kosovë, porse një gjë të tillë LVV-ja nuk do ta pranojë assesi, por do ta kundërshtojë me të gjitha forcat.

“Nëse vazhdohet me dialog të tillë Serbia do të krijojë autonomi të serbëve në Kosovë. Problem mbetet diskursi i presidentit, i cili thotë se unë e kam ndarë mendjen, erdhët ju ose jo, çfarë kam vendosur të nënshkruajë, do ta nënshkruajë. Vetëvendosjes i mbetet t’i përdorë të gjitha resurset për ta ndalë këtë proces të dëmshëm”, ka nënvizuar ai.

Me këtë u pajtua shefi i Grupit Parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu, i cili tha se partitë duhet të dakordohen që përgjegjësia përfundimtare e dialogut t’i takojë Kuvendit të Kosovës.

“Kemi pasur përgatitje joserioze dhe mungesë totale të dëshirës për ta ndërtuar një platformë që nuk shkakton pakënaqësi shoqërore. Duke pasur parasysh që po flitet për një fazë të re të dialogut duhet të kemi një proces mirë të përgatitur. Partitë politike duhet të dakordohen që përgjegjësia e mbarëvajtjes së dialogut t’i takojë Kuvendit”, ka potencuar ai.

Hoti: Nuk jemi të përgatitur për dialogun me Serbinë

Ndërkaq shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka vlerësuar se Kosova nuk është e përgatitur për dialogun me Serbinë, kjo pasi Qeveria aktuale është shumë e dobët për këtë proces.

Gjatë deklaratës së tij Hoti ka theksuar që LDK-ja e përkrah dialogun si proces, por jo edhe mbarëvajtjen e këtij procesi deri më tani.

“Tani po futemi në fazën finale të dialogut për të arritur një marrëveshje ligjërisht të obligueshme midis dy shteteve dhe ne si deputetë nuk kemi informata se çka nënkupton marrëveshja ligjërisht e obligueshme, a do të ulemi ne në tryezë të bisedimeve me Serbinë për ta rishikuar shtetësinë e Kosovës dhe Kushtetutën e saj, askush nuk e thotë këtë hapur”, ka thënë Hoti

Sipas tij, vetëm kur të bëhet e qartë kjo pjesë mund të flitet për konsensus gjithëpërfshirës për këtë çështje.

“Duhet të ketë kujdes secili që merr përgjegjësinë për dialogun. Secili qëndron brenda kompetencave dhe përgjegjësive që ka. Autorizimet për të dialoguar në Bruksel nuk merren në konferenca për shtyp, ato merren në Kuvend”, ka vazhduar Hoti.

Kurse kryetari i Grupit Parlamentar i Nismës Socialdemokrate, Billall Sherifi, tha se nëse në këtë fazë të dialogut nuk preket sovraniteti e integriteti i Kosovës atëherë edhe Thaçi mund t’i udhëheqë këto bisedime, mirëpo një gjë e tillë nuk është e mundur të ndodhë në situatën në të cilën vendi gjendet aktualisht.

Sipas Sherifit, problemi i vetëm në procesin e dialogut mbetet qasja që po i jepet këtij procesi nga udhëheqësi Hashim Thaçi. Sherifi më tej ka vlerësuar se kjo fazë e dialogut nuk duhet të jetë në dorën e një individi, por duhet të jetë përgjegjësi e të gjithë pjesëmarrësve politikë në vend.

Krasniqi: Konsensusi për dialogun, i domosdoshëm

Në anën tjetër Jeta Krasniqi, menaxhere e projektit për dialog në KDI, ka konsideruar se është tejet e rëndësishme që të arrihet një konsensus i gjerë politik për fazën finale të dialogut me Serbinë.

“Ne kemi kërkuar që të ketë një bashkërendim të institucioneve dhe të ketë një marrje të përgjegjësisë nga të gjitha institucionet në bazë të obligimeve dhe të përgjegjësive kushtetuese që ato kanë. Kemi kërkuar që Kuvendi të jetë epiqendra e diskutimeve rreth dialogut Kosovë - Serbi, që platforma e dialogut të aprovohet në Kuvendin e Kosovës dhe të ketë një rezolutë për ta mandatuar ekipin negociues të Kosovës dhe për ta legjitimuar këtë proces, këtë fazë finale të dialogut me Serbinë”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

Bashkërendimi i institucioneve sipas Krasniqit është më se i nevojshëm, pasi marrëveshja finale mes të dyja vendeve, për të cilën nevojiten 80 vota, duhet të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës.

“Kemi shembullin e Marrëveshjes së Demarkimit të Kufirit me Malin e Zi, për të cilën i janë dashur Kosovës tri vjet për ta ratifikuar. Kosova duhet të mësojë nga e kaluara e saj dhe duhet që proceset të cilat janë të një interesi shtetëror t’i bëjë me një anë të transparencës dhe të konsensusit. Kjo është mënyra e vetme se si ne mund të ecim përpara, veçmas në procesin e dialogut”, ka potencuar ajo.

Demhasaj: Mosarritja e konsensusit, e rrezikshme

Arton Demhasaj, nga organizata “Çohu”, ka vlerësuar se mosarritja e konsensusit mes partive politike sjell rrezik për miratimin e marrëveshjes finale në Kuvend.

“Kjo mund të jetë e rrezikshme në një fazë pas arritjes së marrëveshjes, rreziku do të jetë te ratifikimi i marrëveshjes. Do të jetë problem që të ratifikohet për shkak se nuk ka një konsensus politik paraprak. Mund të ketë rrezik për sigurim të votave”, është shprehur ai.

Sipas tij, mosarritja e një konsensusi mes partive është krejtësisht i paarsyeshëm.

“Për mua është e paarsyeshme se si nuk po arrihet të ndërtohet një platformë fillimisht me konsensus më të gjerë për dialog që pastaj të shkohet te ajo se kush duhet ta udhëheqë dialogun. Deri më tash nuk po shihen sinjale pozitive që mund të arrihet kjo. Ne edhe ashtu jemi vonë në këtë proces, e dimë që ky proces tashmë është duke filluar, janë caktuar takimet e para”, ka theksuar ai.