Deputetët lobues, veç vizave kërkuan edhe anëtarësimin e Kosovës në UNESCO dhe INTERPOL

Aktuale June 11, 2018 - 22:08
Lexoni detajet

Delegacioni i Kuvendit të Kosovës i kryesuar nga kryetari, Kadri Veseli, gjatë javës së kaluar zhvilloi një vizitë në Vjenë të Austrisë.

Së bashku me Veselin, në këtë vizitë ishin edhe përfaqësues nga partitë tjera parlamentare, duke përfshirë edhe opozitën, shkruan lajmi.net.

Glauk Konjufca, Aida Dërguti, Teuta Rugova, Evgjeni Thaçi Dragusha, Time Kadrijaj, Adem Hodza dhe Fikrim Damka i’u bashkuan Veselit në vizitën që për qëllim kishte lobimin për liberalizimin e vizave dhe proceset tjera integruse për vendin.

E bujën mediatike të shkaktuar në vend për këtë vizitë e ka cilësuar si të pakuptimë deputetja nga rradhët e AAK-së, Time Kadrijaj, e cila ishte edhe pjesëmarrëse në këtë delegacion.

Ajo për lajmi.net tha se duke qenë se përbërja e këtij delegacioni ishte nga të gjitha partitë politike, ka qenë e panevojshme që të shkaktohej një bujë e tillë në opinion.

“Për mua ka qenë e pakuptimtë gjithë ajo bujë mediatike që është bërë për vizitën në Vjenë sepse përbërja e këtij delegacioni ka qenë nga të gjitha subjektet politike, si dhe janë zhvilluar takime shumë të rëndësishme”, u shpreh Kadriu.

Kadrijaj shtoi se zhvillimi i vazhdueshëm i diplomacive parlamentare kërkon që në kuadër të këtij procesi të ketë edhe vizita të ndryshme nga delegacione të shumta.

Sipas Kadrijajt, delegacioni lobues në këtë vizitë kërkoi përkrahje në integrimin e Kosovës në UNESCO, Këshill të Evropës dhe INTERPOL.

“Secili nga anëtarët e delegacionit i ka zhvilluar ato takime në të cilat është kërkuar përkrahje nga secili vend veç e veç në të gjitha përpjekjet, qoftë në përpjekjet për liberalizimin e vizave, qoftë për anëtarësim në UNESCO qoftë për anëtarësim në INTERPOL, qoftë për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Nëpër këto diplomaci parlamentare ky është fokusi i atyre që kërkohet”, shtoi Kadrijaj për lajmi.net.

Deputetja e AAK-së kërkon që këto vizita dhe angazhime të mos lihen më kaq, dhe që diplomacia kosovare të jetë shumë më aktive, sidomos në vendet të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Ky është një fokus dhe zhvillim i cili nuk duhet të shkurtohet, përkundrazi duhet delegacione dhe komisione parlamentare të jenë shumë më aktive, e sidomos tek vendet që ende nuk e kanë njohur Kosovën, që nëse nuk mund të kemi marrëdhënie diplomatike, së paku të zhvillojmë diplomacinë parlamentare”, u shpreh Kadrijaj.

Ajo shpreson se përmes grupeve të miqësisë të formuara në Kuvendin e Kosovës të vazhdojnë vizitat edhe nga delegacionet që vijnë prej vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën, dhe përmes këtyre vizitave të ndërrohet edhe qasja karshi situatës aktuale.

Ndryshe, ky delegacion i udhëhequr nga Veseli, ani pse pati kritika nga LDK-ja, në përbërjen e tij e kishte edhe deputeten e këtij subjekti, Teuta Rugovën.