Pritje deri në vitin 2019 për një rezonancë magnetike

Aktuale June 04, 2018 - 08:19
Lexoni më shumë detaje

Rezonanca magnetike në QKUK, e cila edhe është e vetmja në Kosovë, por që tashmë më shumë se një javë ka qenë jashtë funksionit, ditën e djeshme është rinovuar dhe ka filluar punën prapë. Gati dy milionë kosovarë varen nga kjo aparaturë, e cila diagnostikon sëmundje të ndryshme. Pacientëve të cilët shkojnë tani për ekzaminim mjekësor u duhet të presin deri në vitin 2019 për ta bërë këtë ekzaminim, kjo pasi listat e pritjeve shkojnë gati deri në një vit, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Shefi i Klinikës së Neuroradiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Ilir Ahmetgjekaj, ka thënë përZërin se qytetarët presin për diagnostikim të sëmundjeve deri në 10 muaj.

LEXO EDHE: Sot 'plotësohet' Platforma për Dialogun

“Nuk e di saktësisht, por ka qenë diku deri në 10 muaj lista e pritjeve. Në përgjithësi është e pamundur të punohet me një rezonancë magnetike në shërbimin publik, është e pamundur kur për ekzaminim për një pacient duhen së paku 20 deri në 30 minuta kohë. Në dy orare të punës është i pamundur ekzaminimi për 1 milion e 800 mijë banorë”, ka thënë ai.

Sipas tij, edhe pse është bërë një projekt për zvogëlimin e listave të pritjes, prapë pacientët duhet të presin me muaj.

“Ka pasur lista të gjata të pritjes. Edhe pse është bërë një projekt në mënyrë që të zvogëlohet lista e pritjes, edhe pse është zvogëluar pritja, në asnjë mënyrë nuk është zvogëluar shumë, për arsye se është vetëm një rezonancë për krejt Kosovën dhe është e pamundur të bëhet diçka shumë kualitative në këtë drejtim. Është zbutur situata, por nuk e di për sa kohë, por sido që të jetë është fjala për muaj, nuk është fjala për javë ose ditë”, ka thënë ai. Ai ka treguar se është duke u punuar në dy ndërrime për ekzaminime të sëmundjeve.

“Ka punuar me kapacitet të plotë në dy ndërrime me shumë pacientë si në ndërrimin e parë, po ashtu edhe në ndërrimin e dytë për të arritur që të trajtohet një pacient, i cili është i hospitalizuar në QKUK ose në spitalet regjionale, ndërsa për pacientët e tjerë ka listë relativisht të gjatë të pritjes”, ka thënë ai.

Ahmetagjekaj ka treguar edhe se aparatura e rezonancës magnetike kishte ngecur në servisim, andaj nuk ishte në funksion.

Sipas tij, rregullimi i saj do të bëhet shpejt.

“Nuk është diçka që nuk riparohet. Ndonjëherë ndonjë pjesë zgjat më shumë që të sillet. Kompetent është servisi i autorizuar. Edhe ne jemi shumë kritikë ndaj tyre se e kanë zgjatur shumë. Qe 6 ditë pune nuk është duke u punuar. Nuk është situata e keqe, përveç këtij defekti që zgjati një javë”, ka thënë ai.

Zyra e Drejtorit të SHSKUK-së: Rezonanca magnetike, e mbingarkuar

Edhe Zyrtarë për Informim në Zyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të SHSKUK-së kanë pohuar për “Zërin” se kjo aparaturë ishte jashtë funksionit, pasi ishin duke ia ndërruar disa pjesë. Sipas tyre, kjo rezonancë magnetike është e mbingarkuar.

“Rezonanca magnetike është e mbingarkuar meqë është e vetmja në sistemin publik në Kosovë. Në shërbim të rezonancës punohet në dy ndërrime, nga ora 7:00 në mëngjes e deri në orët e vona të mbrëmjes dhe është e mbingarkuar me punë dhe me pacientë”, kanë thënë ata më tej.

Sipas tyre, me prioritet janë rastet emergjente, ndërsa siç kanë thënë, në procedurë të blerjes është edhe një rezonancë.

“Me prioritet punohet me pacientët emergjentë, përderisa rastet joemergjente presin sikurse në të gjitha vendet e tjera. Në procedurë të blerjes është edhe një rezonancë, e cila pritet të zbusë gjendjen”, thuhet në një përgjigje për “Zërin”.

Veseli: Prej fluksit të madh po prishen rezonanca dhe CT-të

Anëtari i Bordit të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, Shemsi Veseli, ka treguar se pacientët presin me muaj për ekzaminime, pasi që ka mungesa të CT-ve dhe të rezonancës magnetike.

“Lista pritëse është e madhe për arsye se kemi vetëm një rezonancë magnetike dhe një CT. Mirëpo rastet të cilave u rrezikohet jeta, ato janë prioritet. Zakonisht presin dy muaj, tre muaj e më shumë. Zakonisht këto klasifikohen si raste ku nuk është e rrezikuar jeta e tyre dhe normalisht edhe në shtetet e zhvilluara ka listë pritjeje sa i përket trajtimit të rasteve të ftohta në sektorin publik, mirëpo Kosova është e stërngarkuar”, ka thënë ai.

Sipas tij, duhet të investohet në aparatura në të cilat edhe zbulohen sëmundjet.

“Jeta nuk ka çmim. Vlen të investohet në aparatura, sepse zbulohen sëmundjet. Kishte me qenë shumë mirë që Qeveria të marrë si prioritet të prioriteteve shëndetësinë dhe pajisjen e saj e sidomos Diagnostikën. Diagnostika ka shumë nevojë për këto aparatura. Këtu zbulohen sëmundjet dhe këtu pacienti është në vijën e parë të trajtimit të tij ose të diagnostikimit”, ka thënë ai.

Veseli ka treguar se për shkak që ka mungesë të rezonancave magnetike dhe të CT-ve ato që janë përdoren shumë, andaj edhe shpejt prishen.

“Në Institutin e Onkologjisë ku punon edhe Radiologjia normalisht që është e kualitetit të mirë. I bën incizimet e mira, sepse është njëri nga modelet e fundit që së paku prodhohen, mirëpo pavarësisht kësaj meqë është fluksi shumë i madh i pacientëve dhe pasi që edhe CT-të, edhe rezonanca e ka shumë të vështirë ta përballojë këtë fluks, ato po vijnë dhe po prishen më shpejt”, ka theksuar ai.

Sipas tij, është porositur edhe një rezonancë magnetike, e cila do të vendoset në Spitalin e Prizrenit.

“Kërkesa e dytë, që besoj se nuk do të vonohet shumë, është bërë për Spitalin e Prizrenit. Është porositur edhe një rezonancë magnetike, edhe një CT 64 shtresor, që do të jetë i vendosur edhe në Prizren. Sa u përket CT-ve gjendja nuk është aq e lakmueshme, por megjithatë është më e mirë sesa rezonanca magnetike, sepse ka edhe në spitale publike”, ka thënë ai.

Ndërsa sipas një raporti të publikuar nga SHSKUK-ja për periudhën kohore 2014-2017, thuhet se në Kosovë ka nevojë edhe për dy rezonanca magnetike.

“Sistemi publik shëndetësor i të gjithë Kosovës ka vetëm një rezonancë magnetike (MRI), e cila është e vendosur në QKUK. Një investim edhe me 2 MRI-ja në Spitalin e Pejës dhe në Spitalin e Prizrenit do të ishin investime mjaft strategjike, ku dihet që këto komuna e kanë numrin më të madh të banorëve dhe numrin e shërbimeve që ofrojnë, si dhe QKUK-ja do të lirohej shumë”, thuhet në raport.