Raporti për vizat, javën tjetër

Aktuale June 19, 2018 - 07:48
Mësoni më shumë shumë detaje

Komisioni Evropian më 28 qershor të këtij viti pritet ta publikojë raportin për liberalizimin e vizave me Kosovën. Ky raport pritet të dëshmojë nëse vendi e ka plotësuar kriterin e fundit për vizat, përkatësisht luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit. Derisa drejtuesit e Qeverisë shprehen të bindur se liberalizimi do ta marrë “dritën e gjelbër”, përfaqësuesit e opozitës rekomandojnë që të mos përmenden afate, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Me fundin e këtij muaji (qershor) pritet të vijë edhe lajmi për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Se a do të jetë lajm i mirë ose jo do ta dëshmojë së shpejti raporti i Komisionit Evropian (KE), i cili pritet të tregojë qartë nëse është përmbushur ose jo kriteri i fundit për liberalizimin e vizave, përkatësisht lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Krerët institucionalë në vend shprehen të bindur se ky lajm do të jetë pozitiv për Kosovën.

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka bërë të ditur për gazetën Zëri se më 28 qershor të këtij viti KE-ja do të dalë me rekomandim pozitiv për Kosovën.

E përderisa zyrtarët e KE-së i kanë thënë “Zërit” se vlerësimi i kriterit të fundit është duke vazhduar ende, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, është shprehur e bindur se vlerësimi do të jetë pozitiv dhe se qytetarët shumë shpejt do të mundë të lëvizin pa viza.

Pavarësisht kësaj, përfaqësuesit e opozitës vlerësojnë se institucionet nuk kanë punuar sa duhet në luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit.

Pacolli: Rekomandimi do të jetë pozitiv

Zëvendëskryeministri i Kosovës e njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka bërë të ditur se shumë shpejt do të publikohet raporti i Komisionit Evropian.

“Presim që Komisioni Evropian të dalë me raport për liberalizimin e vizave më 28 qershor 2018. Presim që ky raport të jetë pozitiv”, ka thënë Pacolli për “Zërin”.

Ndërkohë, nga Komisioni Evropian kanë njoftuar se vlerësimi sa i përket kriterit të fundit nuk ka përfunduar akoma.

“Vlerësimi për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit është duke vazhduar ende”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të KE-së.

Megjithëkëtë, ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha ka vlerësuar se Kosova do ta marrë vlerësim pozitiv sa i përket përmbushjes së kriterit të fundit për liberalizim.

“Presim gjithsesi vlerësim pozitiv dhe vijim të procedurës për liberalizimin e vizave duke kaluar në instancat e tjera vendimmarrëse. Gjatë qershorit presim se do të jepet vlerësimi dhe presim t’i përmbajë të arriturat e institucioneve tona të luftës ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka thënë Hoxha gjatë një interviste për “Zërin”.

Ajo më tej është shprehur optimiste se liberalizimi do të finalizohet përgjatë këtij viti.

Pajaziti: Presim që raporti t’ua japë “dritën e gjelbër” institucioneve të BE-së

Ndërkaq anëtari i Komisionit për Integrime Evropiane, Zenun Pajaziti, është shprehur optimist se në fund të këtij muaji Kosova do ta marrë “dritën jeshile” sa i përket liberalizimit të vizave.   

“Ne presim që të jetë një raport pozitiv, presim që ky raport t’ua japë dritën e gjelbër institucioneve të BE-së, presim që të fillojë faza tjetër pastaj, e gjetjes së një konsensusi mes shteteve për t’u votuar ky proces. Pra, ne presim një raport pozitiv”, ka deklaruar ai.

Për finalizimin e procesit të liberalizimit, sipas Pajazitit, tashmë janë duke punuar intensivisht edhe institucionet e Republikës së Kosovës.

“Vetë kryetari i Parlamentit është me një agjendë të lobimit këto ditë, edhe ministritë: ajo e Integrimit dhe ajo e Jashtme janë aktive në këtë drejtim. Por edhe ne si Komision jemi duke provuar që ta bëjmë një agjendë të veçantë që ka të bëjë me lobimin për viza”, ka shtuar ai.

Nagavci: Institucionet s’kanë punuar për ta luftuar krimin e korrupsionin 

Duke folur rreth këtij procesi, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Arbërie Nagavci ka thënë se krerët institucionalë në Kosovë dhe ata të Bashkimit Evropian po bëjnë deklarata krejtësisht të kundërta sa i përket liberalizimit.

“Duke e parë interesimin e madh dhe vullnetin e qytetarëve që ky proces të përfundojë sa më shpejt, edhe ne jemi të interesuar që të përfundojë. Por, ajo që po shihet është se deklaratat e zyrtarëve tanë dallojnë prej atyre nga BE-ja. Derisa zyrtarët tanë në vazhdimësi kanë përmendur afate, zyrtarët e BE-së kanë qenë të kujdesshëm dhe asnjëherë nuk kanë përmendur afate”, ka deklaruar ajo.

Sipas Nagavcit, lufta ndaj krimit të organizuar e korrupsionit duhet të vazhdojë edhe pas liberalizimit.

“Ne konsiderojmë se është shumë e rëndësishme që të punohet për ta përmirësuar jetën e qytetarëve dhe luftimi i krimit e i korrupsionit të mbetet i vazhdueshëm, jo vetëm për ta përmbushur një kriter për t’ua mundësuar qytetarëve që të largohen nga vendi”, është shprehur ajo, duke thënë se institucionet nuk kanë bërë sa duhet në këtë drejtim.

Fetoshi: Liberalizimi mund të finalizohet brenda këtij viti

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve të integrimit evropian Arben Fetoshi ka vlerësuar se  rekomandimi i KE-së do të jetë pozitiv.

“Duke u bazuar në përmbylljen e misionit të EULEX-it, në Samitin e Sofjes dhe në fazën e fundit të dialogut Kosovë - Serbi, por pa nënçmuar gjithashtu përpjekjet e Kosovës në luftimin e krimit të organizuar dhe në lobimin në qendrat kryesore të BE-së, mendoj që rekomandimi i Komisionit Evropian do të jetë pozitiv”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, fakti që Kosova ka mbetur e vetmja në rajon pa liberalizim do ta ndihmojë vendimin. Pavarësisht kësaj, institucionet e Kosovës, sipas Fetoshit, duhet ta intensifikojnë sa më shumë luftën kundër krimit e korrupsionit dhe t’i qasen me seriozitet maksimal Agjendës së Reformave, në mënyrë që të ndihmohet finalizimi i liberalizimit të vizave.    

E duke pasur parasysh zhvillimet lidhur me Kosovën dhe angazhimin e brendshëm, pas rekomandimit të Komisionit Evropian, siç Fetoshi është shprehur, kosovarët do të mundë të lëvizin pa viza nga fundi i këtij viti.

Kryeziu: Askush s’mund ta dijë saktë se kur ndodh liberalizimi

Pavarësisht tij, Taulant Kryeziu, njohës i procesit të integrimit, ka shprehur dilemat e tij lidhur mbi atë nëse liberalizimi mund të finalizohet në fund të këtij viti.

“Do të ishte e jashtëzakonshme nëse në fund të vitit do t’u mundësohej lëvizja e lirë qytetarëve. Unë jam pak i luhatur që fundi i vitit do ta mundësojë lëvizjen e lirë, por gjithsesi pres një vendimmarrje te dy institucionet e BE-së brenda këtij viti. Së paku duhet të ketë një vendimmarrje brenda këtij viti te institucionet e BE-së. Është e rëndësishme që vendimmarrja të përfundojë këtë vit, pasi që zgjedhjet e Parlamentit janë vitin tjetër. Pastaj a është dhjetori ose janari askush s’mund ta thotë me siguri”, ka nënvizuar ai.

Sipas Kryeziut, tek pas publikimit të raportit të KE-së mund të nisë kalkulimi i afateve kohore se kur mund të ndodhë liberalizimi.

“Mirëpo shqetësimi im është mos institucionet e BE-së do të kërkojnë një raport për 95 kriteret dhe një raport të detajuar për 95 kriteret”, ka shtuar ai.