10 vite Eulex: Money for nothing ( Para për asgjë)

Aktuale June 14, 2018 - 07:35
Lexoni më shumë detaje

Mbi 1 miliard e 60 milionë euro i ka kushtuar Bashkimit Evropian qëndrimi dhjetëvjeçar i Misionit për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX). Pavarësisht kësaj vlerësohet se ky mision ka dështuar në luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit. Nga e premtja EULEX-i nuk do të ketë mision ekzekutiv, shkruan Gazeta "Zëri".

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) për dhjetë vjet të qëndrimit në Kosovë ka shpenzuar mbi 1 miliard e 60 milionë euro. Deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe njohës të sistemit të drejtësisë thonë se paratë e taksapaguesve të Bashkimit Evropian janë shpenzuar kot pasi ky mision ka dështuar të sjellë drejtësi. Ata thonë se EULEX-i dështoi të luftojë në mënyrë efektive krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Gazeta “Zëri” ka kalkuluar buxhetin që ka shpenzuar brenda një dekade misioni më i madh i Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, në të cilin shihet qartë se në përudhën prill 2008 - tetor 2010 BE-ja kishte ndarë një buxhet prej 265 milionë eurosh për EULEX-in.  Ndërsa 165 milionë të tjera i janë ndarë për periudhën tetor 2010 – dhjetor 2011.

BE-ja po ashtu ia kishte ndarë EULEX-it një buxhet prej 73 milionë eurosh për periudhën dhjetor 2011 - qershor 2012. Më pas këtij misioni i janë dhënë edhe 111 milionë euro të tjera për periudhën njëvjeçare qershor 2012 – qershor 2013, kurse në periudhën tjetër njëvjeçare, deri në qershorin e vitit 2014, i janë ndarë edhe 110 milionë euro të tjera. Më pas Bashkimi Evropian pati ndarë edhe 34 milionë të tjera për transferim të aktiviteteve në atë vit. Mbi 55 milionë euro të tjera janë ndarë për këtë mision për periudhën tetor 2014 – qershor 2015.

EULEX-i për periudhën qershor 2015 – qershor 2016 ka pasur një buxhet prej 77 milionë eurosh. Ndërsa nga qershori i 2016-s deri në qershorin e vitit 2017 ka pasur buxhet prej mbi 86 milionë eurosh, kurse pas qershorit 2017 deri në këtë kohë llogaritet të ketë pasur në dispozicion rreth 90 milionë euro.

EULEX: Janë dhënë 648 vendime gjyqësore

Zyra për Informim në EULEX ka thënë për gazetën “Zëri” se gjatë një dekade të qëndrimit në Kosovë ky mision ka krijuar trashëgimi në fushën e drejtësisë. Sipas kësaj zyre, në këtë periudhë janë dhënë 648 vendime gjyqësore nga gjyqtarët e EULEX-it.

 

“Gjatë këtyre dhjetë vjetëve të fundit EULEX-i ka krijuar një trashëgimi të dukshme në Kosovë me shumë arritje që janë të dukshme, siç është pra ekzekutivi në të cilin gjyqtarët e misionit kanë dhënë më se 648 vendime gjyqësore, duke përfshirë këtu 479 vendime në raste të krimeve të rënda si korrupsioni, krimi i organizuar, krimet e luftës, trafikimi i qenieve njerëzore, etj”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it.  

Po ashtu bëhet e ditur se janë marrë 149 vendime gjyqësore në rastet civile, 42 mijë vendime nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme dhe shumë vendime gjyqësore nga Paneli i Ankesave i Agjencisë Kosovare të Pronës.

Sa i përket stafit të EULEX-it, ky numër ka ndryshuar përgjatë viteve duke filluar me 2,649 persona përderisa tani misioni numëron 800 persona, duke përfshirë këtu stafin vendor dhe atë ndërkombëtar.

Selimi: Taksapaguesit evropianë humbën milionat përmes EULEX-it

Nënkryetari i Komisionit për Punë të Brendshme e Siguri, Rexhep Selimi, ka thënë për gazetën “Zëri” se përfundimit të mandatit ekzekutiv të EULEX-it më së shumti po i gëzohen ata që i shpëtuan drejtësisë. “Kam frikë që më shumë peshon njëfarë gëzimi i atyre që i shpëtuan drejtësisë sesa i atyre që do të duhej të kishin shpresë në drejtësinë vendore. Normalisht që nga fillimi i këtij mandati ne e kemi kundërshtuar EULEX-in, jo duke e kundërshtuar drejtësinë, por duke e kërkuar atë, e cila do të duhej të buronte nga institucionet tona nga vendi”, ka deklaruar Selimi.

Më tej ai ka thënë se sot jemi në një pozicion ku as nuk kemi drejtësi e cila do të duhej të vinte si burim për së brendshmi dhe as EULEX-i nuk la drejtësi. Selimi ka thënë se ky mision në vend se të sillte drejtësi ka sjellë padrejtësi. “Gjithsesi mandati i EULEX-it edhe ka qenë i padrejtë, por në emër të drejtësisë as nuk ka sjellë drejtësi në Kosovë. Sidomos nuk e ka luftuar krimin e organizuar e korrupsionin dhe më shumë është fokusuar në detyra tjera për ta luftuar UÇK-në për ta bërë njëfarë balance në mes të krimeve të Serbisë me luftën çlirimtare të Kosovës, duke iu referuar këtyre rasteve që i ka mbyllur EULEX-i në dëm të UÇK-së dhe të komandantëve, ku disa prej tyre janë ende në burg padrejtësisht”, është shprehur Selimi.

Në fund ai ka thënë se qindra miliona euro të taksapaguesve evropianë janë humbur përmes misionit të EULEX-it. “Duke e ditur se EULEX-i po e përfundon mandatin duke lënë më shumë padrejtësi sesa drejtësi, atëherë taksapaguesit e Evropës kanë humbur kot të gjitha ato mjete nga taksat përmes EULEX-it në Kosovë”, ka përfunduar Selimi.

Kurse kryetari i këtij misioni, Haxhi Shala, ka thënë se është lajm i mirë përmbyllja e mandatit ekzekutiv të EULEX-it. Sipas tij, ky mision pavarësisht dështimeve ka ndihmuar forcimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë. “Është lajm i mirë që po e përmbyll misionin. Konsideroj se kjo është një dëshmi se institucionet e Kosovës tashmë kanë kapacitetet e nevojshme për t’u marrë vetë me këto punë. Nuk mund të themi se jemi të kënaqur me punën e EULEX-it, sepse ka pasur dështime, por konsideroj se ka kontribuuar që sistemi i drejtësisë së Kosovës të forcohet”, ka deklaruar Shala.

Gashi: EULEX-i shpenzoi qindra miliona, por pa rezultat

Avokati Tomë Gashi ka thënë se në dhjetë vjet të qëndrimit në Kosovë Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) ka shpenzuar qindra miliona euro pa dhënë rezultate. “Misioni i EULEX-it për këto 10 vjet nuk ka treguar ndonjë rezultat të posaçëm dhe janë shpenzuar qindra miliona euro të taksapaguesve evropianë e rezultati ka qenë simbolik, për të mos thënë se nuk ka pasur fare”, ka vlerësuar Gashi.  

Këtë, sipas tij, më së miri e dëshmojnë deklaratat e kryetarit të gjyqtarëve të EULEX-it, Malcom Simos, dhe deklarata e prokurores Maria Bamieh që patën thënë se EULEX-i ka qenë “mashë” ose është përdorur nga politikanët të lartë të Kosovës për interesa personale.

Gashi ka thënë se pas 14 qershorit ky mision do të ketë një mandat të vogël ekzekutiv dhe e gjithë kjo është e lidhur me fillimin e punës së Gjykatës Speciale. “Është thënë se misioni i ri në aspektin ekzekutiv do të jetë vetëm sa i përket mbrojtjes së dëshmitarëve për Gjykatën Speciale dhe për gjërat tjera që lidhen me këtë Gjykatë, eventualisht arrestimet e caktuara për Gjykatën Speciale nëse kanë informata se ndonjë i akuzuar nuk do që vullnetarisht të dorëzohet ose nëse Policia e Kosovë heziton ta kryejë punën e vet”, ka deklaruar Gashi.  

Në fund Gashi ka thënë se EULEX-it nuk është dashur t’i vazhdohet mandati fare, por ka vlerësuar se një mision i tillë do të jetë në Kosovë për aq kohë sa Gjykata Speciale do të jetë funksionale. “Tashmë është vendosur, ky mision do të jetë me kompetenca jashtëzakonisht të zvogëluara së paku deri në vitin 2020. Por unë besoj një formë të EULEX-it do ta kemi gjithmonë këtu pa marrë parasysh emërtimin derisa të jetë në funksion Gjykata Speciale”, ka shtuar Gashi.

Kalaja: EULEX-i krijoi pritje për kapjen e “Peshqve të mëdhenj”

Drejtori i Qendrës Kosovare Kundër Korrupsionit (KUND), Fidan Kalaja, ka thënë për gazetën “Zëri” se mandati i EULEX-it është dashur që të fokusohet në përmirësimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë. Ai ka thënë se EULEX-i ka pasur kompetenca për luftimin e krimit të organizuar, të korrupsionit dhe hetimin e gjykimin e krimeve të luftës. Por Kalaja thotë se ky mision ka dështuar në të tria fushat. “EULEX-i si mision ndërkombëtar i BE-së ka pasur kompetenca ekzekutive në sistemin e drejtësisë, pothuajse ka qenë sistem paralel. Ka pasur kompetenca ekzekutive në tri fusha: në luftimin e krimit të organizuar, në luftimin e korrupsionit dhe në hetimin e gjykimin e krimeve të luftës. Pas 10 vjetëve mund të themi s ky mision ka qenë dështim total në tri këto fusha”, ka vlerësuar Kalaja.

Sipas tij, dështimi i këtij misioni ka prodhuar edhe pasoja tjera sa i përket Kosovës.  “EULEX-i nuk ka arritur të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe siç e dimë për shkak të dështimit të EULEX-it është dashur të krijohet edhe Gjykata Speciale për krime lufte. Pra, ka krijuar një lloj precedenti për institucionet vendore të cilat mund ta shfrytëzojnë dështimin e EULEX-it si arsyetim për dështimin e tyre, duke thënë se nëse EULEX-i nuk ka arritur të ketë rezultat në këto fusha, atëherë si mundemi që ne ta bëjmë”, ka shtuar Kalaja.

Madje, ai ka thënë se efektet e para tashmë kanë filluar të shihen. Kalaja ka thënë se lëndët që kanë kaluar nga gjyqtarët e EULEX-it te vendorët pa marrë parasysh argumentet dhe aktakuzat po përfundojnë me gjykime liruese për individë të cilët dihet sheshazi se kanë qenë prijës të aferave korruptive në Kosovë.

Ndërsa duke folur për kapjen e “Peshqve të mëdhenj”, që ishte proklamuar në fillim të mandatit ët EULEX-it, Kalaja ka thënë se ky mision pati krijuar pritje të mëdha.

“Kanë krijuar pritje të mëdha, pasi kanë pasur propagandë. Kanë filluar me disa aksione duke tentuar të krijojnë një lloj imazhi për vete. Mossuksesi i EULEX-it ka një kundërefekt te qytetarët e Kosovës sepse këtyre u është ulur besimi te sistemi i drejtësisë”, ka përfunduar Kalaja.