S’e duan Thaçin kryenegociator

Aktuale June 05, 2018 - 07:40
Lexoni më shumë detaje

Platforma e dialogut me Serbinë, sipas së cilës presidenti Hashim Thaçi do të jetë udhëheqës i fazës finale të këtij procesi, s’e ka përkrahjen e shumicës së partive parlamentare në vend. Përpos mbështetjes nga PDK-ja dhe AAK-ja, kjo platformë kundërshtohet nga LDK-ja, LVV-ja, PSD-ja dhe Nisma. Analistët thonë se Thaçi duhet të tërhiqet nga ky proces nëse për shkak të tij nuk po arrihet konsensusi, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Platforma e dialogut me Serbinë nuk pritet të rezultojë me ndonjë konsensus të gjerë politik në vend.

Përkundrazi, një pjesë e partive politike tashmë kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin platformën në fjalë, sipas së cilës presidenti Hashim Thaçi do të jetë udhëheqës i fazës finale të këtij procesi.

Përderisa LDK-ja ka njoftuar përfundimisht se nuk do ta votojë projekt-platformën e dialogut, Lëvizja Vetëvendosje tashmë ka bërë të ditur se nuk do ta mbështesë atë në rast se nuk ndryshohet ashtu siç do ta pranonte LVV-ja, shkruan më tutje "Zëri".

Pos kësaj, ky subjekt po vazhdon të mbetet kundër asaj që presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ta drejtojë fazën finale të negociatave me Serbinë.

Kundër Thaçit kryenegociator është deklaruar edhe Partia Socialdemokrate (PSD), përfaqësuesit e së cilës kanë konsideruar se kreu i shtetit nuk është personi adekuat për ta drejtuar këtë proces.

Por pos këtyre edhe qëndrimi aktual i Nismës Socialdemokrate (e cila është në koalicionin qeverisës), është që Thaçi të mos jetë kryenegociator.

Pavarësisht këtyre, njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se më e rëndësishme në tërë këtë mes është që të diskutohet për plotësimin e platformës sesa mbi atë se kush do ta drejtojë fazën finale të dialogut.

LDK-ja nuk e voton platformën

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk do ta mbështesë platformën e dialogut me Serbinë, e cila pritet që së shpejti të shkojë në Kuvend.

Kështu ka bërë të ditur deputeti i këtij subjekti Lumir Abdixhiku, i cili ka publikuar gjatë ditës së djeshme njoftimin zyrtar të LDK-së.

“Platforma për dialog, e prezantuar në Kuvendin e Kosovës nga ana e Qeverisë së Kosovës, është dokument i përgatitur dobët, joserioz dhe me pretendime jokushtetuese. Rrjedhimisht Grupi Parlamentar i LDK-së në Kuvendin e Kosovës nuk do ta votojë platformën në fjalë”, bëhet e ditur në këtë njoftim.

Më tej thuhet se LDK-ja është që dialogu të zhvillohet në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“LDK-ja mbetet e përkushtuar për një proces dialogues serioz, konsensual dhe brenda kornizave kushtetuese të Republikës së Kosovës”, theksohet më tutje.

Haliti: Platforma orientuese, në fund vendosin fuqitë e mëdha

Ndërkaq Xhavit Haliti, deputet i PDK-së, ka thënë se platforma e dialogut është më shumë një dokument orientues sesa që do të merrej parasysh në bisedimet e Brukselit.

Andaj ai nuk ka shprehur ndonjë siguri nëse do të ketë konsensus të gjerë sa i përket platformës në fjalë. Megjithatë, sipas Halitit, edhe po të ketë ndonjë konsensus të mundshëm mes partive për çështjen e dialogut në fund vendosin fuqitë e mëdha.

“Unë jam dakord që sa më shumë të ketë konsensus për këto çështje, aq më mirë është për Kosovën. Por ne kemi një përvojë të gjatë me konsensuse dhe delegacione të përbashkëta. Unë sa e di shumica e këtyre delegacioneve kanë qenë prezente në këso raste, por letrat i kanë bërë ata që vendosin, fuqitë e mëdha”, ka theksuar ai.

Por sipas tij, shqetësues në tërë këtë situatë është fakti që ende nuk është publikuar ndonjë dokument propozues për fazën finale as nga Brukseli, as nga mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë.

Sa i përket kryenegociatorit, Haliti ka vlerësuar se presidenti është ai i cili duhet t’i firmosë marrëveshjet në fazën finale.

LVV-ja, kundër udhëheqjes së dialogut nga Thaçi

Kurse nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, ka thënë se qëndrimi i LVV-së sa i përket platformës së dialogut dhe kryenegociatorit të këtij procesi tashmë dihet.

“Qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje tashmë është i njohur dhe nuk kam diçka të re për të shtuar në këtë drejtim më tepër”, ka thënë shkurt për “Zërin” Kollçaku.

Por nga ky subjekt tashmë kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin platformën në fjalë nëse ajo mbetet në versionin e tanishëm, vetëm nëse ajo ndryshohet ashtu siç do ta përkrahte edhe Vetëvendosja.

Po ashtu LVV-ja ka njoftuar që nuk do ta mbështesë presidentin Hashim Thaçi për kryenegociator të dialogut.

Edhe përfaqësuesit e PSD-së kanë pohuar para pak ditësh për “Zërin” se Thaçi nuk është personi i duhur për të qenë në krye të dialogut.

Në anën tjetër, deputeti i Nismës Socialdemokrate Zafir Berisha është shprehur optimist se platforma e dialogut nuk do të dalë në votim pa u ndryshuar.

“Nuk mendoj që ajo do të shkojë si dokument i tillë në votim, por ai dokument do ta hapë debatin”, ka deklaruar ai.

I pyetur nëse Nisma do ta votojë një dokument ku specifikohet se Thaçi do të jetë ai i cili do t’i udhëheqë negociatat, Berisha ka thënë se është herët për të folur për këtë, porse ka konsideruar se kreu i shtetit nuk është personi i duhur për ta bërë një gjë të tillë.

“Është herët për të folur për këtë, por qëndrimi i Nismës është se bisedimet me Serbinë duhet të udhëhiqen nga një ekip uniteti i spektrit të gjerë politik e qytetar. Nuk është çështje e individëve, aq më pak e një individi si Hashim Thaçi, i cili në të kaluarën e afërt ka treguar se nuk është negociator i mirë dhe ka bërë marrëveshje jo të favorshme për shtetin e Kosovës”, është shprehur Berisha.

Për dallim prej tyre, AAK-ja tashmë ka bërë të ditur se do ta votojë përfundimisht platformën.

Demhasaj: Nëse Thaçi bëhet shkas për mosarritjen e konsensusit, të tërhiqet

Duke i komentuar këto zhvillime, Arton Demhasaj nga organizata “Çohu” ka konsideruar se emri i presidentit Hashim Thaçi ende nuk është vendosur 100 për qind për ta udhëhequr dialogun, andaj një gjë e tillë mund edhe të ndryshohet nga Kuvendi.

Sipas tij, nëse Thaçi bëhet personi kyç për mosarritjen e një konsensusi të gjerë politik rreth dialogut, atëherë ai vetë duhet të tërhiqet nga ky proces. Porse, siç Demhasaj është shprehur, në rrethanat aktuale është shumë më e rëndësishme të diskutohet për përmbajtjen e platformës sesa për emrin e kryenegociatorit.

“Prapë se prapë është shumë më me rëndësi që në Kuvend të diskutohet platforma e dialogut dhe që aty të japin kontribut të gjitha partitë politike. Në momentin kur Kuvendi nxjerr një platformë, nuk shoh pastaj problem se kush do ta udhëheqë atë proces, sepse platforma është dhe askush s’mund të dalë përtej saj”, ka theksuar ai.

E në rast se projekt-platforma dështon të miratohet në Kuvend pasojat do të jenë evidente për Kosovën.

“Në rast se nuk arrihet konsensusi Qeveria është e obliguar që përmes kryeministrit, presidentit ose kujtdo tjetër të shkojë të negociojë me Serbinë dhe pastaj rreziku final i krejt kësaj është që në momentin që Qeveria e arrin një marrëveshje të mos i marrë 2/3-at e votave në Kuvend”, ka theksuar Demhasaj.