Digjet me lëndë djegëse një shtetase austriake, Policia nis hetimin e rastit

Aktuale June 06, 2018 - 07:37
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

P.E., 24-vjeçare, shtetase austriake, qe disa ditë është duke u trajtuar në Klinikën Intensive në kuadër të Qendrës Klinike Universitare (QKUK), pasi ajo dyshohet se më 29 maj të këtij viti është djegur me lëndë djegëse, përderisa shkalla e djegies është 80 për qind, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Shefi i Mjekimit Intensiv Qendror, Naim Kuçi, ka thënë për “Zërin” se gjendja shëndetësore e pacientes austriake është shumë e rëndë dhe ajo po mbahet në jetë me frymëmarrje artificiale.

LEXO EDHE: Bllokohen dy institucione të rëndësishme

“Pacientja ka ardhur më 29 maj në QKUK, e paidentifikuar. Pastaj është identifikuar. Në pasaportë i shkruan se ka lindur në vitin 1994. Djegia ka qenë e shkallës së dytë B dhe ka qenë diku 70-80% e djegur. Menjëherë ka hyrë në sallë ku është bërë pastrimi, fashimi, çfarë është dashur dhe është transferuar në mjekimin intensiv. Gjendja është e rëndë dhe është me respiratorë, frymëmarrje artificiale. Është në një gjendje shumë të rëndë që shumë pak ose hiç nuk presim prej saj”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës është duke e hetuar rastin nën dyshimin për “Vetëvrasje”.

Mjekët s’kishin as fasha për trajtimin e pacientes

Shefi i Mjekimit Intensiv ka bërë të ditur për “Zërin” se nëna e pacientes ditën e djeshme ka kërkuar që asaj t’i hiqen respiratorët e frymëmarrjes artificiale.

“Para disa ditëve ka ardhur edhe nëna e saj nga Austria, e cila ditën e djeshme ka kërkuar që t’i hiqen respiratorët e frymëmarrjes artificiale. Ne nuk ia kemi hequr, sepse nuk kemi të drejtë me ligj ta bëjmë një gjë të tillë, andaj edhe pacientja është ende duke u mbajtur me respiratorë. E kemi thirrur edhe Policinë dhe është bërë edhe identifikimi i saj”, ka thënë ai.

Gjatë trajtimit të shtetases austriake mjekët e QKUK-së janë përballur me mungesë të materialit shpenzues dhe të barnave, derisa askush nga familjarët e pacientes nuk ishte lajmëruar për t’ia blerë barnat e nevojshme.

Sipas Kuçit, i është kërkuar nënës së pacientes që t’i blejë ato produkte.

“Nuk kemi pasur mjaftueshëm fasha e gjëra të tilla, por ju kemi thënë familjarëve t’i blejnë. Detyra jonë është ta bëjmë punën profesionale dhe ato që i kemi pasur në mungesë t’i themi t’i marrin. Ne kemi shikuar çdo formë ta kompensojmë dhe të mos lëmë keq. Një ditë kemi pasur një telashe, por ne i kemi kompensuar, mirëpo gjendja si gjendje ka qenë shumë e rëndë. Nëna e pacientes dje na ka lënë 100 euro për t’i blerë produkte të materialit shpenzues, por i kemi thënë se nuk ia marrim ato para”, ka thënë ai.

Policia po e heton rastin si “Tentim vrasje”

Për këtë rast punëtorët shëndetësorë kishin kërkuar edhe Policinë, e cila tashmë është duke u marrë me çështjen. Sipas zyrtarëve policorë, rasti ka ndodhur më 29 maj në Rrugën e UÇK-së, te “Qafa”, në Prishtinë dhe dyshohet se pacientja ka tentuar të vetëvritet. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka thënë për “Zërin” se viktima është shtetase e huaj.

“Më 29.05.2018, rreth orës 01:00 është raportuar se në Rrugën e UÇK-së një person është përfshirë nga flaka. Ajo është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor. Viktima është një femër shtetase e huaja”, është shprehur Borovci.

Sipas tij, Policia është duke e hetuar këtë rast si “Tentim vetëvrasje”.

“Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka iniciuar një hetim të detajuar për rastin. Aktualisht po hetohet pista e ‘Tentim vetëvrasjes’, ndërkohë që hetimet janë duke vazhduar edhe më tej”, ka thënë Borovci.

Në anën tjetër edhe Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë për Rajonin e Prishtinës, ka thënë se rasti është duke u hetuar si “Tentim vetëvrasje” dhe siç ka thënë ajo, sipas dyshimeve pacientja ka tentuar të vetëvritet me lëndë djegëse.

“Dyshohet për ‘Tentim vetëvrasje’, deri sot janë duke u zhvilluar hetimet në atë drejtim. Derisa të japim një version përfundimtar të hetimeve njëherë është ky dyshim, por nuk përjashtohen edhe dyshime të tjera. Dyshohet se ka tentuar të vetëvritet me një lëndë djegëse, pra sipas dyshimeve që i kemi deri më tani, por nuk përjashtohen edhe mundësitë tjera. Ajo është shtetase austriake”, ka thënë Brovina për gazetën.