Të miratohet një platformë për fazën finale të dialogut me Serbinë

Aktuale June 02, 2018 - 16:56
Lexo detajet

Ndonëse të hënën pritet të shkojë në Kuvend platforma për dialogun me Serbinë, e miratuar tashmë nga Qeveria, po vazhdon të mos mbështetet nga disa prej subjekteve politike. Përpos që po konsiderohet e mangët, disa prej partive nuk po e pranojnë as faktin që presidenti i Kosovës Hashim Thaçi të jetë kryenegociator i dialogut nga pala kosovare, shkruan "Zëri".

Monitoruesit e punës së Kuvendit kanë konsideruar se miratimi i një platforme për fazën finale të dialogut është tejet e rëndësishme për Kosovën, porse versioni i tanishëm duhet të plotësohet nga deputetët pasi është mjaft i varfër.

Albert Krasniqi, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka konsideruar se platforma aktuale për dialogun me Serbinë është e mangët, andaj ajo duhet të plotësohet nga deputetët.

“Kjo platformë, e cila është sjellë prej Qeverisë në Kuvend, do të duhej të diskutohej tani nga deputetët, pra që t’i japin versionet që ata mendojnë në mënyrë që ta pasuronin këtë platformë. Në versionin siç është aktualisht është mjaft e varfër dhe e mangët. Kështu që ka shumë punë që do të duhej t’i bënte Kuvendi që këtë platformë ta shndërronte në një dokument serioz”, ka thënë ai për gazetën "Zëri".

E për t’u miratuar në Kuvend platforma në fjalë, siç Krasniqi ka bërë të ditur, nevojitet një shumicë e thjeshtë, të jenë prezentë 61 deputetë në sallë dhe shumica prej tyre të votojnë pro saj.

Sipas tij, është tejet e rëndësishme krijimi i platformës për ta udhëhequr fazën finale të negociatave me Serbinë.

“E mira do të ishte që tani të kishte një lloj të platformës, e cila do t’i vendoste kriteret kryesore që Kosova i pret prej këtij dialogu dhe të tregonte një strategji që Kosova do të mundë ta ndiqte në këtë proces dhe t’i caktonte vijat e kuqe për marrëveshjen finale që e presim prej dialogut. T’i caktojë edhe prioritetet”, ka nënvizuar ai. /Zëri/